I pari me të fundit në tabelë janë ndeshur të parët në kuadër të xhiros së 32-të të Kampionatit të Kosovës në futboll. Për Prishtinën e Re që ishte vendase në Qendrën Nacionale në Hajvali ishte treni i fundit për të udhëtuar drejt shpresës për mbetje në Supërligë, kurse Drita me një fitore në vargun e të tillave sivjet shumë më e afër do të bëhej dëshira për mbrojtjen e titullit.
Të dy ekipet e deshën fitoren dhe që të dyja patën raste të mira shënimi, por në pjesëlojën e parë Drita ishte më e mirë, ngase një herë qendërmbrojtësi Jorgo Pëllumbi kishte qëlluar shtyllën, derisa në minutën 38 Drita ka fituar një penalti pasi që Dokure i Prishtinës së Re ndërhyri në mënyrë të palejueshme brenda zonës së rreptësisë ndaj Abazajt.
Përgjegjësinë për të gjuajtur nga pika e bardhë e mori kapiteni Besnik Krasniqi, i cili gjuajti furishëm dhe nën transversale e futi topin në rrjetë për 1:0, që ishte rezultat i pjësës së parë.
Në pjesën e dytë Prishtina e Re ka sulmuar më tepër dhe ka patur disa raste të mira shënimi, por përkundër disa mundësive shumë të mira portieri Faton Maloku nuk ka lejuar që të preket rrjeta e tij dhe me disa interverime bravuroze e ka lënë rrjetën e paprekur. /kryelajmi.com/.





