Gjilan

Gjilani liron nga pagesa e qirasë qytetarët që jetojnë në banesa komunale

Gjilan, 14 prill 2020 –  Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka njoftuar se nga 13 marsi, për gjashtë muajtë e ardhëm, ka liruar nga pagesa e qirasë familjet që banojnë në banesa komunale.

“Komuna e Gjilanit, liron të gjitha pronarët që shfrytëzojnë hapësirat publike, terasat dhe vendet të tjera, për vitin 2020. Lirohen nga qiraja për 6 muaj, në mënyrë efektive nga 13 marsi, të gjitha familjet që banojnë në objekte dhe banesa komunale. Natyrisht, në kuadër të kësaj po vazhdojmë sigurimin e pakove ushqimore dhe higjienike për të gjitha familjet që janë në nevojë”, ka deklaruar Haziri, në konferencën për gazetarët.

Ndërkohë, si shqetësim, Haziri e ka paraqitur ndezjen e fundit të zjarreve në pyje, duke kërkuar nga Prokuroria e Shtetit, të vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rasteve.

“Ne kemi dyshime të bazuara, që zjarrvënia është e subkoordinuar në mes të njerëzve që kanë keqpërdorur dhe vazhdojnë të abuzojnë me pronën publike sikur që është dëmtimi i pyjeve, maleve, kullosave dhe vendet që janë pasuri e jona publike. Tolerancë zero me abuzuesit për të cilët ne kemi dyshime të bazuara që kanë abuzuar me pasurinë publike. Drejtoria e Bujqësisë e cila menaxhon me rojet e pyjeve, ngarkohet me zbatimin strikt të detyrës për parandalimin e prerjeve ilegale, ndezjen e zjarreve dhe abuzimin me pronën publike”, ka thënë kryetari për këtë fushë.

Edhe në fushën e bujqësisë, kreu i Gjilanit, në adresimin para mediave, ka thënë se në bashkëpunim me rojet e pyjeve dhe Agjensionin e Pyjeve të Kosovës, do të krijohen mundësinë e subvencionimit të farës së misrit për mbjelljet pranverore për të gjitha familjet bujqësore.

“Mbjellja e farës do të organizohet nga Drejtoria e Bujqësisë, në një afat optimal për mbjellje dhe me leje të veçanta bujqit, do të lejohen ta punojnë tokën e tyre për mbjellje, por jo më shumë se dy vetë mund të qëndrojnë në tokën bujqësore. Kalendari, orari dhe shpërndarja do të përcaktohen nga resori përkatës, me të cilin do të jenë të njoftuar edhe policia e shtetit”, nënvizoi ai.

Ai ka njoftuar se duhet të respektohet në përpikmëri vendimi, ku Drejtoria e Shërbimeve Publike, së bashku me ndërmarrjet komunale, ta pastrojnë pronën publike, rrugët, trotuaret, të mbjellin drunjtë, të largoj panotë, reklamat dhe objektet e panevojshme në kohën e pandemisë, nga hapësirat publike.

“Nga java e kaluar, çdo aktivitet komercial është ndaluar dhe kërkojmë që përpos pastërtisë, dezinfektimit dhe mirëmbajtjes së hapësirave të gjelbërta, të vazhdoj largimi i deponimeve të vogla dhe të egra, si dhe kujdestarinë strikte në deponinë regjionale të mbeturinave. Kjo ka qëllim që asnjë lloj i burimit të infeksionit të mos lejohet”, ka potencuar i pari i kësaj Komune.

Ndërkaq, Haziri ka thënë se prodhuesit vendor, janë të obliguar që së bashku me Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik dhe në përpudhje me listën e vendimeve të Qeverisë së Kosovës, të paraqesin kërkesën e tyre përmes Administratës Tatimore të Kosovës, në mënyrë që ta koordinojnë orarin e tyre të punës në prodhim.

“Ata nuk do të preken, do të kenë të drejtën të punojnë e prodhojnë, por lejet e punëtorëve të tyre duhet të rregullohen me vendime të veçanta që Komuna e Gjilanit i menaxhon, i mirëmban dhe i njofton autoritetet qendrore të Republikës së Kosovës, lidhur me këto aktivitete”, ka potencuar ai mes tjerash.

You Might Also Like