Me rastin e 27-vjetorit të rënies së Dëshmorit të Kombit, Safet Rexhepi, sot në komunën e Viti janë mbajtur aktivitete përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së tij heroike.
Fillimisht, përfaqësues institucionalë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, subjekte politike dhe qytetarë kanë bërë homazhe të varrezat e dëshmorëve në Viti, për të vazhduar më pas edhe pranë shtatores së dëshmorit Safet Rexhepi, pjesëtar i Brigadës 138 Agim Ramadani”, ku u vendosën kurora lulesh dhe u nderua sakrifica e tij për lirinë e vendit.
Aktivitetet përkujtimore kanë vazhduar në shkollën fillore Shkolla Fillore “Safet Rexhepi”, e cila mban emrin e dëshmorit dhe u shënua edhe dita e shkollës në një solemnitet të organizuar me këtë rast ku ishin të pranishëm edhe ish komandant të UÇK-së, si Fadil Hadërgjonaj, Ahmet Isufi Anton Quni, etj.
Në emër të institucioneve komunale, një fjalë rasti mbajti zëvendëskryetari i komunës, Hasan Aliu, i cili foli për jetën, veprimtarinë dhe sakrificën e dëshmorit Safet Rexhepi, duke theksuar se shkollat që mbajnë emrat e dëshmorëve në shënimin e ditëve të shkollës kanë dhimbje dhe krenari njëkohësisht. Ai tha se gjaku i derdhur dhe humbja e anëtarëve të familjes nuk janë të lehta, por liria e sjellë nga dëshmorët ua lehtëson dhimbjen familjeve dhe e shndërron atë në krenari kombëtare.
Zëvendës kryetari Aliu u bëri thirrje mësimdhënësve dhe personelit arsimor që të japin maksimumin në edukimin dhe arsimimin e nxënësve, ndërsa tha se obligim i çdo nxënësi është që çdo ditë kur hyn në shkollë të mësojë dhe të përparojë drejt standardeve evropiane dhe vendeve të zhvilluara.
Në fund ai uroi nxënësit dhe personelin e shkollës për ditën e shkollës dhe këtë përvjetor të rëndësishëm.
Një fjalë përshëndetëse në këtë akademi përkujtimore mbajtën edhe ish ushtarakët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ahmet Isufi dhe Fadil Hadërgjonaj të clët folën edhe për kontributin dhe sakrificën e dëshmorëve për lirinë e vendit.
Ndërkaq, drejtori i shkollës, Florim Brahimi, foli për historikun e shkollës, punën dhe rezultatet e arritura ndër vite, duke theksuar përkushtimin e stafit dhe nxënësve në procesin edukativo-arsimor.
Në fund të aktivitetit, nxënësit e shkollës “Safet Rexhepi” prezantuan një program artistik të përgatitur enkas për këtë përvjetor, me recitale, këngë dhe interpretime kushtuar dëshmorëve të lirisë.
Aziz Zuka




