Gjilan

Mesazhi i kryetarit Hyseni nga fushata “Festo me zemër, jo me armë’: Koha e armëve dhe e plumbave ka përfunduar  

Gjilan, 11 nëntor / Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka kërkuar nga qytetarët e kësaj komune që të shmangim përdorimin e armëve në dasma e ahengje të ndryshme, si mesazh në kuadër të fushatës së Ministrisë së Brendshme ‘Festo me zemër, jo me armë’, nga takimi i sotëm i Këshillit Komunal për Sigurti në Bashkësi, i cili u mbajt në Zhegër, e ku morën pjesë edhe nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku, zëvendësministri i Brendshëm, Blerim Gashani, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Niels Knudsen dhe të tjerë.

Vetë prezenca e qytetarëve, prindërve, nxënësve, po ashtu edhe zyrtarëve komunalë, anëtarëve të KKSB, në këtë takim tregon se qytetarët e Gjilanit janë paqësor dhe nuk duan të kenë as dëme materiale dhe lëre më të tjera nga plumbat qorr që vijnë nga të shtënat festive, ka thënë kryetari Hyseni.

Për më tepër, kryetari Hyseni tha se të gjithë jemi në dijeni se të shtënat e tilla janë të ndaluara me ligj dhe se gjithmonë duhet menduar mirë se një plumb i gjuajtur gjatë festimeve mund të kthehet në tokë me forcë të mjaftueshme për të dëmtuar trupin e një njeriu tjetër dhe të shkaktojë lëndime të rënda apo edhe vdekje.

Ai ka premtuar mbështetje të plotët të kësaj fushate nga Komuna e Gjilanit.

Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim dhe bashkërendim të ngushtë me forumet e sigurisë në bashkësi, policinë dhe akterë të tjerë, në baza ditore kontribuon në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve në parandalimin e dukurive negative, siç janë dhuna në shkolla, dhuna në familje dhe ajo në baza gjinore, parandalimi i aksidenteve në trafikun rrugor, trafikimi me qenie njerëzore, abuzimi me substanca narkotike si dhe problematika të tjera që i kontribuojnë sigurisë së përgjithshme të qytetarëve tanë.

‘Unë ju siguroj që së bashku me të gjitha dikasteret komunale, përfshirë këtu edhe KKSB-në, do të mbështesim në vazhdimësi këtë fushatë dhe do të mundohemi që të shpërndajmë mesazhe vetëdijesuese, me qëllim që të parandalojmë gjuajtjet festive dhe bashkërisht të kontribuojmë në ngritjen e sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit tonë’, ka thënë kryetari Hyseni.

Në përmbyllje të adresimit të tij, kryetari Hyseni i rikujtoi banorët e zonës me simbolikën e mbajtjes së këtij takimi në shkollën që mban emrin e heroit Agim Ramadani, i cili ka dhënë jetën me qëllim që vendi ynë të jetë i lirë, ndërsa ne po diskutojmë këtu për temën e përdorimit të armëve pas përfundimit të luftës, ku arma nuk përdoret për qëllimin e lirisë dhe pavarësisë, por përdoret për qëllime festive.

‘Kjo është një prej treguesve se koha e armëve dhe e plumbave ka përfunduar’, ka thënë kryetari Hyseni, ndërkohë që i ka ftuar të gjithë që bashkërisht të kontribuojmë në sigurinë e përgjithshme të vendit tonë, duke festuar me zemër dhe jo me armë.

Mesazhet e tyre i kanë dhënë edhe zëvendësministri Gashani si dhe përfaqësuesi i UNDP-së, Knudsen.

Detaje për fushatën ka dhënë Mentor Cakolli (UNDP), i cili ka thënë se rreziqet nga gjuajtjet me armë janë të mëdha pasi që dihet se çdo plumb ka një shënjestër.

Organizatori ka lansuar edhe disa video vetëdijesese si dhe janë ekspozuar pano nga rastet e raportuara, ku shihen dëme materiale edhe njerëzore nga gjuajtjet festive, përkatësisht nga plumbat qorr.

Fillimisht, KKSB është njoftuar për situatën e sigurisë në komunën e Gjilanit, nga komandanti i Policisë, Agim Lipovica, i cili ka thënë gjendja është shumë e mirë.

Ndërkaq, për dhunën në familje ka folur zyrtarja komunale për barazi gjinore, Lindita Salihu, kurse për sigurinë dhe parandalimin e dukurive negative në shkolla, psikologu klinik Besnik Sherifi.

You Might Also Like