Ka ndërruar jetë Tefik Selimi, ish-profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, i cili është marrë edhe me gazetari për një kohë të gjatë.
Pasi kishte kryer shkollimin fillor në vendlindje dhe atë të mesëm në Gjilan, tefik Selimi kishte regjistruar studimet për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Si student nisi të merrej me shkrime, kurse gjatë kohës së studimeve nisi të punojë në Shkollën Fillore në Zhegër e më pas edhe profesor në Gjimnazin “Zenel Hajdini” që nga viti 1972 e deri në pensionim.
Për disa vite ai ishte përgjegjës i paraleleve të Gjimnazit në Zhegër, mbajti bibliotekën e shkollës, sikurse që ishte redaktor i revistës “Gjimnazisti” që dilte në gjimnaz.
Gjatë kësaj kohe, por edhe më herët, ka bashkëpunuar me revista e gazeta shqipe në Kosovë e Maqedoni, si gazetën “Rilindja”, “Zëri i rinisë”, “Pionieri”, “Flaka e vëllazërimit”, “Shkëndija”, “Bota sot”, “Zëri”, “24 orë”, “Gazeta e pionierëve”, “Bota e re”, “Kosovarja”, “Jeta” etj.
Vjershën e parë e botoi në gazetën “Flaka e vëllazërimit” (Shkup), më 18 korrik 1968, me titull “Skënderbeu e populli”.
Selimi ka botuar një numër të madh të shkrimeve dokumentare, publicistike, recensione e vështrime për librat e autorëve të ndryshëm, sikundër edhe polemika, shkrime nga metodika e gjuhës shqipe, fejtone e reportazhe.
Së fundi, Tefik Selimi ka punuar si korrespondent i rregullt në gazetën “Bota sot” e “Bota press” nga Gjilani si dhe për portalin “Rajonipress” në Gjilan.
Ka botuar veprat “Gjaku i pragjeve” (2002), “Flijimtarët e plëngjeve” (2010), “Bota e yjeve” (2011), “Lule prilli” – vepër poetike (2012), Monografia “Gjimnazi i Gjilanit” (1945-2013) dhe veprën e gjashtë publicistike dokumentare “Pragjet e përgjakura” (2014).