Gjilan

Sylejmani i VV-së kërkon që Gjilani të ketë shesh vetëm për këmbësorë

Anëtari i  Kuvendit Komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fehmi Sylejmani,  në seancën e fundit të Kuvendit Komunal ka kërkuar publikisht nga organet më të larta komunale që të shikojnë mundësitë në të gjitha aspektet, që  në një periudhë jo të largët të ndërtohet një shesh, me standarde madje minimale evropiane, gjë që qytetarët e Gjilanit kanë nevojë për një hapësirë të tillë.

“ Tashmë jemi të vonuar për një shesh të tillë,  është dashur të ndodh kaherë,  ka mundësi që ky shesh të ndërtohet, por vetëm duhet vullnet dhe seriozitet I lartë në këtë drejtim. Të gjitha pengesat tjera të mundshme mund të eliminohen dhe riparohen”, ka thënë Sylejmani, duke sqaruar se kërkesa e tij ka të bëjë për një shesh, ku nuk mund të lëvizin dhe qarkullojnë automjetet, por  duhet të  jetë i dedikuar  vetëm për këmbësorë.

Sipas tij, Gjilani, si një qendër e rajonit të Anamoravës dhe më gjerë, i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret që të ketë një shesh modern dhe në shërbim të qytetarëve të këtij rajoni.

Përderisa lejohen  ndërtime të larta , pikërisht në qendër të qytetit është vështirë të besohet se ky pushtet një ditë do të bëj një shesh të shumëpritur nga gjilanasit, e që besojmë fuqishëm se me ndërtimin e Sheshit, do të   gëzoheshin të gjithë banorët e kësaj komune.

Sylejmani ka potencuar se këtë kërkesë do ta përsëritë shpesh herë dhe do t’i respektojë të gjitha rrugët ligjore për të adresuar dhe sensibilizuar  këtë çështje.

You Might Also Like