Boksieri i ri shqiptar Leonis Iseni është shpallur kampion i Zvicrës në boks, pasi në përballjen finale mposhti boksierin David Mbega Bitobon, përfaqësues të klubit Club Pugilistique de Carouge. Me këtë fitore, 20-vjeçari siguroi titullin kombëtar në kategorinë e peshave super të rënda, mbi 90 kilogramë. Iseni, i cili garon për Box Club Zürich, ka arritur një nga sukseset më të rëndësishme të karrierës së tij sportive, duke u ngjitur në majën e boksit zviceran në kategorinë e tij. Me fizikun e tij imponues dhe shtatlartësinë që e karakterizon, boksieri me prejardhje shqiptare po dëshmon aftësitë në një kategori ku kërkohen forcë, teknikë, qëndrueshmëri dhe përgatitje e lartë fizike.
Fitorja në finale i solli Isenit medaljen e artë, rripin e kampionit të Zvicrës dhe trofeun e fituesit, duke kurorëzuar përkushtimin dhe punën e tij në ring. Pas triumfit, boksieri i ri festoi së bashku me ekipin dhe njerëzit që e kanë mbështetur gjatë rrugëtimit të tij sportiv. Me medaljen në qafë, rripin e kampionit dhe trofeun në duar, ai pozoi përpara flamurit zviceran, duke shënuar një moment të veçantë në karrierën e tij. Vetëm 20 vjeç, Leonis Iseni po afirmohet si një nga emrat premtues të brezit të ri të boksit zviceran. Titulli i kampionit kombëtar është një dëshmi e potencialit të tij dhe një hap i rëndësishëm drejt sfidave të reja sportive.
Ndryshe, ky boksier i ri, të cilin e pret një e ardhme e ndritur në sportin e boksit është djali i Neshmedin Isenit, pronar i Joni Ranch në Kamenicë. /kryelajmi.com/.






