Bujqësi

Komuna e Vitisë vazhdoi mbështetjen për fermerët, shpërndau 47 mekanizma bujqësorë

Komuna e Vitisë ka vazhduar programin e mbështetjes për sektorin e bujqësisë, duke bërë shpërndarjen e 47 pajisjeve të reja bujqësore për fermerët përfitues. Komuna e Vitisë, përmes Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, ka shpërndarë sot 17 rroto kosë dhe 30 freza për traktor, pajisje këto që synojnë lehtësimin e punëve të përditshme dhe rritjen e efikasitetit në veprimtarinë bujqësore. Kryetari i komunës së Vitisë , Sokol Haliti, theksoi se mbështetja për fermerët mbetet një nga angazhimet e komunës, duke bërë të ditur se investimet në këtë sektor do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ai nënvizoi se pajisjet dhe mekanizmat që do të shpërndahen në vazhdimësi do të përcaktohen duke marrë parasysh kërkesat dhe nevojat konkrete të fermerëve vitias. Ndërsa drejtori Naim Pira vlerësoi rëndësinë e këtyre investimeve për zhvillimin e bujqësisë, duke theksuar se drejtoria që ai udhëheq do të vazhdojë të zbatojë programe mbështetëse për fermerët që merren me kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore. Përmes këtyre projekteve, Komuna e Vitisë synon të krijojë kushte më të mira për punë, të lehtësojë proceset bujqësore dhe të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori. Aziz Zuka

You Might Also Like