Sot bëhen plot 24 vjet që kur qyteti i Gjilanit u godit nga një tërmet i fuqishëm që la pas dëme të mëdha materiale, mijëra të pastrehë dhe një viktimë. E mërkura e 24 prillit të vitit 2002 mbetet e gdhendur në kujtesën e qytetarëve, por veçanërisht për familjen e Isuf S. Biqkajt, i cili humbi jetën tragjikisht gjatë lëkundjeve sizmike.
Ishte saktësisht ora 12:51:50 kur qyteti u lëkund nga një tërmet me magnitudë 5.1 ballë. Goditja e fortë shkaktoi panik të menjëhershëm, duke sjellë dëme të mëdha materiale, rrënim të shtëpive dhe plagosjen e shumë qytetarëve. Sipas të dhënave të kohës, mbi 7,000 qytetarë u detyruan të kërkojnë ndihmë dhe të strehohen nën qiellin e hapur apo nëpër tenda, pasi kishin mbetur pa një kulm mbi kokë.
Fytyra tragjike e kësaj fatkeqësie natyrore ishte Isuf S. Biqkaj, një frizer (parukier) 46-vjeçar, i njohur dhe i respektuar në qytet. Në momentin e tërmetit, ai po punonte në lokalin e tij në qendër të Gjilanit. Pasi ndjeu lëkundjet e forta, ai arriti të dalë nga lokali për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të tjerë, por fati u tregua mizor. Shembja e një pjese të ndërtesës ku ai punonte e goditi, duke e lënë të vdekur në vend.

Sot, pas më shumë se dy dekadash, djali i tij, Gyner Muja, e kujton me dhimbje dhe krenari babanë e tij. Ai e përshkruan atë ditë si një moment shkatërrues që ua ndërpreu ëndrrat familjare në mes.
“Ishte një lajm i rëndë për familjen tonë. Fatkeqësia natyrore na mori babain në kohën kur kishim më së shumti nevojë për të. Sot, pas 24 vitesh, ndihem krenar për jetën, veprën dhe punën e babait tim. Ai nuk ishte vetëm i familjes, por ishte njeri i qytetarëve të Gjilanit, të cilët i respektoi dhe e respektuan pafundësisht. Zoti ka dashur kështu dhe duhet të pranojmë atë që na ofron Ai, por ne jetojmë çdo sekondë me frymën e babait,” – shprehet Gyner Muja në këtë përvjetor.
Kosova ndodhet në një zonë me aktivitet të njohur sizmik. Sipas të dhënave historike, tërmeti më i fuqishëm që ka goditur ndonjëherë Kosovën mbetet ai i vitit 1921 në rajonin Ferizaj-Viti-Gjilan, me një magnitudë prej 6.1 ballë të shkallës Rihter dhe një intensitet prej 9 ballësh të shkallës Mercalli.
Në këtë përvjetor, mesazhi kryesor që përcillet është ai i sigurisë. Ekspertët dhe qytetarët bëjnë apel për vigjilencë të shtuar në sektorin e ndërtimit. Kërkohet që ndërtuesit e shtëpive private dhe afaristët e banesave kolektive të kenë parasysh rrezikun dhe të respektojnë rreptësisht standardet e ndërtimit, për të shmangur tragjedi të tilla në të ardhmen.





