Mikpritja në bregdetin shqiptar merr emrin e punonjësve të përkushtuar, të cilët me punën e tyre të përditshme po ngrenë standardet e shërbimit. Një prej tyre është Edio Hasani, i lindur në Burrel, i cili aktualisht shërben si kamarier në restorantin “Antipatrea” në Durrës.
Edio është bërë mjaft i njohur midis pushuesve, veçanërisht atyre të ardhur nga Kosova, për shkak të sjelljes së tij shembullore dhe kujdesit të veçantë gjatë shërbimit. Pushuesit e vlerësojnë atë si një nga arsyet pse rikthehen me kënaqësi në të njëjtin ambient.

I pyetur për sekretin e punës së tij dhe vlerësimin që merr nga klientët, Edio shprehet:
“Për mua, çdo pushues që vjen këtu duhet të ndihet si në shtëpinë e vet. Nuk ka ndonjë sekret të madh, është thjesht punë profesionale, me respekt dhe me zemër të hapur për çdo njeri.”
Përkushtimi i tij tregon se si kultura e punës dhe mirësjellja personale bëjnë diferencën kryesore në promovimin e turizmit shqiptar.

