Shkruan: Bekim Selishta
Çdo palë zgjedhje në Kosovë hap debat për mënyrën se si votojnë qytetarët që jetojnë jashtë vendit, veçanërisht përmes ambasadave dhe postës. Dyshimet mbi manipulimet dhe ndikimin e tyre në rezultatin zgjedhor kanë bërë që shumë qytetarë të shprehin shqetësime për transparencën dhe drejtësinë e procesit.
Një zgjidhje e mundshme për këtë çështje do të ishte rezervimi i një kuote të caktuar për deputetë që përfaqësojnë diasporën. Këto vende do të ishin ekskluzivisht për kandidatët që jetojnë jashtë Kosovës, duke siguruar që interesat dhe nevojat e komuniteteve të mërgatës të adresohen drejtpërdrejt në Kuvend. Opsione të mundshme për këtë përfaqësim mund të jenë tre deri në pesë vende të rezervuara, të cilat do t’i jepnin diasporës një zë të veçantë pa ndikuar drejtpërdrejt në balancat politike brenda vendit.
Në të njëjtën kohë, debati për përfaqësimin e minoriteteve mbetet po aq i ndjeshëm. Aktualisht, komunitetet jo shumicë gëzojnë dhjetë vende të rezervuara plus dhjet me kuot njëzet vende në Kuvend, pavarësisht se nuk përbëjnë më shumë se 6% të popullsisë së përgjithshme. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi proporcionalitetin dhe drejtësinë e përfaqësimit në raport me numrin e votuesve të këtyre komuniteteve.
Nëse do të bëhej një rishikim i sistemit zgjedhor, duke ulur numrin e vendeve të rezervuara për minoritetet dhe duke krijuar hapësirë për përfaqësimin e diasporës, kjo do të shmangte narrativën e pakënaqësisë mbi dominimin e një partie të vetme në votat e mërgatës. Një qasje e tillë do të ndihmonte në rritjen e besimit në procesin zgjedhor dhe në përfaqësimin më të drejtë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. Disa vende në rajon i kanë tre deri në pesë vende të rezervuara për diasporën.