Sabit Rrustemi
MARTIRIZIMI I TERZIAJVE GJATË VITEVE 1846 – 1848
( Në 180 vjetorin e martirëve të Karadakut, e në përkujtim të dy familjeve nga fshati Terziaj, i cili atë kohë quhej Karadak)
Në librin e Gjergj Gjergjit-Gashit, “Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848”, gjejmë disa informacione më se të domosdoshme që lidhen me një pjesë të historisë së këtyre dy vendbanimeve, Kurexhajve e Terziajve.
Atë kohë, dy familjeve të Terziajve, të cilat së bashku edhe me anëtarë të familjeve tjera të fshatrave Stubëll, Binçë dhe Vërnakollë, ishin internuar (syrgjynosur) në Azi të Vogël në vitin 1846, për shkak se ishin deklaruar publikisht katolikë para kajmekamit të Gjilanit, Maliq bej Gjinollit.
Anëtarët e dy familjeve te kjo monografi e Gjergj Gjergjit – Gashit, paraqiten me emër dhe mbiemër:
Familja I
1. Dokë Karadaku
2. Toma i Dokut
3. Marku i Tomës
4. Katarina e Tomës
5. Prena, bashkëshortja e Dokut, vdiq nga të rrahurat
dhe e hodhën në det.
6. Tuna i Tomës, vdiq në Muhaliq
7. Kata e Tomës, vdiq në Muhaliq
8. Gjoni i Tomës, vdiq në Muhaliq
Familja II
1. Ujk Karadaku
2. Lini i Ujkut
3. Marta, bashkëshortja e Ujkut
4. Milica e Ukjut
5. Prena e Ukjut, vdiq në Muhaliq
6. Një vajzë e Ujkut
7. Një vajzë e Ujkut, të dyja vdiqën në Muhaliq
Në fund gjejmë edhe njoftimin se të lindurit dhe të vdekurit prej nisjes e deri në të kthyer nga depërtimi nuk janë regjistruar gjithëmbarësisht, shkruan D. Bucciarelli.
Konstatimi i Buciarellit vlen për të gjitha familjet, ndërsa informata e mësipërme është e plotë për dy familjet e fshatit tonë. Nga 15 anëtarë të internuar në Muhaliq të Turqisë, nga familja e parë, e DOKËS, 4 veta kthehen të gjallë në vendlindje, 4 vdesin në Muhaliq. Nga familja e dytë, e UJKUT, 4 anëtarë kthehen të gjallë në atdhe, 3 vdesin në Muhaliq.
Vuajtjet e shumta që kanë pësuar këto dy familje së bashku me të tjerat në atë rrugë golgote ishin të trishta dhe kjo dokumentohet gjerësisht te monografia e Gjergj Gjergji – Gashit, ”Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846 – 1848”, të cilën e botoi “Drita” e Ferizajit.
Katrahurat e një udhëtimi nëpër dallgë e skëterrë
Shihet qartazi se keqtrajtimet mizore ndaj shqiptarëve të besimit të krishterë në Karadak dhe jo vetëm, kishin filluar që herët, po ishin sfrocuar sidmomos në shekujt XVI, XVII e XVIII-të. E, veçmas ndaj atyre shqiptarëve të cilët për t’iu shmnagur këtij terrori, kishin pranuar emra të besimit islam por, tinëzisht ruanin dhe i zbatonin ritualet fetare të besimit të krishterë. Kur, laramanët siç quheshin këta nga popullata që tashmë ishte kthyer në “fernë e re”, pak vite para se të shpalleshin “liritë fetare”,(3 nëntor 1839) nga ana e Sulltan Mexhidit, zunë të deklaroheshin haptazi se i përkasin besimit të krishterë, tërbimi otoman ndaj tyre ishte i papërmbajtur.
Pre e këtij tërbimi otoman që vinte edhe nga puthadorët e tyre, ishte edhe kjo pjesë e Kardakut. Në vitin 1837, 25 kryefamiljarë të kësaj ane, veçmas nga Stublla po edhe nga Vërnakolla, Depca e nga Terziajt, u mbajtën për dy muaj e sa në burg. U liruan vetëm pasi u detyruan të mohojnë fenë e tyre, sepse askush nuk u interesua për ta.
Tortura e burgosje pati edhe pas shpalljes së “lirive fetare” nga ana e Sulltanit të Stambollit. Shqiptarë të këtyre fshatrave të Karadakut do të mbahen për 4 muaj burg në Shkup e Stamboll si të mërguar, edhe pasi u kthyen në shtëpi me fermanin e kryekomandantit ushtarak të Rumelisë me të drejtën për të qenë të krishterë.
Ata burra, pa u çmallur me të vetët, u gjenden sërish në burgun e Maliq Beut, në Gjilat dhe në Prishtinës.
Mërgimi masiv i shqiptarëve të Kardakut më 1 nëntor 1845, nuk u ndal as më 1 shkurt 1846 kur u gjenden në burgun e Selim Pashës në Shkup.
Nga torturat çnjerëzore, në burgun e Selim Pashës në Shkup ra edhe dëshmori i parë, Augustin Stublla, të cilin vdekja e gjeti të lidhur me pranga në qafë, këmbë e duar.
Ç’të themi pastaj për udhëtimin e zorshëm edhe për kafshë, se lë më për njerëz të burgosur deri në Selanik, ku arrijnë më 13 mars 1846.
Në këtë skele bregdetare, grupi i 24 kryefamiljarëve u takua me grupin tjetër të familjarëve, kur për 21 ditë sa qëndruan aty ( Selanik), vdiqën nga një sëmundje epidemike 13 veta.
Më 13 prill e provuan për herë të parë udhën e detit…një udhëtim nëpër dallgë, nëpër skëterrë detërave të paanë, që zhbijnë të vdekur e të gjallë.
Më 25 maj të vitit 1846, pjesëtarët e gjallë të familjeve shqiptare të Kardakut të Gjilanit arrijnë në Muhaliq të Turqisë, me 11 të vdekur.
Filantropi që i shoqëroi e i ndihmoi të syrgjynosurit dhe nuk i la të vetëm, ishte Atë Anton Marovichin, të cilin herë pas here e lidhnin në qafë me hekurat me 50 okë peshë prej Shkupit e në Selanik, madje edhe vërvisnin nën barkun e kalit shpesh, dhe nuk ndahej prej tyre. I përballonte me një durim e qëndresë të paimagjinueshme, vetëm e vetëm për të qenë pranë grigjës së tij. Bariu më njerëzor, Ati i Mirë, nuk pranoi të lirohet pa të syrgjynosurit e tjerë.
Në Mihaliq të Stambollit, në përkujdesje të syrgjynosurve ishin dhe murgeshat, “Motrat e Dashurisë” që me një angazhimin profesional mjekësor shpëtuan shumë jetë: Maria Lseuer, motra tjetër, Maria frënge dhe Bernardina gjermane. Po vdekjet nuk evitoheshin lehtë sepse torturimi kishte qenë ç’njerëzor.
Nuk mungoi as presioni ndërkombëtarë përmes diplomatëve europianë, si ambasadori i Austrisë, z. Comt de Sturmer, ambasadori i Anglisë, z. Lord Carming, ambasadori i i Francës, z. De Bourqueney, z. Welleasley, të cilët zyrtarisht shprehën protestën e tyre para ministrit të Punëve të Jashtme të Portës së Lartë për rastin barbar ndaj këtyre shqiptarëve të internuar e të torturuar pa masë. F. 75
Porta u detyrua t’i ndihmojë shqiptarët e mbetur gjallë, t’ua njohë të drejtën për t’u kthyer në vendlindje dhe obligohej që t’ua shpërblente dëmet.
Dhe, më 20 nëntor 1848, nga odiseada e mërgimit kthehen në vendlindjet e tyre në Kosovë, përkatësisht në këto katër fshatra të Karadakut, 79 veta që e mbijetuan këtë kalvarë vuajtjesh e mundimesh me vite .
Prej dy familjeve të Terziajve, asaj të Dokë Karadakut dhe të Ujk Karadakut (që me gjasë mund ta ketë pasur emrin Ukë- shënimi im), prej 15 anëtarëve sa ishin të internuar (syrgjynosur), në Terziaj kthehen vetëm tetë veta.
Në familjen e Dokës:
Doku, nga Karadaku, 66 vjeç
Toma, biri i tij, 29 vjeç
Marta, gruaja e tij( e Tomës), 21 vjeç
Marku, biri i saj, 4 vjeç
Në Familjen e Ujkut:
Marta, gruaja e Ujkut, 45 vjeç
Lini, djali i saj, 18 vjeç
Milica, vajza e saj, 16 vjeç
Prima, vajza e saj, 10 vjeç
Martirët që i mbijetuan këtij kalvari të paparë për kohën, ashtu si mundën, nuk u dorëzuan as hoqën dorë nga synimet e veta. Iu rikthyen gjallnimit në tokën e të parëve, me besën në Zot e në atdhe. Si atdhedashës të devotshëm rifilluan jetën dhe vazhdimësinë e përtëritjes së rrënjëve të Trungut familjar nëpër breza.
Deri pas luftës së dytë botërore, jetuan në Terziaj. Por, synimi për ta gjetur dhe ndërtuar një jetë më të mirë, i detyroi të shpërnguljen nga vendlindja e të parëve të tyre.
Shpërnguljet e para nisën nga fundi i viteve të dyzeta ( 1947) të shekullit të kaluar dhe vazhduan deri në vjeshtën e vitit 1971. Shumica dërmuese e pasardhësve të Dokë e Ujk Karadakut, si vijimësi e pashkëputshme e rrënjëve të Kolës – vëllait të Memës) , u vendosën në Binçë e në Kabash të Vitisë, e një pjesë edhe në Ferizaj, po edhe në Kroaci e Slloveni, ku kishin gjetur punë dhe më pas i morën dhe familjarët e ngushtë të tyre ( gratë dhe fëmijët).




