Ansambli Vokal i Filharmonisë së Kosovës hapi edicionin e gjashtë të Festivalit “4 Traditions” në sallën e Filharmonisë së Krakovit, tempull i memories artistike polake.
Nën drejtimin e dirigjentit Rafet Rudi, u shpalos një udhëtim i rrallë artistik përmes shekujve të identitetit muzikor shqiptar dhe kosovar: nga trashëgimia liturgjike dhe universale e Jan Kukuzelit e Gjergj Danush Lapazaj, e deri te zërat bashkëkohorë shqiptarë, kosovarë e ndërkombëtarë, përfshirë Lorenc Antoni, vetë Rafet Rudi, Memli Kelmendi dhe kompozitori kosovar që ka krijuar lidhje të forta me Krakovin dhe Poloninë, Mendi Mengjiqi.
Ky koncert, i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Kosovës, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Varshavë dhe Filharmonia e Krakovit, përfaqëson më shumë se një ngjarje artistike. Ajo shënon fillesën e një ure të re diplomatike e kulturore ndërmjet Kosovës dhe Polonisë.
Publiku polak mirëpriti me entuziazëm e respekt interpretimin e artistëve të Ansamblit Vokal: sopranove dhe altove Kaltrina Miftari, Shkurte Hykaj, Elona Sadiku, Diellza Sylejmani, Dea Hamdiu, tenorët e basët Rizah Jahaj, Etrit Nura, Fatjon Gashi, Shaban Behramaj e Nikoll Gjini, ndërsa në një nga pikat, në harpsikord u paraqit Jowita Grajçevci-Szornel.
Ky moment përbën një dëshmi se kultura kosovare jo vetëm prezantohet, por edhe dialogon denjësisht në skenat më prestigjioze europiane.
Me rastin e koncertit të hapjes Drejtori i Filharmonisë së Krakovit, Matuesz Prendota, mbajti një fjalë mirëseardhjeje dhe ftoi Ambasadorin e Kosovës në Poloni, Drilon S. Gashi, për një fjalën rasti. Si Drejtori Prendota ashtu edhe Ambasadori Gashi folen për kënaqësinë e një bashkëpunimi të nisur midis Filharmonive dhe vendeve të tyre, duke theksuar mbështetjen e ndërsjellë që kjo gjë të thellohet.
Në publik ishin Historiani i madh britanez i Polonisë dhe Europës, Dr. Norman Davies, dhe bashkëshortja e tij Dr. Maria Davies, Konsulli i Përgjithshëm i Austrisë në Krakov, z. Martin Gärtner dhe bashkëshortja e tij zj. Majlinda Çullhaj, krahas personaliteteve, miqve dhe bashkatdhetarëve që u mblodhen për këtë koncert të veçantë në Krakov.
Në vazhdën e këtij bashkëpunimi, më 5 maj 2026, nga ora 19:30, në Hollin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë koncertin e Kuartetit Harkor të Filharmonisë së Krakovit, në një koncert pritës të organizuar nga Filharmonia e Kosovës, si kapitulli i radhës i këtij partneriteti të ri mes dy institucioneve.
Kjo nuk është thjesht një seri koncertesh, është lindja e një aleance kulturore, ku Kosova dhe Polonia afirmojnë fuqinë e artit si instrument të kujtesës historike, miqësisë dhe ndërtimit të urave që i rezistojnë kohës.




