Gjilan

Mehmet Rashiti luftëtar i paepur i çështjes kombëtare

Ndërron jetë veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Mehmet Rashiti

Në moshën 74-vjeçare ka ndërruar jetë në Gjenevë të Zvicrës veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Mehmet Rashiti, me origjinë nga Livoqi i Poshtëm. Ai ishte një figurë emblematike që i kushtoi gjithë jetën luftës për të drejtat dhe lirinë e popullit shqiptar, një angazhim që e nisi fuqishëm që prej vitit 1968.

Mehmet Rashiti ishte në vijën e parë të demonstratave historike të atij viti, duke vepruar në radhët e ilegalitetit me pseudonimet “Shkëmb Dragobia” dhe në disa raste “Ermali”. Për shkak të aktivitetit të tij të pandalur, ai u vu në shënjestër dhe u përndoq vazhdimisht nga sistemi i UDB-së, gjë që e detyroi atë të emigronte në Zvicër në vitin 1974. Megjithatë, mërgimi nuk e ndali, pasi pikërisht nga atje ai organizoi demonstratat e vitit 1981 në diasporë, në mbështetje të plotë të demonstratave studentore në Kosovë.

Gjatë viteve të ’90-ta, kontributi i tij ishte i përmasave të jashtëzakonshme, duke dhënë ndihma të panumërta dhe duke u angazhuar fuqishëm në nismat thelbësore të kohës si “Fondi i 3%”, “Vendlindja Thërret” dhe “Kushtrimi i Kosovës”. Jeta e tij politike dhe patriotike ishte shumë e pasur dhe e lidhur ngushtë me rrugën drejt çlirimit; ai ishte anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), anëtar i celulës së degës së OMLK-së në Zvicër, anëtar i Komitetit Drejtues të LPRK-së për Zvicrën, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LPRK-së, si dhe anëtar i redaksisë së gazetës “Zëri i Kosovës”.

Atdhedashurinë dhe idealin e tij, Mehmet Rashiti e kishte përmbledhur në një moto që e udhëhoqi gjatë gjithë jetës: “Duane flamurin, duane atdheun, se i shtrenjtë është, sepse është larë me gjak. E tradhtia është më e keqe se vdekja.” Varrimi i të ndjerit do të bëhet më datë 22 shtator, në kohën e faljes së Ikindisë, në varrezat e fshatit Livoq i Ulët. Lavdi jetës dhe veprës së atdhetarit.

You Might Also Like