Te ndryshme

Në trevjetorin e shkuarjes në amshim të Bekim Gudës

Një dedikim i veçantë i prof. dr. Bahtijar Kryeziu për nipin e tij Bekim Guda, në trevjetorin e shkuarjes në amshim, të cilin gazeta online kryelajmi.com po e boton të plotë:

NË TREVJETORIN E NDARJES SË DHIMBSHME, POR KURRË TË HARRUAR TË NIPIT TONË BEKIM GUDA
Po e kujtojmë sot me lot në sy, dënesje e gulçimë që na e zënë frymën, në trevjetorin e ndarjes së nipit, Bekimit tonë të dashur, të vyeshëm e gojëmbël.
Po e kujtojmë me mall, dhimbje e mallëngjim, Bekin, i cili nuk i priti t’i gëzojë e festojë as të 52-tat e tij.
Po e kujtojmë sot, bash këtë ditë, kur ai, për atë ditë që iku, kishte një gëzim tjetër, që pikërisht 3 vjet më parë, t’i uronte e festonte bijës së tij të dytë, Emës – ditë-lindjen e saj të 17-të, e që sot gëzon ditëlindjen e 20-të.
Nuk e dimë, nëse tre vjet më parë, babai i tij, Haqifi, i ndjerë, e ftoi Bekimin për ta parë – nga malli që e kishte marrë për TË, apo Bekimi, nga malli që pati për babanë – iku tek Ai. Këtë Zoti e di, por ne e dimë se edhe pas tre vjet mërzie, trishtimi e malli të pashuar, në këto çaste dhimbjeje e pikëllimi, ka mbetur i zbrazët edhe një vend në sofrën tonë të bukës, jemi edhe për një nip të dashur më pak, siç ishte Bekimi.
Qe tri vjet, kemi mbetur ne, pa një përqafim të ngrohtë të Bekimit tonë të dashur.
Qe tri vjet nuk kemi parë një buzëqeshje e ledhatim të Zanës, Emës e Blendit, të cilët aq shumë i deshi e të cilët aq tepër e deshën Bekin.
Qe tre vjet, dhe unë, si dajë me familje, nuk kemi një shaka, petake që ta dëgjojmë nga goja e Bekimit. Të na tregojë një barsoletë, që i thurte aq mirë ai.
Sigurisht se ne, as sot, nuk e kemi të lehtë të pajtohemi me humbjen e nipit tonë të rrallë e familja të dashurin e tyre. Të këtij urtaku, i cili sakrifikoi shumë për ta e për ne, në kohët edhe më të vështira, duke derdhur djersë e mund për kujdesin bashkëshortor, rriten e vajzave e të djalit të tij të vetëm, Blendit 16-vjeçar, që tanimë është berë thuajse burrë, për edukimin dhe arsimimin e tyre që sapo kanë hapëruar drejt shkollimit, dijes e ardhmërisë së tyre. E kjo, për aq sa na sjellë dhimbje, për aq na bën edhe krenarë e falënderues ndaj tij, po për aq na e shton edhe mallin më fort: përse nuk e pati fatin e mirë t’i shohë në ditë më të mira, në ditë më të bardha e në mote më të lumtura – fëmijët e tij: Blendin, Emen e Zanën – tani edhe titullare?!
Përse, fëmijët e tij që po rriten si shelgu pranë Moravës, nuk patën fatin e mirë që babait të tyre t’ia kthejmë bile një gjysmë borxhi për gjithë atë që bëri ai për ta deri në çastin e fundit të frymës që pati – dhe, sikur në këtë trevjetor të ndarjes së tij, Zana, Ema e Blendi, po pyesin: o babi Bekim, o shpirti ynë, pse na ike aq herët e që fjalën babë do ta shqiptojmë vetëm në ëndërr, sepse ty nuk të kemi më?!
Beki, për fjalën e ëmbël, për qëndrimin e ngrohtë që pate gjatë tërë jetës, për mundin e djersën që derdhe, për kujdesin që pate ndaj bashkëshortes, Lindes, fëmijëve: Zanës, Emës e Blendit, ndaj nënë Hamides, vëllezërve: Besimit e Fitimit dhe motrës Sanije – si bashkëshort, baba, djalë e vëlla i dashur, por edhe si kryefamiljar bujar dhe mikpritës i rrallë edhe për të afërmit që kishe: dajat, kushërinjtë, shokët e dashamirët e shumtë, do të mbetesh përherë në zemrat tona.
Lavdi për të gjitha ato mirësi që pate Beki!
Shpirti Yt, Beki, u prehtë në përjetësi, me fjalë e besë se, jo në këtë trevjetor, por nuk do të harrojmë për jetë e mot!
Lamtumirë nipi ynë i dashur Bekim!
Me shumë dashuri e përmallim,
Daja Bahtijari me familje
Gjilan, 5 dhjetor 2023

You Might Also Like