Komuna e Vitisë po shënoi 5 Majin – Ditën e Dëshmorëve
Me rastin e 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Vitisë, nga Kuvendi Komunal i kësaj komune është mbajtur sot një seancë solemne për nder të kësaj dite. Më pas janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora lulesh në varrezat e dëshmorëve në Viti.
Gjatë seancës solemne, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Bekim Azizi, foli për sakrificën e popullit shqiptar të Kosovës për lirinë e vendit. Një fjalë rasti mbajti edhe zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, si dhe Xhevgjet Ademi nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së në Viti.
Përndryshe, aktivitetet e kësaj komune për nder të kësaj dite kanë filluar nga dita e djeshme, ku është shënuar Dita e Shkollës “Jonuz Zejnullahu” në Viti, si dhe është mbajtur ora letrare “Pranvera Poetike në Viti – Hoxha i bunkerëve”.
Po ashtu, gjatë ditës së sotme, në kuadër të agjendës së paraparë nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport – Viti, është paraparë të shënohet Dita e Shkollës “Dëshmorët e Vitisë” në Viti, promovimi i librit “Yjet e jetës” të autorit Murtez Mustafa, si dhe aktivitete sportive.
Aktivitetet për nder të kësaj dite do të vazhdojnë edhe nesër me finalen e turnirit memorial “Njazi Rexhepi” në Sllatinë të Epërme, si dhe me shënimin e Ditës së Shkollës “Safet Rexhepi” në Zhiti. Aziz Zuka




