Historia jonë kombëtare do të ishtë e mangët dhe e zbehtë pa emrat e nënave tona atdhetare. Ato, si gjithmonë, kanë luajtur rol të rëndësishmë e madhor në luftën e vazhdueshme të popullit tonë për lirinë e vendit.
Pikërisht, nëna shqiptare, shëmbëllyshëm me nënë Zarifen e Gjyrishecit, Marie Shllakun, Xhevën e Fehmi Lladrovcit, Hatixhen e Mulla Idriz Gjilanit, Kadenxhiken e Nazif Rrahmanit, si dhe qindra e mijëra shembëllyese të tilla që janë emra të përveçëm në historinë tonë shumëvjeçare, si një, luftuan krah për krah me burrat e tyre, vetëm e vetëm për ta parë atdheun tonë të lirë.
Pra, rolin e Feniksit te ne e me sakrifica të pashkruara, kur shuheshin vatrat tona stërgjyshore nga mizoritë e barbarive më të ndryshme të okupuesve serbë, e mori femra shqiptare, gruaja, nëna dhe motrat tona fort të ndershme e atdhetare. E tillë ishte Nëna Kadenxhike, motra e Mulla Idriz Gjilanit. Ajo mbeti në histori si Nënë Qëndresë. Pse jo? Nënë e rrallë shqiptare. Nënë e atdheut. Nënë me plot kuptimin e fjalës.
Nëna Kadenxhike – Nazifi, ishte bashkëshortja e Nazif Rrahmanit nga fshati Përlepnicë. Po ashtu ajo ishte motra e madhit atdhetar të kombit, Mulla Idriz Gjilanit. Kandexhikja ishte e lindur më 1899 në Pogragjë. Kjo nënë shqiptare ishte një Ajkunë e maleve dhe Zanë e rrallë shqiptare. Ajo ka vdekur më 1992 në Përlepnicë të Gjilanit. Në jetë, nëna Kadenxhike i pati disa tipare të rralla prej gruas. Ajo ishe grua kreshnike, e cila, bashkë më kohën kur jetoi, qe e pjekur. Jetoi nëpër kohë shumë të vështira jete. Të rrala ishin ato gra që bashkë me meshkujt që e luftuan armikun shumëshekullor të shqiptarëve. Pse jo? Ajo ishte nga familja e atdhetarit të madh të kombit, Mulla Idriz Gjilanit.
Nga kjo familje atdhetare, ajo i mori ato xixa të atdhetarizmit, të cilat i jetësoi në jetë. Kurrë nuk diti të frikësohej atyre kërcnimeve e maltretimeve më të ndryshme që iu bënë familjes së saj e të vëllaut Mulla Idrizit (Gjilanit). Këto kërcnime iu bën edhe te burri i saj, Nazif Rrahmani nga fshati Përlepnicë të Gjilanit. Përherë kur gjendej me shoqe e të tjera, ajo thoshte hapur: “Burri më leht jep jetën, se sa ta bën dhe mikun”.
Kjo grua shqiptare, e cila në shpirt e në zemër pati atdheun e shqiptarëve të shlirohet njëherë e përgjithmonë nga kthetrrat e armiqve të zinj. Si çdo herë, Kadenxhikja fliste me ton të lartë duke thënë: “Zoti të na ruajë nga sherri i shkaut, se shkau nuk ka as mëshirë e as shpirt njeriu!”. Në jetë, nënë Kadenxhikja pati gjashtë fëmijë si zana: një vajzë e pesë djemë.
Vajza e saj, Nexhmija, sikur me të gjitha tiparet që i posedonte, thonë i kishte përgja nënës së saj qëndresë, Kandexhike. Ndërsa djemtë e saj ishin: Rrahmani, Sylejmani, Bislimi, Ramizi dhe më i vogli, Ferizi. Kjo nënë qëndresë, kur ishte nëpër ndeja me burra e gra, ajo përherë thoshte hapur
e me plot gojë për djemtë e saj: “Nëse i ngajnë dajve dhe, dajve ishalla u ngjajnë, do të rriten e do të bëhen ushtarë të Mulla Idrizit e të Kosovës që ta kemi të lirë përgjithmonë”!.
Nëna Kadenxhike pati virtyte të larta njerëzore. Ishte grua e kalitur në jetë dhe tejet e ngritur me edukatë të shëndoshë familjare. Fjala e saj zinte vend në çdo kuvend. Çdo fjalë e saj mirrej si udhërrëfyes i së ardhmes. Ajo jo vetëm që bënte punë shtëpie, por i interesonte edhe gjendja e rëndë e shqiptarëve të asaj kohe.
Për burrin e saj Nazif Rrahmanin, të cilin e kanë vrarë çetnikët serbë në arat e Poneshit, komuna e Gjilanit, thoshte: ” Nazifi ishte njeri i pandashëm nga miku i vet Mulla Idriz Gjilani, si në luftën e Kitkës, Velegllavës, Bujanocit dhe të Gjilanit, i cili i dha lamtumirë jetës së vetë pa u përshëndetur me fëmijët e vet, as me mua e as me të afërmit e tij”.
Nënë Kadenxhikja shpesh takohej me bashkëluftëtarët e denjë të rrezistencës për liri të Kosovë. Ajo ishte një Ajkunë jona, e cila fliste hapur për shqiptarin trim: “Shqiptari duhet ti frigohet Zotit, e jo njeriut”. Nazif Rrahmani, në një rast i ështe drejtuar gruas së tij, Kadenxhikës me këto fjalë: “Zonjë, unë jam betuar në kuran (musaf) të Mulla Idrizit e para flamurit tonë me dy krerë, para vëllaut tuaj e mikut tim Hoxhës se do të luftojmë me pushkë në dorë deri sa ta kemi një Kosovë të lirë.
Për fëmijët tanë, pushkën nuk do ta heqi asnjëherë na krahu, vetëm nëse Zoti ma merr shpirtin e ma largon pushkën nga krahu. Unë nuk do ti ndahem luftës gjer në fund të jetës. Ta dini mirë këtë punë, se nuk e kemi nisur pa qëllim të qartë…”
Ishte një kohë e rëndë. Kohë me përgjime e me përcjellje. Apo kohë pa kohë, si thotë populli. Njerëzit, kudo që jetonin, e ndjenin vetën jo të sigurtë në jetë. Sy e vesh i kishin kah njerëzit që ishin më të ditur, atdhetarë e dijetarë. Disa herë Nëna Kadenxhikja bënte shaka me Nazif Rrahmanin, burrin e saj duke iu drejtuar me këto fjalë: “Merre djalin Rrahmanin që ti shtohet edhe një ushtar Mulla Idrizit”.
E, Nazifi i përgjigjej Kadenxhikës me këto fjalë: “Oj, Zonjë e madhe , ende djali ynë nuk i ka mbushur 18 pranvera. Është fare i ri për luftë. Heret është. Kur ti vijë koha, edhe ate do ta marrim me ne, pse jo!”. E, Nëna Kadenxhikja, gjatë ditës bënte punë të shtëpisë. Ishte punëtore e madhe e jetës. Punonte dhe gjithmonë i shkonte mendja tek luftëtarët shqiptarë, të cilët i luftonin kriminelët serbë që bënin krime në popullatën shqiptare të pafajshëm.
Këta luftëtarë luftonin zbathur, pa rroba të trasha e të tjera. Ajo gjatë verës e punonte fushën. Shkonte në ara dhe bënte punë të rënda. I mbjellte arat, por edhe i korrte si të gjithtë të tjerët. E ndjeu këtë punë të domosdoshme. Ndërsa, gjatë natës mbaronte çorapë, dorëza me kërrapza e sende tjera të nevojshme për luftëtarët trima. Shkpesh herë shoqet e saja, kur gjendeshin te ajo dhe e shihnin duke punuar këto “sende” prej leshi, çuditeshin dhe mbeteshin pa mend.
Një ditë ato Kadenxhikën e pyesin me këto fjalë: “Çka po i rregullon të gjitha këto dorëza e çorapa me kërraza të trasha e prej leshit, kur koha është e verës dhe po mban shumë nxehtë”. Kadenxhikja nuk u hidhërua nga këto fjalë të shoqeve të saja. Ajo u ishte përgjigjur: “Po, mirë besa e keni. Ju duket se po bëj punë pa nevojë. Ashtu mendoni. Shihni, dimri po afrohet. Këto
“sende”, që po i punoj sot, më mirë le të jenë gati sot, se dimri po afrohet. Shihne se po bëhet ftoftë dhe atëkohë nuk punohen.
Dijeni, se këto “sende” po i punoj për ushtarët tanë të Mulla Idrizit, të cilët po e ruajnë kufirin nga gjakpirësit e kriminelët serbë”. Dihet fare mirë se, nga vitet e tkurrjes e të zhbërjes të tokave shqiptare nga regjimet e egra serbe të viteve 1877-1878, trojet shqiptaare të kësaj ane, si: Sanxhakku i Nishit, Toplica, Prokupla, Tregu i Ri, Jabllanica e vende të tjera, ishin toka tona, nga të cilat u dëbuan të parët tanë në heshtje.
Janë shumë faqe të historisë sonë që flasin për krimet e barbarisë serbe tek shqiptarët, ku, si thuhet në një shënim “shumë kufoma të muhaxherëve, të ngrira e të mbetura në grumbuj, pos se ishin të dëmtuara nga erërsirat dhe korbat e maleve, pastaj nga serbët lokalë, kufomat lyheshin me një lloj llape mielli dhe, të njëjtat kufoma të fëmijëve muhaxhirë të ngrirë, ua hidhnin derrave të tyre për t’i ngrënë!”.
Kjo ishte ajo historia jonë e përgjakur dhe e npërpërkëmbur. Kjo histori nuk duhet të harrohet. Histori e dhimbjeve, e traumave, e vrasjeve dhe e torturave më qnjerëzore. Sa e sa qytetarë tanë e shpalosin me dhembje për shpërnguljet masive të shqiptarëve të kësaj ane, të cilët i lanë plangjet e tyre stërgjyshore. Histori e gjatë e me plot rrugë të përgjakura.
Sipas fjalëve të Shaban Halimit, vendas i Nazifit, burri i Kandexhikës, Nazif Rrahmani, kishte qëndruar me çetnikë serbë. Ai, ndonëse ishte i rrethuar nga çetnikët serbë, më 18 tetor të vitit 1944, Nazif me mjeshtri prej luftëtari, ku asnjëherë nuk ishte pa armë, e kishte hedhur një bombë armiqve dhe e kishte liruar rrugën të largohet nga vdekja e sigurt. Shaban Halimi, këtë “histori” të kësaj kohe e pati rrëfyer mirë e mirë për Nazif Rrahman Përlepnicës, i cili ishte i pandashëm nga kufiri ku bëhej luftë për ta mbrojtur çdo pjesë të atdheut shqiptar. Për Nazif Rrahmain, luftëtarin e denjë i lirisë, shtonte se, vetëm kur vinte koha të bëhej ndërrimi në mes shokëve, ai vinte në shtëpi dhe çmallej me fëmijët e tij në shtëpi. Edhe sot bashkëvendasit e tij shtojnë për Nazifin trim të pashoq, i cili, as gjumin gjumë nuk e kishte bërë duke u endur nga një vend në tjetrin për të ardhur gjer te qëllimi i fitores.
Ja si shtonin ata: “O, Nazif, merri edhe fëmijët e zonjën e vendosu në kufi, atje ku luftohet, se u llomite tu udhëtue në këmbë”. Nazif Rrahmani ua kthente vendasve të tij me një urtësi prej njeriu të mençur: “O, burra-ni! Liria nuk falet, por fitohet me gjak dhe, gjer aty ku derdhëm gjak, nga aty është trolli ynë i shenjtë i të parëve tanë”.
Edhe Ali Aliu, i lindur më 1914 në fshatin Përlepnicë të Gjilanit, ka shtuar për Brigadën Partizane, e cila kishte hyrë në këtë fshat dhe ishte shpërndarë në ato shtëpi që u mungonin mashkujt se ishin shkuar ta mbrojnë kufirin e Kikës. Këta partizanë çetënikë, ishin vendosur edhe në shtëpinë e Nazif Rrahmanit, por edhe nëpër shtëpi të tjera të këtij fshati. Nazifi, kur dëgjon se shtëpinë e tij i janë vendosur partizantët me urdhër të këshilltarit të fshatit, ai së shpejti kthehet në shtëpi të vetë në Përlepnicë.
Ishte kohë e vonë. Natë. Hyri në shtëpi të vet dhe u çmall e fëmijët e tij që ishin në katin e dytë të shtëpisë. Hypi në katin e tretë te partizantët. Partizantët e vetën, se kush është, Nazif Rrahmani iu përgjigje: “Unë jam zoti i kësaj kulle”. E pyetën se ku ke qenë gjer më tash mysafir? Nazifi iu
tha partizanëve se kush ju solli juve këtu në shtëpinë time? Ata thanë se të parët e fshatit i kanë sjellur këtu. Nazifi iu drejtua me këto fjalë: “A i dini traditat e shqiptarëve është se, pa u konë zoti i shtëpisë, nuk duhet të hyni në shtëpi të tij”.
Këto fjalë u tha partizanëve çetnikë dhe e dhezi një cigare dhe doli shpejt prej partizantëve e shkoi në katin e poshtëm te fëmijët e vet. Gjatë tërë natës partizanët nuk fjetën. U friguan se mos po ju ndodhë ndonjë e keqe nga Mulla Idrizi.
Por, edhe partizanët e panë se ata që i kanë urdhëruar të vendosen në shtëpi të një ballisti, nuk kishin mendim të mirë. Në mëngjez partizanët i morën plaçkat dhe u larguan prej kullës së Nazif Rrahmanit. Nazif u pati thënë mysafirëve të paftuar kështu: “Ma mirë të vdes krenar, se sa ulur e lidhur si qyqar, se këto toka na i kanë lënë stërgjyshërit tanë, e ne duhet ti ruajmë e t’ia lëmë fëmijëve tanë!”. Nazifi shkoi drejt të shokëtë e tij që mbronin kufirin.
Por, pas tri dite, ai kthehet në vendlindje, Përlepnicë ku vendosi në mbrëmje të shkojë me një kusheri të tij për të prerë dru në malin Mozgovë. Heret në mëngjez e thirri djalin e vet, Sylejmanin, që të shkojë te kusherit për të prerë dru në mal. Por, Dervishi i Ramës e porositi për ti treguar babës së tij se janë të rrethuar gjatë natës nga partizanët çetnikë serbë.
Sylejmani, kur u kthye e i tregoi babës së vet, Nazifit, se ishin të rrethuar nga ana e partizanëve, Nazifi e mori teshlicën dhe katranicën gjëja se po e lyen kerrin e druve aty në oborr të shtëpisë. Atë kohë erdhi komandanti i partizanëve me ushtarët e vet dhe e këshilltarin Kamerin e Latifit. Hyn në oborr të Nazifit. Pa një pa dy, partizanët vrapojnë në drejtim të shtëpisë për ta zënë Nazif Rrahmanin. Por, Kamber Latifi i tha komandantit “ndalë”se ju mos po gaboni. “Kend po e kërkoni këtu?”.
Ai iu përgjigjet se po e kërkojme Nazifin, dhëndrrin e Mulla Idrizit. Ai u tha se, ja ky është Nazifi që po e kërkoni, ky që po e lyen kerrin. Komandanti tha: “Po ky qenka njeri i shtëpisë, e nuk është njeri i malit, që ju kanë thanë. Ky po e këqyrka shtëpinë e vet”. Komandanti i partizanëve ju tha:”Eja Nazif me ne deri në shtab, i cili shtab ishte i vendosur në fshatin Përlepnicë. Nazifin e morën partizanët ta qojnë në shtab.
Zonja e Nazifit, Kadenxhikja shkoi shpejt te fqiu i vet, Musli Mehmeti. Ia dha një lirë të nusërisë dhe një patan (gusan) për t’ia quar 5 kg mjaltë e për ta shpëtuar të shoqin nga vdekja e sigurtë. Deri sa shkoi Musli Mehmeti për t’ia dhënë si ryshfet mjaltën, ate e rrahin Nazifin mizorisht. Kur hyri Musliu, partizanët i ndalin torturat mizore ndaj Nazifit, por i thanë që ti sjellin armët për t’i dorëzuar sa më shpejtë. Nazifi armët i kishte në mal te “Përroi i shkozës”, kështu e quanin këtë vend. E morën Nazifin me katër partizanë për t’i marrë armët e për ti sjellur pranë tyre, por fshatarët, kur e panë se po e qojnë jashtë fshatit në mal, menduan se ate do ta pushkatojnë. Atëherë, djalit të Nazifit, Bislimi, sa i kishte mbushur 18 pranvera, i thanë për të dalë në breg që ti përcjellin partizanët se ku po e pushkatojnë babën tij.
Bislimi doli nga shtëpia dhe shkoi te guri dhe i nxorri armët që i kishtë mëshefur aty Nazif Rrahmani, trimi i kësaj ane të Anamoravës. Ai përsëri kthehet në shtab. I dorëzon armët. Pastaj, ate partizanët e lëshojnë ate në shtëpi të. Nazifi prapë shkon në kufi dhe bashkohet me Mulla Idrizin. Ai i tregon se çka i kishte ndodhur në familjen e tij fill e për pe.
Atëherë, miku i tij Mulla Idrizi e këshilloi që të kthehet në Përlepnicë e ta gjejë vendin për tu vendosur vullnetarët shqiptarë në Përlepnicë, se kanë marrë qëndrim, Muharrem Fejza, Sylë Zarbinca, Shefki Desivojca për ti ra Gjilanit. Pra, këta atdhetarë menduan më parë të bisedojnë për këtë punë madhore për shqiptarët.
Nazifi Rrahmani kthehet në Përlepnicë. E siguroi shtabin te Zenel Osmani dhe 30 oda të tjera për vullnetarët e luftës. Të nësermen, Nazifi kthehet te Mulla Idrizi dhe e njoftoi ate se vendin për shtab e ka siguruar me 30 oda për qëndrim. Në Përlepnicë, Mullla Idrizi, me ushtrinë e vet hyri me 21 dhjetor të vitit 1944. Aty morën qëndrim që me datën 23 dhjetor (dita e shtunë) të vitit 1944, në ora 6 të mengjezit të sulmohet Gjilani nga katër anët e tij.
Mbasi erdhën vullnetarët e Mulla Idrizit në Përlepnicë, e thirrën Nazifin në shtab dhe i thanë të jetë komandir i rojës. Ate e obliguan që menjëherë ti gjejë njerëzit e fshatit që janë më besnikë dhe trima që të japin roje në fshat, në mënyrë që të mos të ndodhin ndonje e keqe nga “partizanët” çetnikë. Dhe, sipas urdhërit të shtabit të Mulla Idrizit, ky, Nazifi, ashtu veproi, ku ishin afro 600 vullnetarë në Përlepnicë. Nazif Rrahmani, komandir, tha: “O, vëllëzër, betohem para jush, para këtij flamuri, shtabi, se për së gjalli do t’i thej burgjet e do ti liroj vëllezërit e mi nga burgu i Gjilanit”.
Ashtu edhe veproi Nazif Rrahmani, atdhetar i denjë i lirië. Kur doli nga shtëpia, ai u përshëndet me fëmijë dhe me Zonjën Kandexhik dhe i tha se me ty, vetëm në botën tjetër mund të jemi bashkë, se unë po shkoj në Gjilan me mbetur shehit e jo me u kthye më gjallë i turpëruar”. Prej shtëpie Nazifi mori armët e luftës dhe një qekan për ta thyer burgun e Gjlanit.
Ai, më 23 dhetor të viit 1944 e theu burgun e Gjilanit dhe i lirioi 37 vetë të burgosur, por në atë aksion të rrezikëshëm, ku rojat e armikut ishin në çdo kënd të rrugës, mori edhe plagë të rënda trupore. Pas këtij aksioni vullnetar, ai largohet shpejt nga ai vend dhe ik në drejtim të “Dheut të Badhë” në Gjilan. Prej 23 dhjetorit, fëmijët e Nazifit mbetën duke e pritur baban e tyre.
Por, edhe nëna Kandexhikja mbet duke pritur të shoqin, e djali 3-vjeçar, Ferizi, që tash jeton në botën e jashtme, kurrë nuk thirri më baba. Vërtet, Nazifi nuk u kthye prej asaj dite më në shtëpi. Sa herë që u hapnin ditën dyert e oborrit të shtëpisë, mendojshin se do të kthehet babai i tyre si gjithmonë.
Sa herë natën që e ndëgjon ndonjë zhurmë apo shuritje nga jashtë, mendonin se po kthehet prindi, babai i tyre nga Gjilani, Nazifi, trimi i kësaj ane të Anamoravës. Nëse ndonje shpiun përcillte natën se mos po vinte Mulla Idrizi te motra apo Nazifi te fëmijët e vet, por ato ishin pritje të kota, sepse Nazifi kishte ndërruar jetë në fshatin Ponesh te Mullii i Deniqit, kurse Mulla Idrizi ishte i gjallë në zgafellë të Gjyrishecit.
E., Nënë Kadexhikja, ato ditë, ato net, ato vite të pritjeve të gjata, ishin fatkeqe për familjen e saj, sepse u maltretua e u dëshkua tepër nga vizitat e shpeshta që i bënin spiunënt e ndryshëm asaj, herë natën e herë ditën për të marrë në dijeni se ku i gjendet burri i saj, Nazifi.
Nëna Kadenxhike apo Nëna Qëndresë, motra e Mulla Idriz Gjilanitll, shpesh u thoshte të afërmëve: “Lufta e Gjilanit u krye, por vuajtjet na u shtuan. Kijameti e të zezat në familjen time u shtuan. Kurrë natën nuk isha e lirë të flej e qetë, gjithnjë rrija afër fëmijëve dhe përgjoja krismat, zhurmën e netëve të vona.
Shpeshherë kam fjetur veshur me tesha, gjumin e bëjsha si lepur në therrë, e herë pas here natën shtëpia ime ishte e përcjllur nga UDB-a e Gjilanit për shkak të burri tim Nzifit dhe vëllaut tim Mulla Idrizit. Spiunët e fshatit mendonin se Nazifi do të kthehet natën, por ne nuk dinim se a janë të gjallë apo të vdekur!. Shtëpia ime për komunistët ishte therrë në sy. Më thojshin trego burrin ku e ke, se edhe ndryshe kemi me të que me 6 fëmijë në Nish (Serbin) (internim- izolim). Nuk dija ku është Nishi, që po dojshin me më que.
Gjithshtu, më thojshin, ti marrim kafshët, ti marrim teshat në shtëpi, ta marrim tokën, por edhe shtëpinë ta kallim. Do ti vrasim në fund edhe fëmijët. Të gjitha këto që mi përmendshin nuk kisha frigë se isha e lidhur te Zoti, ku nuk mundën prej meje ta nxjerrin asnjë fjalë”.
Ja, si rrëfen në një rast Nënë Kandexhike: “Në katër anë shtëpisë ia shtinë zjarrin. Aty ishte edhe duhani që pata punue gjatë verës me fëmijë e mi. Shtëpia u dogj krejt. Fëmijët, nga kjo “gjendje”, qajshin me të madhe. Sa për shtëpi nuk kishte guxim askush me na pranue brenda. Shkuam te Ramiz Maxhupi.
Hymë për me u nxeh pak. Shtëpia tue u djeg, në atë moment u lajmërue Brigada e Avdullah Preshevës në Kmetoc. Ishte ora një pas dite. Abdullau, ushtarët i la në Kmetoc, e vetë erdhi me kali te na. Na pyeti se kush po i djeg shtëpitë e shqiptarëve?. Fshatarët e Përlepnicës i tregojnë se Brigadae VII Maqedone, e cila kishte komandant njëfarë Llukën, ajo po bën kërdi tek shqiptarët. U thotë fshatarëve të j’u thonë partizantëve le ti shymin shtëpinë ose luffën po e fillojmë, se “nëse prindi është ballist, fëmija e gruaja nuk kanë faj”.
Nëna Kandexhike tregon pasi është kthyer në shtëpia, ka thënë: “U ktheva nën kulmin tem të shtëpisë, por nuk na lënin rahat as natën e as ditën duke ardhur ballistë. Tash, të gjitha që i patën regjistue, ata i kryen dhe vetëm pritnin vendimin me na i prue e me na que Sergin në Nish në burg. Pas një kohe, edhe atë vendim naj sollën, ne u ankuam e naj falën. E mua po të më qojshin në Nish, e bajsha helmin me veti për ta helmue vetën vetëm se mu dhimshin fëmijët. Helmin e kam bajtur deri sa u zanë vëllau Mulla Idrizi.
Kur është zënë vëllau e ju tregova fëmijëve se qe 5 vjet e kam mbajtur helmin me veti, tash po e lagoj nga trupi se ma s’kam çka me më kontrollue, mbas luftës së Gjilanit nuk kisha ditë të bardha, por vtëm ditë të zeza, thotë nëna Kandexhike. Me zënien e hoxhës në zgafellë, vijshin njerëz me më pa. Unë u bëra më e fortë, e pikën e lotit nuk e qitsha, e u thojsha të tjerëve se, vdekja për burra është”.
Më këto tortura e marifetllëqe të partizanëve, Nëna Kadenxhike nuk është përulur kurrë në jetë, por ajo ishte më krenare se shtëpia e saj ishte qerdhja e ballishtëve, patriotëve shqiptarë, të cilët e luftonin për të mirën e këtij vendi. Atëherë nuk ju mbet tjetër pos partizanët iu thanë të parëve apo “odborrnikut” se kjo shtëpi e Nazif Rrahmanit të jetë e izoluar (leçitur) nga të gjithë vendasit e tij. Kështu njerëzit nuk kishin guxim ta vizitojnë familjen e Nazif Rrahmanit e as të rrijnë me ta, duke llogaritur si kundërshtar të Titos.
Nëna Kandexhike shtonte se, edhe këtë “gjendje” të rëndë e ka përballuar. Ajo pati rrëfyer sa ishte gjallë fëmijëve të saj kështu: “Mbas dy vite, u nisa me shkue në Velekincë në këmbë, se babën Hajrullah Hasanin dhe vëllaun Bajramin ma mbytën shkiet. Tuj shkue me djalin e dytë, Sylejmanin, nga afër i pashë “cërnagorët” e Velekincës duke kalur me kijet (qet) tanë që naj kishin
marrë para dy viteve. I kulloste një cërnagor dhe, kur djali ju afrue kijve tanë, i thirri. E kijet, si kenë tu kullot, filluan të vijnë në drejtim të djalit tue u pallë. Sylemmani, djali im ju drejtua cërnagorve: “Pse mi ke marrë kijet në shtëpi?”. Cërnagori nuk bëri za, atëherë e qitëm në gjyq, por i erdhi njëfarë qyterar nga Velekinca e ju ba dëshmitar cërnagorcit se i ka blerë kiet. Nuk mujtëm me i marrë kiet prej cërnagorit, sepse për shkaun rrejti ky farë shqiptari që nuk tregoi të vërtetën e kijve tanë.
Me daljen e librit për Mulla Idrizin, si na rrëfën z. Sallah Hajrullah Biqku nga Poneshi, tash është koha, sipas deklaratës së tij, që të mos të lihet asgjë në harresë dhe pa asnjë të keqe të paraqitet çdo gjë që ka qenë e vërtetë, vetëm e vetëm të ndriçohet historia e atdhetarëve tanë, të cilët luftuan për ditën e sotme. Njerëzit që dijnë apo që kanë të dhëna për këto ngjarje të kaluara, e që janë në interesin e të gjithëve, do të duhej jo vetëm të rrëfehet e të tregohet, por edhe të shkruhet për të mbetur “gjallë” e vërteta jonë e nëpërkëmbur. Kështu, për Nënën Kandexhike janë shprehur shumë qytetarë të kësaj ane, të cilët flasin e rrëfejnë pa u ndalë për veprën e saj atdhetare e qëndrësë e një kohë të rëndë për shqiptarët.
Me datën 11 nëntor të vitit 1995, Sallah Hajrullah – Biqku nga fshati Ponesh, komuna e Gjilanit, jep deklaratë se “atë ditë që u zhvillua lufta në Gjilan, më 23 dhjetor të vitit 1944, atypari isha si bari i moshës 11-vjeçare. Ishte ditë e shtune. Nga ora 11 të ditës, tue i ruajt delet në fushë, vinte një luftëtar në drejtim të Poneshit, kurse mbrapa ju kishin lëshue afro 15 partizanë për ta zënë gjallë. Donin ta vrisnin se ishte shqiptar.
Ky trim e luftëtar herë pas here ua kthente çetnikëve duke i gjuajt me pushkë. Kur mbërrini te Mulliri i Deniqit, në Ponesh, ky luftar shqiptar ua gjujti edhe një bombë partizanëve. Kështu bomba ra në ujë dhe ata e goditën me armë. Aty e vranë, aty ndërroi jetë në stom të vadës së mullirit të Deniqit. Atëherë, nënoficeri i partizanëve, Azem Tafaja nga Gjakova, erdhi te baba im Hajrullah Byqmeti, i cili ishte kryeplak i fshati dhe i tha me shkue e ma varros një ballist se e kanë vra te Mulliri. Ky ballist i ka thyer burgjet e Gjilanit dhe kështu baba im Hajrulallu me vëllaun Riza Biqmetin e varrosën Nazifin Rrahmanin pa kurfarë ceremonie në stom të vadës së mullirit. Gjendet dokumenti dhe, sipas armëve që kishte, ai (Nazifi) përherë pati dëshirë të mbajë dy rrethtore, bomba etj.
Ishte vetë Nazif Rrahmani i vrarë nga çetnikët serbë. U vra dhe, edhe sot e kësaj die varri i tij, i Nazif Rrahmanit mbeti enigë për familarët. Për këtë rast e dinë edhe Syle Meta, polic nga Gjakova, i cili erdhi dhe na pyeti për babën se a e kemi varrosur atë ballist që naj theu burgjet e Gjilanit. Polici në fjalë edhe sot është në pension dhe e di rastin që e vranë Nazifin. Por rastin e vrasjes e dinë edhe shumë të tjerë, M. Sfirca, e tash jeton në Hajvali e të tjerë, na thotë Feriz Rrahmani, djali i Nazif Rrahmanit.
Por, nga shkaku, se nuk kanë mundur të hulumtohet atë kohë edhe më shumë, se ishte një regjim i egër serb barbar, djali i tij, Ramiz Nazifi, 71-vjeçar, nga fshati Përlepnicë e Gjilanit, tash i ndjerë, ai Arhivit Historike në Gjilan ia dorëzoi një shënim, në të cilin bëhet fjalë për babain e tij Nazif Rrahmanin, i cili u dallua si luftëtar i denjë për çlirimin e teritorit të Kosovës nga okupuesit krimilanel serb.
Janë këto rrëfime të tij, të cilat janë dëshmi e gjallë që flasin heroizmin e pashoq të babati të tij, i cili, në luftën për liri, ai vritet nga forcat serbe. Ramiz Nazifi është nip i Mulla Idrizit. Nëna e tij, Kandengjikja, për të cilën është tema kryesore e këtij dokumentari, ishte motra e Mulla Idriz – Gjilanit, e cila është më e re se i vëllau i saj Idriz Gjilani. E, Nazifi ishte dhëndër i Mulla Idrizit, i cili shkoi gjurmave të këtij patrioti të shquar të kauzës sonë kombëtare shqiptare.
Nazif Rrahmani është i lindur më 1904 në fshatin Përlepnicë të Gjilanit. Baba i tij ishte Rrahmani, ndërsa nëna Kadenxhike ishte nga Pogragja. Mësojmë se Nazif Rrahmani ishte luftëtar nga viti 1941. Ai qe njeri atdhedashës i madh i popullit tonë. Okupuesin barbar Nazifi kurrë nuk e pranoi, por e luftoi me tërë qenien e tij prej atdhetari. Shih për këtë, ai bie në konflikt përherë me regjimin e atëhershëm serb. Ai, atë kohë, luftoi për kufirin e Kosovës. Siç mësojmë nga shënimet e djalit të tij, Ramizit, “kufiri i Kosovës atë kohë ka qenë ndërmjet dy fshatrave Sfircë. Kështu, Sfirca e jashtme, nga lindja, ka qenë teritor i Serbisë, ndërsa Sfirca e brendshme ka qenë, në përëndim, teritor i Kosovës.
Dhe, ndërmjet dy Sfircave ka ekzistuar guri që e ka ndarë Kosovën me Serbinë. Djali i tij, Ramiz, tash i ndjerë, na pati shtuar edhe këto të dhëna: “Babai im, Nazifi, gjithmonë ka qenë i armatosur. Nuk ka ndejtur asnjëherë pa te. Ai me shumë shokë të tjerë, ka dalë në kufi për të luftuar me forcat serbe. Luftoi që të mos hynë barbarët serbë në Kosvoë, për faktin se bënin dhunë të paparë mbi popullsinë shqiptare. Kur është dalë në Kitkë dhe Velegllavë, forcat serbe sapo kanë hyrë në teritorin e Kosovës.
Nazifi qe luftëtar i denjë i pushkës, i cili mori pozitën afër një guri dhe filloi të luftojë me armë kundër forcave serbe. Ndërkohë, atij i vjen në ndihmë Imer Zejnullahu nga fshati Përlepnicë. Këtu lufton disa orë, ku i bën rrezistencë ushtrisë çetnike serbe. Por, në një moment, Imerin e rrok plumbi mu në kokë dhe vdes. Ai varroset me nderime të mëdha në fshatin Hogosht, më 1942. Imer Zejnullahut, edhe sot i gjendet varri se ku është pajetë. Por, më vonë, ushtria serbe e kalon kufirin e Sfircës dhe hyn në Kosovë.
Mirëpo, duke parë rrezikun nga kjo ushtri barbare, vullnetarët shqiptarë organizohen për të bërë rrezistencë forcave serbe, ku në ndihmë u ka ardhur Shefqet Kapetani nga Drenica me ushtrinë e tij. Aty ka qenë edhe Qamil Bajrami, nga fshati Përlepnicë. Serbët i kanë zënë pozitat më të përshtatshme të Kosovës, mirëpo Nazif Rrahmani, i armatosur, si thotë Ramiz Nazifi, tash i ndjerë, përherë me pushkë e bomba, fillon për t’iu afruar pozitave serbe.
Mirëpo, Qamil Bajrami, edhe në atë moment të vështirë lufte, ka shtuar:”Ja, çfarë luftëtari kemi ne. Shihni çka ju bën çetnikëve serbë!”. Ai, Nazifi, afrohet dhe ua hedh bombat në pozitat e tyre, të cilët, nga tmerri serbët bërtasin dhe i lëshojnë pozitat e veta duke ikur për Marevc. Po kështu, në vitin 1943, ishte festë dhe natë Bajrami.
Ushtria serbe, duke menduar se shqiptarët e festojnë Bajramin dhe se nuk dalin të luftojnë, Nazif Rrahmani i shkon mendja se do të ngjan diç e papritur nga forcat serbe, ai me disa luftëtarë të tij, si me Ahmet Qerimin e ndonjë tjetër, u dalin përballë forcave serbe, ku luftojnë rreptë rrafsh 18 orë pa u ndalë. Këtu patën sukses duke luftuar përreth Moravës, Konçulit, Lluqanit, Turit etj., ku ua shtinë tmerrin forcave serbe gjer kah Bujanoci./Tefik Selimi