Sabri Shaqiri, artist pamor nga Gjilani ka hapur ekspozitë personale me titull “Klithja”. Ajo është mbajtur sonte në Galerinë e Arteve të Qytetit të Tuzit, kuruar nga profesori, Genc Rezniqi.
Përmes skulpturës, me theks të veçantë në portretin dhe përpunimin e gurit si medium artistik, kjo ekspozitë përpiqet të depërtojë përtej formës së dukshme, duke eksploruar marrëdhënien mes materies, gjurmës njerëzore dhe emocioneve të heshtura. Guri, me qëndrueshmërinë, rezistencën dhe kujtesën e tij materiale, shndërrohet në një hapësirë ku fytyra njerëzore merr kuptim përtej ngjashmërisë fizike, duke bartur brenda vetes tensione, përjetime dhe klithma të pathëna.
“Klithja” është një përpjekje për ta bërë të dukshme atë që shpesh mbetet e pashprehur — për ta nxjerrë në sipërfaqe, përmes gjuhës së skulpturës, atë që fshihet në thellësinë e qenies njerëzore.





