Libri

MERR FORMË NJË ZOG I TRISHTË

Preng MACA
MERR FORMË NJË ZOG I TRISHTË
( nga opusi poetik i autorit )
VIZATIME … PA DASHJE
as unë vetë nuk e di si ndodh kështu,
i pashpjegueshëm
është akti ,se si mbi një letër shpejt e shpejt,
si e nxjerrë prej vezës së ngrohur, nuk e di prej sa kohësh
majë lapsit me karbon të butë
merr formë një zog i trishtë,
i hajthshëm, i vogël.
pastaj tek e sodis natyrën shterpë trishtohem,
ka aq pak pemë gjithandej,
të “fshihet” në një çerdhe është thuajse e pamundur,
foletë e dikurshme janë trembur e nga zhurmat e mëdha janë shkundur
(ku do të jetojë ky zog i shkretë?)
është puplor e krahët nuk i shkund dot për zhvendosje,
ndërsa përkundrejt tij sa shumë qenie
presin të jetë preja e tyre e ardhshme,
duke ju gëzuar asaj që unë padashje e vizatova,
thuajse krejt pa dashje!
trishtimi më mbulon e më pas i pendohem
asaj lirisë
krijimit absurd
të këtij zogu, që ngjan me ëndrrën time,
shpikur brenda vetes intime,
për të prekur aq gjëra, që së fundmi u gëzoj vetëm dëshirën.
befas pendohem,
mendoj se ndoshta do të më duhet ta fshij,
për ta shpëtuar nga një e ardhme
me rrisqe të mëdha e nga kjo botë gojë -hata.
por sa e kthej kokën sërish në fletë
krijesa ime… ka dalë nga letra e bardhë,
për shkak se,… sapo i dolën fletët
dhe unë tashmë e kam mendjen tek vendet ku fluturon,
rreziqet e mëdha të kësaj bote të madhe,
që i ha gjërat, pasi i lind krejt rastësisht
e thuajse,… krejt pa shpjegim
dhe pa i bërë të ditura arsyet e shkaqet!
MAGJI
një letër e bardhë
dhe një penë mbi tavoline,
si memece ngjajnë.
një lule në vazo,
sa pak shpirt ka ajo
thuajse është pa frymë!
kjo ditë
është gri
dielli rri larg , si një plagë,
si njè mungesë.
vjen Ti…
fleta e bardhë gëzohet me një poezi,
lulja merr frymë me prekjen tënde,
ndërsa dita
e merr diellin,
nga sytë tuaj të qeshur
dhe unë jam një gjeth
në pemën e çuditshme të jetës.
ODE KRIJESËS
eja e të të lind si vetja
me të drejtën që bota të dëgjojë,
sepse fëmija gjithnjë është i shenjtë!
do të mësosh të flasësh,
se fjala nis nga bëlbëzimet
pastaj…do të ecësh
do të vraposh,
duke u krenuar mes vështrimeve.
eja e të të lind si vetja
të gjithë do të të njohin ,
se prej meje je e lindur!…
kur të rritesh
shihu në pasqyrën e ëndrrave!
nëse je më e bukur se unë
ta dish,
je fytyra e shpirtit tim,
nëse nuk të pëlqen vetja,
thyeji pasqyrat.
E, mos kërko të më gjesh,
kur të të djegë malli për mua.
PESHË MËKATI
jemi prej fjalësh dhe rrahje zemrash
fjalë të vërteta
hapësira ku merr frymë jeta.
fjalët na ndihmojnë me e gjet shenjën
e dashurisë drejt kopshtit të Eden – it
kur e kafshojmë mollën
mëkatin e mbajmë mbi shpinë,
siç mbajnë zogjtë mbi shpinë… qiellin!
UDHËTIM
ka kohë në rrugë nuk di të ndalem
eci në pluhur, shi edhe diell
këpucët më janë grisur, xhaketa e coptuar
këmisha e arnuar
pak gjëra mund të vihen re të reja,të hijshme
pak gjëra mund të çmoni kur të më shihni…
gjithë gjërat vërtet u grisën,
por e kam shpëtuar…shpirtin.
LETRA PËR DASHURINË
je krejt prej mishi tundues e prej poezie
trokitja në derë,prej nga hyhet në zemër
e njoh muzikën e gishtit tend
je një pushtuese
më heq prangat e ndrojtjes
më merr përdore
me festue lirinë pa kufi
je shkaku i një kange
që kurrë nuk mërzitem me e dëgjue
më huton përditë ajo kangë
me ato tinguj magjikë
më ban me kuptue ma qartë
çfarë ndodh përjetësisht
më jetën njerëzore.
jam pena në dorën tënde
ndërsa dashuria është fleta e bardhë
ku dallohet qartë diagrama e një zemre
shkaku i vërtetë i krijimit të stuhisë,
të një gjendjeje
prej së cilës jeta merr vlerë
dhe kuptim.

You Might Also Like