Sylejman Ismajli
Ndërsa qytetarët e Gjilanit me padurim presin përfundimin e stadiumit të qytetit, një projekt që po zvarritet prej vitesh, pak kush ndalet të reflektojë mbi rrugën e gjatë që ka bërë ky sport në kryeqendrën e Anamoravës. Që nga viti 1928, kur “topi magjik” nisi të rrotullohej për herë të parë në këtë rajon, e deri më sot, historia e futbollit gjilanas është një sakrifice.
Futbolli në Gjilan filloi të organizohej në fundin e viteve ‘20. Në vitin 1928 u themelua klubi i parë, “KF Rapid”. Megjithatë, ky klub, që pati jetëgjatësi prej dy vitesh e gjysmë, ishte pasqyrë e realitetit politik të kohës: në gjirin e tij nuk kishte asnjë futbollist shqiptar.
Ndryshimi i madh erdhi në vitin 1931. Pas shuarjes së Rapidit, u formua “KF Gajret”. Ky moment shënon kthesën historike me inkuadrimin e Esat Berishës, i cili njihet si futbollisti i parë shqiptar në rajonin e Anamoravës. Berisha nuk ishte thjesht një sportist; ai ishte një intelektual i rrallë, jurist i diplomuar në Zagreb, që solli një frymë të re perëndimore në qytet.
Pasioni dhe patriotizmi i Esat Berishës kulmuan në vitin 1941, kur ai themeloi “KF Bashkimi”. Për herë të parë, një klub po bëhej fole për talentet shqiptare që do të hidhnin themelet e këtij sporti në Kosovë. Emra si Babush Tali, Selim Presheva, Xheladin Kurbaliu, Rexhep Ahmeti e Njazi Halimi, u bënë idhujt e parë të rinisë gjilanase.
Por, historia e këtij brezi pati një fund tragjik. Esat Berisha, motori i lëvizjes sportive dhe kombëtare, u ekzekutua nga forcat shoviniste serbe më 18 dhjetor 1944, pikërisht në lulen e rinisë, duke lënë pas një trashëgimi të pashlyeshme.
Pas Luftës së Dytë Botërore, skena futbollistike u dominua për 50 vite nga klubi “Cervena Zvezda” (Ylli i Kuq), i favorizuar nga sistemi jugosllav. Megjithatë, pakënaqësia e rinisë shqiptare gjeti shprehje tjetërkund. Në vitin 1947, nga gjiri i Shoqërisë Kulturore Artistike lindi KF Drita. Me vështirësi të jashtëzakonshme financiare dhe politike, ky klub arriti të mbijetojë, duke u bërë simbol i identitetit qytetar.
Sfida më e madhe erdhi në vitet ’90. Kur regjimi serb mbylli dyert e stadiumeve për shqiptarët, futbolli gjilanas nuk vdiq, por u zhvendos në “ilegalitet”. Në livadhe, fusha të improvizuara, në shi e borë, u formua sistemi paralel i garave. Pikërisht në këtë kohë të zymtë, në vitin 1995, u themelua KF Gjilani’95, si dëshmi se sporti ishte formë e rezistencës paqësore.
Interesante është edhe lëvizja e “shtëpive” të futbollit nëpër qytet. Brezat e vjetër kujtojnë se stadiumi i parë (1930-1948) ndodhej aty ku sot është Teatri i Qytetit, në zemër të Gjilanit. Më pas, nga viti 1948 deri më 1967, fusha u zhvendos në lagjen e Kamnikut, për t’u vendosur përfundimisht në lokacionin e sotëm në vitin 1967. Bari i parë në stadiumin aktual u shtrua vetëm në vitin 1971.
Sot, Gjilani jeton me derbin e zjarrtë mes “Intelektualëve” dhe “Skifterave”, dy tifozëri që i japin ngjyrë jo vetëm qytetit, por mbarë trojeve shqiptare.
Nga viti 1928 e deri në vitin 2026, kur pritet që stadiumi të marrë formën përfundimtare sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s, janë plot 98 vite histori. Një shekull histori që nisi me një top të thjeshtë lëkure dhe një dëshirë për liri, për të vazhduar sot si krenaria më e madhe e Gjilanit.



