Gjilan

“Flaka e Janarit” ka vazhduar me akademinë kushtuar heronjve   

Gjilan, 17 janar 2023/ “Flaka e Janarit 2023”, manifestim shumë kulturor që tash e 32  vite tradicionalisht mbahet në Gjilan, këtë të martë ka vazhduar me Akademinë e Flakës, e cila u dedikohet heronjve të rënë në janarin e acartë, por edhe në janarin e lirisë.
Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit, në hapje të Akademisë së “Flakës së Janarit 2023”, ka theksuar se Janari është muaji kur Gjilani i drejtohet kombit tonë, është kryeqendër kulturore e shqiptarëve, muaji i janarit është muaj i acartë e i ngrohtë, ky muaj në Gjilan mbledh mijëra artdashës nga të gjitha trevat shqiptare.
Gjilani – qytet i kulturës e i artit, po e vazhdon traditën që me vlera artistike të nderojë dëshmorët e kombit, vlera më e madhe që e kemi si shoqëri.
Këtë vit sërish po shënojmë përvjetorët e rënies së Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, përvjetorët e rënies së Rexhep Malës e Nuhi Berishës, ka thënë kryetari i Gjilanit Alban Hyseni, i cili ka kërkuar që vlerat e tyre të larta të barten tek brezat e ardhshëm, ngase koha e rrezikshme për të kontribuar për vendin tashmë ka kaluar, andaj çdo gjeneratë e re që vjen duhet të ndjek shembullin e dëshmorëve në përkushtimin e tyre për kulturë, dituri e edukatë, ndërsa sakrifica e tyre për vendin duhet të jetë shembull i angazhimit tonë dhe e punës sonë për të ecur drejt të ardhmes.
“Në kohë lirie kërkohet vetëm punë e përkushtim, ndërsa në kohë lufte kërkesa mund të jetë shumë më e shtrenjtë e kjo mund të jetë edhe jeta e njeriut”, ka thënë Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit, i cili ka shtuar se dokumentari kushtuar dëshmorit Xhevat Qerimi është forma më e mirë për të dëshmuar se si ruhet kujtimi për dëshmorët deri në përjetësi dhe që sigurojnë se e kaluara mbetet në kujtesën tonë, ndërsa është garanci që pushtimet e okupatorët as nuk përsëriten e as nuk kthehen.
“Ne nuk mund të jemi dëshmorë të luftës, ngase këtë obligim e kanë kryer para nesh të tjerët, por ne mund të bëhemi heronj të paqes, të zhvillimit e të mirëqenies”, ka thënë Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.
Hydajet Hyeseni, njëri nga nismëtarët e Flakës së Janarit, në këtë akademi ka thënë se nismëtarët e “Flakës së Janarit” janë pikërisht ata që po i përkujtojmë dhe se “Flaka…”, ka kuptim të plotë duke kujtuar ngjarjet historike në vazhdimësi, që nga acari i ftohtë i janarit pas Luftës së Dytë Botërore, demonstratat e vitit 1968 e 1981, të cilat tundën dhe nisën rrënimin e ish-Jugosllavisë e deri te lufta çlirimtare e fitimtare.
“Vëllezërit Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, po i bashkonin këto dy gjenerata, po internacionalizonin çështjen e pazgjidhur shqiptare, andaj porosia e bashkimit të tyre duhet të na shërbejë edhe sot dhe se përvjetorët e tyre duhet të na gjejnë edhe më të bashkuar”, ka thënë Hydajet Hyseni, veprimtar i çështjes kombëtare.
Në këtë akademi, Kori i Universitetit “Kadri Zeka” ka interpretuar këngë korale, të kompozuara nga dr. Drita Kryeziu, njëherësh edhe dirigjente, kurse më pas është dhënë një kronologji e “Flakës së Janarit” që nga themelimi i saj edhe atë nga këndvështrimi i revistës letrare “Agmia”, nga ku janë përzgjedh pjesë nga secili i vit i “Flakës..” e që janë interpretuar nga moderatorja Alisë Bekteshi.
Është dhënë edhe një dokumentar kushtuar heroit Xhevat Qerimi, ku është përmbledhur tërë veprimtaria e heroit, kontributi i të cilit në arritjen e lirisë është i pamohueshëm.

You Might Also Like