Gjilan

Arkivi Ndërkomunal i Gjilanit, shembull i diciplinës dhe profesionalizmit nën drejtimin e Nazmi Mujaj

Arkivi Ndërkomunal i Gjilanit vazhdon të dëshmohet si një model i punës profesionale dhe diciplinës institucionale. Nën drejtimin e Nazmi Mujajt dhe stafit të tij të përkushtuar, ky institucion ka arritur rezultate kulminante në ruajtjen e kujtesës historike dhe shërbimin ndaj qytetarëve, pavarësisht sfidave me të cilat është përballur ndër vite.

Përpjekjet për themelimin e një arkivi rajonal në Gjilan datojnë që nga viti 1971, ndonëse pëlqimi u arrit vetëm disa vite më vonë. Në vitin 1977, Kuvendi i Komunës së Gjilanit mori vendimin historik për ta legalizuar atë si Arkiv Historik. Pas periudhës së luftës, institucioni shënoi një kthesë të rëndësishme kur u emërua drejtori i parë shqiptar, Mr. Aliriza Selmani. Pas pensionimit të tij në vitin 2009, në krye të Arkivit u emërua Nazmi Mujaj, i cili i dha një dinamikë të re punës.

Vetëm një vit më vonë, në 2010-ën, Arkivi i Gjilanit e shtriu aktivitetin dhe mbikëqyrjen e tij profesionale edhe në arkivat komunale të Vitisë, Dardanës (Kamenicës), Kllokotit, Ranillugut dhe Parteshit.

Veprimtaria themelore e Arkivit mbetet mbrojtja, pranimi, rregullimi, përpunimi, ruajtja, prezantimi dhe publikimi i lëndës arkivore.

“Arkivi është i tipit të përgjithshëm. Lënda e cila ruhet këtu përfshin dokumente nga e kaluara historike, ekonomike, sociale, politike, arsimore e kulturore të popullsisë që jeton në Gjilan, në rrethinë dhe në Anamoravë,” thekson drejtori Nazmi Mujaj.

Përtej kufijve lokalë, ky institucion vepron në kuadër të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe ka krijuar ura të forta bashkëpunimi. Siç shton Mujaj, arkivi zhvillon aktivitete të ngushta me të gjitha arkivat vendore, institucionet e rajonit, si dhe me Arkivin e Shtetit në Shqipëri dhe arkiva të tjera rajonale.

Puna e shkëlqyer e këtij institucioni është arritur shpesh në kushte jo të favorshme infrastrukturore. Që nga viti 2009, Arkivi është i vendosur në lokalet e përshtatura të Konviktit të shkollave të mesme. Megjithatë, kjo nuk e ka zbehur vullnetin e stafit.

“Dëshira për punë profesionale dhe për të qenë në shërbim të detyrës bëri që kushtet të mos na pengojnë asnjëherë; përkundrazi, ishte një shtytje që të japim më të mirën tonë,” shprehet Mujaj.

Zgjidhja afatgjatë është tashmë në horizont. Me miratimin e planit urbanistik të qytetit, është përcaktuar lokacioni për ndërtimin e objektit të ri në lagjen “Fidanishtja”, pranë kompleksit të organeve të rendit dhe drejtësisë. Projekti për ndërtesën e re, e cila do të plotësojë të gjitha standardet bashkëkohore të arkivistikës, tashmë është i përgatitur.

Cilësia e punës në Arkivin e Gjilanit është vlerësuar vazhdimisht. Kuvendi Komunal i Gjilanit e ka nderuar këtë institucion me mirënjohje në vitet 2003, 2007, 2011 dhe 2012. Çmimi më i lartë erdhi në vitet 2012 dhe 2018, kur Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës e shpalli atë si “Arkivin më të suksesshëm në Kosovë”.

Drejtori Mujaj, i vlerësuar si një nga drejtuesit më të suksesshëm të institucioneve në Gjilan, thekson se i gjithë ky sukses i dedikohet punës ekipore dhe qëllimit për të ofruar shërbime të shpejta e cilësore për këdo.

“Shfrytëzimi i lëndës arkivore është e drejtë demokratike e çdo qytetari. Shfrytëzuesit tanë më të mëdhenj janë qytetarët për hallet e tyre, hulumtuesit shkencorë, gazetarët, institucionet e pushtetit lokal dhe studentët,” përfundon ai.

Sot, Gjilani ka një arsye të veçantë të mburret me Arkivin e tij. Stafi i këtij institucioni jep një kontribut të jashtëzakonshëm për çdo vizitor e studiues, ndërsa drejtori Nazmi Mujaj mbetet një shembull profesionalizmi që vështirë se mund të zëvendësohet.

You Might Also Like