Libri

LAGJJA IME, MESI I BOTËS

Muhamet HALILI
Lagjja ime është botë në vete. Të jep ndjesinë e çuditshme se këtu pikëpreken ekstremet.
Rruga kryesore është e gjatë e lakadredhe. E asfaltuar, por para çdo shtëpie e arnuar. Ka pastaj degëzime rrugicash, majtas e djathtas, shumica të pashtruara, që çojnë nëpër shtëpi, kryesisht të së njëjtës familje.
Disa prej shtëpive kanë dyer të mëdha dhe se në hyrje shumica kanë të lidhur rrushin.
Shtëpia ime ka pozitën e një kulle vrojtimi karshi lagjes. Fytyra e saj kah rruga ta krijon ndjesinë e një objekti të vjetër, me vlerë historike.
Ballkoni me parmak druri, në katin sipër, ta le përshtypjen se burra të rëndë kanë qëndrua në të dhe kanë mbajtur fjalimet të zjarrta para masës.
Lulet e vogla blu, mbuluar me gjethe të imta, me nuanca të ndryshme të së gjelbrës, lidhen dhe mbulojnë murin drejt dritares së dhomës së katit përdhese duke e bërë një mural të punuar nga një dorë artisti, frymëzuar nga natyra!…
Kjo tablo e përshkruar do të ishte diçka e përkryer sikur mos të ishte poshtë murit, një kosh i plehrave, në të shumtën e rasteve i mbushur, ndonjë qen endacak, që rri shtrirë tërë ditën aty, e pak më tutje edhe një pusetë kanalizimi nga e cila vije kundërmimi mut e shurrë.
Të shumtën e kohës nuk kemi ujë. Rruga e pistë me pluhur, në pjesën më të madhe të ditës gumëzhinë nga fëmijët që lozin lojëra të ndryshme.
Në një shtyllë të drunjtë elektrike është e vendosur një tabelë koshi. Tutje, një hapësirë e vogël publike është rrethuar me tel nga fqinji që ka shtëpinë afër. Për çdo vit e mbjellë bahçe.
Në mes rrugës kryesore, mu para kthesës së një rrugice, është shitorja e lagjes. Kam ndaluar të numëroj më, se cili tregtar i radhës e ka hapur tani. Në këtë lagje, pa borxhe nuk mund të bësh tregti, ndërkohë që janë pikërisht borxhet që ta mbyllin lokalin. Paradoks, apo jo?!
Shtëpia përballë shitores nuk ka garazhe, por pronari ka një veturë të shtrenjtë. Për rrjedhojë e parkon non-stop para dere. Njëra ndër shtëpitë më të vjetra, e që shihet edhe nga kulmi që gati i ka ra, ka të veçantën e saj, murin e jashtëm prej graniti, e një tjetër, me tulla të kuqe, dallohet për flamurin që nuk e heq asnjëherë nga kulmi!
Edhe shtëpitë tjera të lagjes kanë të veçantat e tyre, por ajo që e bënë lagjen tonë, pjesë e një harte të rëndësishme, sikurse ato që pretendohen të tregojnë fshehje thesari, janë njerëzit!
Gjallërinë që ia japin lagjes, fëmijët, nuk mund ta hasesh askund tjetër. Tërë ditën lagjja pushtohet nga lojërat e ndryshme që i luajnë ata.
Spikatë loja “kush e gjuan shurrën më larg?!”.
Pothuajse janë të njëjtit vogëlushë që luajnë përherë. Në pikë të ditës, rendohen në një pjesë të rrugës, pak më larg syve të të tjerëve, i nxjerrin “lucat” dhe nis gara. Zakonisht fiton fëmija i një haxhiu, mbështetur në “hilen” e mësuar nga babai, për të pirë sa më shumë ujë, para çdo gare.
Lajme të shumta janë bërë për shqiptarin e parë që ka hyrë në Parlamentin e Zvicrës. Besoni apo jo, vije nga kjo lagje! Migroi me familje kur ishte 13 vjeç. Edhe ajo shqiptarja e parë që punon në fejzbuk, familjen e gjerë akoma këtu e ka, e edhe ai që shkoi në Siri e i humbi fara, këtu u le.
Madje, këtu kemi edhe atë plakën që bënë sehire që e përgojojnë edhe gratë nëpër ndeja, por edhe ajo vajza që me gjoksin e saj, bënë namin në TikTok, e edhe para!
Kur jemi te politika, për çdo mbrëmje, te shitorja e lagjes, mbahet seanca e kuvendit. Shoshiten mirë e mirë, prej politikave lokale deri te ato globale. Po ti dëgjosh debatet e atyre që mblidhen këtu, shumica të papunë, mund të thuash: “Këta po t’i terkan pendlat, po ta ftohkan me ujë të ngrohtë”… por se krejt çfarë natyrshëm mund të dali nga goja jote, janë fjalët: “Kjo botë ka shkue për lesh!”.
Të gjithë e njihni analistin me sharmë që pothuajse përnatë del në TV tona. Po, po, i kësaj lagje është! Edhe mua më bënë përshtypje “guximi” i tij. Shitet si njohës i rryer i politikës, a deri dje ka mendua që “Klitorisi” është kryeministër grek!
Kjo që po ua rrëfej mund t’iu duket krejt zi dhe unë pesimist, por jo, është reale dhe vetëm një përqindje e vogël e asaj se çfarë e bënë këtë lagje, mesin e botës!
Sonte, ka për të luajtur kombëtarja e Kosovës dhe në rrugë veçse kanë fillua të grumbullohen fqinjët. Disa me flamuj kombëtarë, asnjëri me atë të Kosovës!
Si zakonisht, njëri nga fqinjët e nxjerrë në ballkon televizorin “Grundig”, e ne, me tifozllëkun tonë krijojmë atmosferë vërtetë impozante.
Me lutjen të mos ndalet rryma, dola edhe unë t’iu bashkohem…
Ah, mos të harroj! Nëse më merrni vërtetë për një pesimist të papërmisueshëm, me të drejt mund të më pyesni, pse atëherë jetojë akoma në këtë lagje?!
Epo, është një arsye e madhe!
Në këtë lagje jeton edhe një rreze dielli!
Kjo rreze dielli, që natën shndërrohet në ndriçim hëne, mbanë emrin e këtij trupi të zjarrtë qiellor.
Hana punon në një barnatore. Ka një biçikletë ngjyrë portokalli. Ajo shkon edhe në fitness!…
Nejse, për të do t’ju rrëfejë njëherë tjetër.
Ua jap fjalën!

You Might Also Like