Edion Ademi, nxënës i dalluar në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, qysh se kishte nisur mësimet në këtë shkollë kishte dëshmuar se është i përkushtuar ndaj shkencës, kurse tashti, kur ai është në prag të përfundimit të maturës, ai ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke u renditur i pari në Olimpiadën e Kimisë në Kosovë. Ky rezultat nuk është vetëm një dëshmi e talentit të tij, por edhe falë punës së palodhur, disiplinës dhe dashurisë së madhe për këtë fushë shkencore.
Tashti, kur maturantët janë në përfundim të shkollimit të mesëm, Edioni vetit i ka vënë një detyrë tjetër, të bëhet student në Fakultetin e Mjeksisë dhe ai është duke punuar me të madhe në këtë drejtim. Për Edionin, fjalë miradije thotë edhe mësimdhënësi i tij, Ilir Kastrati, që shprehet se ai është ndër nxënësit më të mirë në kimi, andaj ky sukses nuk është i rastësishëm.

Ajo që e bën këtë arritje edhe më domethënëse është fakti se Edioni vijon mësimet në një shkollë që mban emrin e kimistit të njohur kosovar, prof. dr. Xhavit Ahmeti. Ky simbolikisht lidh suksesin e tij me traditën dhe trashëgiminë shkencore që përfaqëson kjo figurë e rëndësishme e kimisë. Në një mënyrë, Edioni po vazhdon rrugën e inspirimit që mbart emri i shkollës së tij.
Atë e ka përgëzuar edhe Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, i cili i ka dëshiruar suksese edhe në të ardhmen, kurse në shenjë kujtimi, shkolla i ka ndarë një mirënjohje për suksesin e arritur.

Fitorja në Olimpiadën e Kimisë nuk është vetëm një arritje personale për Edionin, por edhe një krenari për shkollën, familjen dhe komunitetin. Ajo shërben si një shembull frymëzues për bashkëmoshatarët e tij, duke treguar se me përkushtim dhe pasion, mund të arrihen rezultate të mëdha.
E ardhmja e Edion Ademit duket premtuese, dhe suksesi i tij në këtë olimpiadë është vetëm një hap i parë drejt arritjeve edhe më të mëdha në botën e shkencës. Ai është zotuar që do të vazhdojë edhe në të ardhmen në arritjen e dijes dhe se do të bëjë krenarë jo vetëm shkollën e tij, por mbarë qytetin.




