( Leximi psikologjik dhe simbolik i romanit MAKTHI të Beqir Musliut)
Romani Makthi i Beqir Musliut, paraqet një strukturë të fragmentuar dhe polifonike, e përbërë nga pjesa hyrëse Pastorala e Hil Kodrës, dymbëdhjetë kapituj narrativë, Monologu i Hil Kodrës dhe përmbyllja me Ditarin e Engjëllit të Hil Kodrës. Kjo ndërtese kompozicionale sinjalizon që në fillim shmangien nga romani tradicional linear dhe orientimin drejt një proze introspektive, ku makthi shndërrohet në kategori themelore të përjetimit njerëzor.
Titulli i veprës paralajmëron qartë temën qendrore dhe motivin psikologjik përmes të cilit realizohet formësimi i protagonistit Hil Kodra. Ai përfaqëson individin që rritet dhe zhvillohet në një hapësirë të ngarkuar me ankth, frikë dhe pasiguri, ku makthi nuk është vetëm përjetim subjektiv, por gjendje kolektive dhe historike.
Pjesa hyrëse e romanit e zhvesh veprën nga dilemat nëse Hil Kodra mund të lexohet si alter ego e autorit apo nëse ngjarjet e rrëfyera përkojnë drejtpërdrejt me realitetin historik të qytetit të Gjilanit. Këtu, ëndrra shfaqet si koncept imagjinar i gjithësishëm, por që nuk e përjashton praninë e elementeve reale, qofshin ato figura historike apo ngjarje të njohura. Në këtë kuptim, Makthi funksionon brenda logjikës së letërsisë, e cila nuk synon të riprodhojë të vërtetën faktike të historisë, por të artikulojë të vërtetën e mundshme dhe përjetuese. Për këtë arsye, vepra nuk mund të trajtohet si roman biografik në kuptimin klasik.
Edhe pse protagonisti mund të bartë ide dhe qëndrime të autorit, konkretizimi i tyre përmes mekanizmit të ëndrrës e zhvendos theksin drejt një leximi psikanalitik të personazhit, më tepër sesa drejt një interpretimi pozitivist. Ndërsa toposi i ngjarjes lidhet me Gjilanin dhe rrethinën, makthi shtrihet përtej kufijve lokalë, duke u shfaqur si gjendje që mbulon tërë Kosovën dhe, në mënyrë metaforike, edhe hapësira të tjera botërore të përfshira nga luftërat, përndjekjet, përgjimet dhe dhuna.
Figura e Hil Kodrës realizon një mishërim simbolik me fatin kolektiv të popullit shqiptar, ku çdo individ mund ta gjejë veten në vendin e tij. Kodrisha, si hapësirë narrative e konkretizuar, shndërrohet në simbol të vendit tonë historik, të përshkuar nga peripeci të vazhdueshme, nga gjeneza e deri në të tashmen. Në këtë plan, romani evidenton veset kolektive, dobësitë morale, mburrjen e tepruar dhe pengesat që e kanë frenuar zhvillimin shoqëror dhe intelektual. Një vend të veçantë zënë besëtytnitë, të cilat herë mbartin kujtesë historike, e herë shndërrohen në forma vetëkënaqësie që pengojnë emancipimin kulturor.
Religjioni paraqitet si një ndër motivet më të ndërlikuara të romanit, duke u shtrirë nga shtresat pagane deri te gërshetimi i katolicizmit me islamin. Ky ndërthurim shfaqet si konflikt i brendshëm që e godet identitetin e individit, i cili tashmë nuk përballet vetëm me armikun territorial, por edhe me atë kulturor. Religjioni, në këtë kontekst, merr trajtën e një besëtytnie të trashëguar, ku arsyeja dhe kureshtja zëvendësohen nga besimi i verbër dhe i pakontestueshëm.
Hil Kodra artikulon konceptin niçean të “vdekjes së Zotit”, jo si akt rebelimi emocional, por si proces vetëdijesimi intelektual. Me rrëzimin e miteve tradicionale mbi hyjnoren, personazhi fiton një shikim më të kthjellët mbi botën dhe mbi vetveten. Ky akt shërben si filtër kritik për të dalluar traditat autentike shqiptare nga ato të imponuara dhunshëm përgjatë historisë.
Në këtë aspekt, Hil Kodra shfaqet si një nga figurat më origjinale të prozës shqipe, i cili nuk e ndërton ateizmin e tij mbi tragjedi personale, as mbi varfërinë kolektive, por mbi njohjen e thellë të historisë, teologjisë dhe letërsisë. Përmes narratorit heterodiegjetik, ai paraqitet si figurë intelektuale, e aftë të kundërshtojë diskurset e imponuara nga brenda dhe nga jashtë, duke u mbështetur në njohjen kritike të traditës dhe kulturave të huaja.
Gërshetimi i së kaluarës me një të tashme hipotetike, përmes figurave simbolike si kulla, toka, pushka dhe gryka, mund të krijojë fillimisht përshtypjen e një afërsie stilistike me prozën e Anton Pashkut. Megjithatë, ndryshe nga dendësia metaforike e Pashkut, proza e Musliut mbështetet më tepër në tensionin psikologjik dhe simbolik. Ndërkaq, trajtimi i luftës dhe pasojave të saj në shpirtin njerëzor sjell ndër mend edhe prozën e Hivzi Sulejmanit, veçanërisht frymën paradoksale të shprehjes “gjithçka është në rregull, vetëm se prapthi”. Megjithatë, botëformimi i personazheve dhe qasja psikologjike e dallojnë qartë Makthin nga këta autorë.
Në pjesën hyrëse dhe në përfundim të romanit, makthi ndërthuret ngushtë me ëndrrën dhe realitetin, duke krijuar një hapësirë të pasigurt ontologjike. Narratori shfaqet i tronditur nga një situatë e rënduar ekzistenciale, duke e lënë të hapur pyetjen thelbësore: a është realiteti një makth i përhershëm, apo është ëndrra ajo që është shndërruar në makth.
______________________________
( Kjo kumtesë u paraqit në tryzën letrare të Manifestimit kombëtar të kulturës, “Flaka e Janarit” 2026, që u organizua më 24 janar 2026, në Bibliotekën e qytetit “Fan S. Noli”, në Gjilan, në nderim të shkrimtarit Beqir Musliu, që u organizua në shenjë të 30 vjetorit të kalimit të Tij në amshim).




