Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK – Gjilan
Objekti i kësaj kishe, i ndërtuar prej betonarmesë, filloi të ndërtohet në vitin 1968, ndërsa përfundoi në vitin 1972. Muret e jashtme janë fasaduar me gurë të përpunuar, të cilët janë marrë në vendin e quajtur Stubllavaçë, ndërsa mjeshtrit kanë qenë nga Stublla dhe Binça. Kjo kishë paraqet një objekt më ndryshe, krahasuar me formën e kishave, siç në të vërtetë kompozohen objektet e këtilla. Objekti ka formë oktagonale (tetëkëndëshe), si rrjedhojë e mungesës së vendit, – thotë prifti i kishës.
Hyrja kryesore ndodhet në anën perëndimore, por ekzistojnë edhe dy porta ndihmëse: njëra në anën veriore, e tjetra në anën jugore. Në sallën e lutjeve, anash hyrjes kryesore, ndodhen dy objekte të punuara nga druri, -rrëfyestoret, në të cilat rrëfehen ata besimtarë që kanë bërë mëkate. Në dyshemenë e sallës së lutjeve janë vendosur stolat për besimtarët, ndërsa në njërin nga tetë këndorët, ku është improvizuar një tip abside, ndodhet prezbitumi, i ngritur për 30 cm, në sipërfaqen e të cilit personeli fetar kryen shërbimet e tij.
Tabernahu, përkatësisht Shtëpia e Bukës, vendosur në të djathtë të altarit, është objekti kryesor i vendosur në prezbitum. Altari me relikerin, në të cilin është lënë amaneti në Darkën e Fundit, ndodhet në mes të prezbiturmit, ndërsa në të majtë të tij, ndodhet amboni, ku lexohet dhe interpretohet fjala e Zotit. Amboni, tashmë nuk ka pozicionin e dikurshëm në sallën e lutjeve sepse zhvillimi teknologjik e ka diktuar këtë zhvendosje. Nëpërmjet zërimit teknik fjala e priftit dëgjohet në tërë sipërfaqen e sallës së lutjeve më mirë sesa dikur kur prifti hipte mbi ambonin e vendosur në mes të sallës. Më tutje, pakëz më prapa ambonit, ndodhet pagëzimorja, aty ku pagëzohen zakonisht fëmijët, sepse, sipas priftit të kishës, rrallë ndodh që të pagëzohet dikush me vonesë.
Në brendësi të prezbitumit ka një shkallë të ngritur për 20 cm, e cila improvizon një sintron ku ndodhet një karrige më e madhe se të tjerat, që ta kujton katedrën. Karriget tjera janë për ndihmësit e priftit kryesor. Krejt në ballë, në vijë me katedrën ndodhet kryqi i drurit me Jezusin. Janë dy shtylla në dy anët fundore të prezbitumit, në të cilat janë vendosur elementë të rëndësishëm të kishës katolike. Në shtyllën në të majtë të prezbitumit ndodhet truporja e Shën Ndout, të cilit i është kushtuar kisha, ndërsa në shtyllën në të djathtë ndodhet një trupore e Jezuit.
Në këtë kishë, veç dy truporeve të përmendura, kanë zënë vend edhe dy trupore tjera, zakonisht prej druri (truporet mund të jenë edhe prej gipsi ose guri) dhe secila prej tyre i është kushtuar ndonjë shenjti. Kështu, në një shtyllë pa bazament, më e ulët se shtyllat tjera, pranë prezbitumit qëndron truporja e Marisë, Nënës së Jezuit, ndërsa në një shtyllë tjetër, të madhësisë së njëjtë me të parën, ndodhet truporja e Zemrës së Jezuit. Në anën e djathtë të prezbitumit, prapa Tabernahut, ndodhet varri i Mark Sopit.
Pas prezbitumit ka dy hyrje të veçanta, të cilat shpijnë në një korridor, i cili komunikon me dhomën e priftit, që ka hyrje edhe nga jashtë dhe nëpërmjet shkallëve korridori komunikon me katin, në të cilin ndodhet një bibliotekë e vogël.
Këtë kishë e karakterizojnë në radhë të parë muralet (pikturuar gjatë viteve 1989 – 1991). Në të vërtetë, ato zënë tre breza.
Në brezin më të lartë, përkatësisht në zgurrën e kupolës muralet paraqesin rrugën e vazhdimësisë njerëzore prej Adamit e Evës deri tek Jezui. Brezi i dytë i muraleve qëndron në tetë dollapët e cekët fare, në formë katërkëndëshi, të improvizuar gjithsesi, që paraqesin edhe tetë këndet e ndërtesës. Murali kryesor, përkatësisht Darka e Fundit, qëndron në ballë të absidës, ndërsa vazhdohet me murale që paraqesin jetën e Jezuit. Në të njëjtin nivel, përballë muralit Darka e Fundit, diku mbi derën kryesore hyrëse në sallën e lutjeve, në anën perëndimore të objektit qëndrojnë 4 figurat kombëtare shqiptare: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Nëna e Botës – Nëna Tereze, Pjetër Bogdani dhe At Shtjefen Gjeçovi. Aty janë edhe dy piktura tjera të rëndësishme, si ajo e patriarkut të kishës ortodokse, Atenagorës, i cili, sipas Don Lush Gjergjit e ka vendin në kishën katolike të Binçës sepse nënën e kishte shqiptare të Shkodrës, dhe ajo e Papës shqiptar Klementi XI. Pjesë e domosdoshme e një kishe katolike është Udha e Kryqit, e cila përbëhet nga 14 figura të kornizuara të cilat shpërfaqin veprimtarinë e Jezuit.
E veçanta tjetër e kishës në Binçë janë portretet e personazheve historike të historisë së kombit tonë, gjegjësisht golgota e Martirëve të Karadakut (1846 – 1848). Ky brez muralesh që, siç u tha, për motiv ka Kalvarin e shqiptarëve të kësaj ane (1846-1848), shpërfaq dhembjen njerëzore të të shpërngulurëve me forcë nga vendi i tyre, për t’i vendosur në Turqi, prej nga pas dy vitesh do të kthehen vetëm gjysma e atyre që kishin marrë rrugën e mërgimit nën trysninë e turqve, përkatësisht Jashar Pashës. Në njërën prej pikturave të rikujtimit, është edhe ajo në sfond të pikturës kryesore, ku qëndron bukur kisha e vjetër bashkë me të renë, – të parën për ta kujtuar, të dytën për ta krahasuar.
Muralet janë punuar nga artistët e njohur të Gjilanit, Demir Behluli dhe Zekirja Rexhepi.
Kisha e Shën Ndout ka edhe kambanoren, të ngritur në një vend më të lartë se kisha, sigurisht për t’u dëgjuar kambanat më mirë. Edhe ajo ko formën oktagonale, një përshtatje me formën e objektit të kishës.