Libri

QASJE ME ARTIN GOJOR E POEZISË SË PJETËR BUDIT

Timo Mërkuri
QASJE ME ARTIN GOJOR E POEZISË SË PJETËR BUDIT
( Përsiatje rreth një aspekti të veçantë të studimit “Pjetër Budi poet dhe prozator” të Anton Nikë Berishës )
Interesimi im për t’u njohur më gjerësisht me jetën dhe me veprën e Pjetër Budit[1] mori shtysë nga çasti kur u njoha me të dhënat se në shkollën e Dhërmiut, të hapur në vitin 1927 nga murgu Neofilo Rodino[2] dhe më pas në shkollën e Himarës e të Nivicës, përdoreshin si tekste mësimore librat e Pjetër Budit “Doktrina e Kërshtenë[3]“ e botuar në vitin 1618, “Pasqyra e të rrëfyemit” dhe “Rituali roman” të botuara në 1621 dhe me faktin se: […] “Nxënësi i Rodinos Papa Dhimitri, një shqiptar nga Dhërmiu, përktheu në një shqipe elegante katekizmin për t’u përdorur në shkollat dhe në kishat në krahinën e Himarës, mirëpo Vatikani nuk ia botoi sepse ishte përkthyer e botuar “Doktrina e kërshtenë” (në vitin 1618) nga Pjetër Budit që (duhej të) shërbente si tekst mësimor në shkollat e bregdetit dhe në kisha[4].[…].Nga kjo kuptojmë që libri i Pjetër Budit pati përhapje të gjerë përdorimi, si nëpër shkolla shqipe ashtu edhe në kishat katolike dhe ortodokse, duke bërë që të shtypej e rishtypej nga Kongregata e Selisë së Shenjtë Propaganda Fide në Romë[5].
I.
Libër që zbërthen “misteret” e klerikëve shqiptarë
Përmes librave “Pjetër Budi poet dhe prozator[6]” dhe “Proza e Pjetër Budit[7]“ të Anton Nikë Berishës, më njohen me gjerësinë dhe thellësinë e veprës së Pjetër Budit dhe më shtuan interesimin mbi zhbirimet studimore të vetë autorit në këndvështrime të reja, jo vetëm të kësaj vepre, por për gjithë krijimtarinë letrare të klerit katolik në periudhën e Mesjetës.
Libri “Doktrina e Kërshtenë” i Pjetër Budit është një përkthim në gjuhën shqipe i katekizmit (nga Roberto Bellarmino), i botuar në Romë më 1618 dhe shpërndarë në Shqipërinë e Veriut, të Jugut dhe në vise të banuara nga shqiptarë jashtë vendit. Ajo që tërheq vëmendjen është fakti se: veç tekstit të përkthyer, libri ka një shtojcë prej pesëdhjetë e tri faqe me poezi shpirtërore apo fetare në shqip, me rreth 3200 vargje, të cilat realisht, pas psalmeve të Gjon Bdek Buzukut të botuara në “Mesharin” (1555)[8] janë poezitë shqipe më të hershme në dialektin gegë.
Në tri veprat e përkthyera, Budi 23 poezi me rreth 3200 vargje, pra një vepër të “plotë” poetike, veç parathënies dhe pasthënies që janë prozë me vlera letrare më vete. Natyrshëm që lind pyetja: Ku e “gjeti” shkrimin shqip Pjetër Budi në vitin 1618 për të shkruar këto poezi dhe mbi cilën traditë poetike u mbështet ai për krijimin e poezive?
Në parathënien e “Doktrinës së Kërshtenë” Budi shkruan: ”Më parë hodha (d.m.th. kopjova) në gjuhën tonë dy kapituj e “Ditës së Gjyqit të fundit[9]“ shkruar nga shumë i përndershmi e i devotshmi prifti Pal i Hasit”.[…], duke na prezantuar në këtë mënyrë me një tjetër poet, bashkëkohës ose para ardhës i tij, i cili duket që ka ndikuar te Budi me krijimet e veta gjer aty, sa që ai përfshin te libri “Doktrina e Kërshtenë” dy poezi të tij. Interesant është edhe fakti që poezia parë e Palit prej Hasi fillon me fjalën shqipe “mëni” në vargun “Ajo ditë me mënii [10]“. Mirëpo, veç atyre që shkruan Pjetër Budi për Palin prej Hasi nuk kemi të dhëna të tjera biografike, por edhe po të ishte një poet i njohur në kohën e tij dhe ka ndikuar së tepërmi te Pjetër Budi, përsëri pyetjet e mësipërme nuk marrin përgjigje, veçse i shtohet edhe emri i tij emrit të Pjetër Budit te pyetjet e parashtruara më sipër.
Anton Nikë Berisha në studimin e tij, me një stil të qartë dhe tërheqës, zhbirues dhe bindës gjer në imtësi, shoqëruar me një dendësi informacionesh ndriçuese na udhëheq drejt zbërthimit të “mistereve” të krijimtarisë së klerikëve katolikë në Mesjetë.
II.
Tradita e letërsisë gojore shqiptare
Populli ynë gjatë historisë së tij ka krijuar dhe përcjellë te brezat e më pasmë një art gojor të pasur në llojshmëri dhe me vlera artistike të larta. Ky art gojor, fillesat e tij i ka në stadin foshnjor[11] të pjekurisë dhe për pasojë, tematika e krijimeve i përket një bote mitike, ku njeriu bashkëbisedonte me hënën e diellin, me zanat e me orët, ringjalleshin njerëzit apo bashkëbisedohej me kafshët e zogjtë etj. Sigurisht që të përcjella nëpër shekuj shumë krijime gojore u harruan, disa të tjera u shndërruan dhe u përsosën duke jetuar më gjatë, të përcjella nëpër brezat pasardhës nga këngëtarët apo tregimtarët popullorë, por rëndësi ka që ka ekzistuar një traditë e artit gojor shqiptar.
Ekzistenca e një tradite të hershme e arti gojor dëshmohet edhe nga trashëgimia e saj gjer në ditët tona nëpërmjet këngëve të vjetra të traditës rituale, përrallave e miteve, baladave, këngëve epike etj.
Dy kanë qenë faktorët që kushtëzuan jetëgjatësinë e këtij arti; fakti që “artistët” popullorë krijuan një art gojor që ishte pjesë e jetës dhe besimeve të kohës, dhe për pasojë ky art “ecte në kohë” bashkë me rrjedhën e jetës, duke u bërë pjesë e identitetit kombëtar si dhe niveli i lartë artistik i këtij arti që i qëndroi kohës.
Autori qysh në krye argumenton se “Letërsia gojore shqipe me llojet e shumta të saj ishte bazë e letërsisë sonë të shkruar […] këto dy shtresa të artit të fjalës: letërsia gojore dhe letërsia e shkruar bashkëjetuan dhe ndikuan ndërsjellas në njëra tjetrën[12]“.[…]. ”Edhe vetë Budi në veprën “Rituali roman” (1621), faqe 152-155 sjell dëshmi të drejtpërdrejta për “vaj gjama vajtimi e të gërvishtunitë e të rāmitë n grusht[13]“.
Te llojet e letërsisë gojore në fillimet e saj u mbështet letërsia jonë e shkruar, pasi ky art “ishte toka” mbi të cilin mbinin e rriteshin pemë e lule e gjithfarë lloje bimësh. Këtu duhet të shtojmë se te arti gojor e ka origjinën edhe kënga, vallja apo piktura e shumë gjini të tjera.
Fakti që arti ynë gojor kishte mbërritur një pjekuri artistike solli për rrjedhojë që edhe arti poetik i shkruar të kishte një nisje me një nivel të lartë artistik, që ishte faktikisht niveli i arritur i artit gojor. Për këtë arsye s’kemi pse habitemi me nivelin e lartë artistik të krijimtarisë së Gjon Buzukut, Pjetër Budit dhe të pasardhësve të tyre në fushën e poezisë. Po ashtu, larmia tematike e artit gojor, stilet dhe format e shumta, janë një pasuri e rrallë që trashëgoi dhe shfrytëzoi letërsia e shkruar, qoftë si burim frymëzimi apo si tematikë.
Falë vitalitetit të tij, arti gojor vazhdon të ekzistojë në vlera të larta edhe në kohën tonë, kohë kur arti i shkruar është masiv, cilësor dhe me shumëllojshmëri formash e llojesh shprehëse poetike. Sot arti ynë gojor ekziston si trashëgimi e vazhdimësi e krijimtarisë së hershme në kushtet e reja, por ajo që ka rëndësi është fakti se ai ekziston edhe si krijimtari aktuale: në forma dhe përmbajtje, duke qenë në nivele të arrira artistike. Madje duke qenë në thelb art gojor, ai paraqitet edhe në formën e artit të shkruar ose notizuar, të botuar në libra, forma këto të artit të kultivuar.
Kështu shpjegohet fakti që poetët dhe shkrimtarët tanë të mesjetës e shfrytëzuan mirëfilli traditën dhe pasurinë e artit gojor si gjuhën poetike, mjetet shprehëse poetike, stilin, ritmin e vargut etj. dhe u paraqitën me një nivel të lartë (për kohën) me botimet e tyre. Duhet të kemi parasysh se arti gojor shqiptar ishte me orientin perëndimor si vetë orientimi i kombit tonë dhe natyrshëm që edhe arti ynë i shkruar u orientua gjithashtu nga Perëndimi.
III.
Qasja e poezisë së Budit me poezinë tonë gojore
Po të studiohet gjuha dhe stili i veprave të këtyre autorëve shohim se ato ishin elemente të “kultivuar” (për kohën) dhe pikërisht ky fakt na shtyn drejt mendimit se gjuha shqipe e shkruar nuk fillon me këta autorë. Duke parë artin gojor dhe në veçanti këngën shohim se ”Kënga […] nuk ndikoi vetëm në zhvillimin dhe në pasurimin e traditës, por u shpreh edhe në krijimin dhe në zhvillimin e letërsisë sonë të shkruar[14]“.
Le t’i vështrojmë faktet në këtë drejtim: ”Kënga ishte dhe është nevojë shpirtërore e njeriut, prandaj e tillë është edhe te Budi[15]“. Mirëpo, Budi në vend që të këndonte, duke qenë krijues, u ul e shkroi “këngë” me vargun tradicional tetërrokësh, duke u bërë kështu krijuesi i poezisë dhe vargut të shkruar. Këtu ndoshta mund të ketë ndikuar fakti që, duke qenë prift, ai shihte që psalmet në kishë “këndoheshin” duke qenë njëkohësisht edhe të shkruara. Nuk e dimë nëse këtu ishte burimi i mendimit për të shkruar këngët. Pa u shkëputur nga arti gojor, Budi nisi paralelisht krijimin letrar artistik, madje bëri përpjekje që ndryshimi midis dy formave të artit të fjalës në gjuhën shqipe, përkatësisht artit gojor dhe artit të shkruar “[…] të vërehet sa më pak, ose, të them më drejt, ta ndihmonin dhe ta pasuronin njëra- tjetrën në mënyrë të ndërsjellë[16]“. Ishte fakt: poezitë që Budi i shkroi bënin jetën e poezive të artit gojor, sepse ato recitoheshin në kishë ose tubime të ndryshme festash fetare për arsye se ishin krijime me frymë fetare dhe stil gojor. Ndaj themi se për nga struktura poetike, stili, fraza, nga rima e metrika, poezia e Budit ka lidhje organike me poezinë gojore. Jemi në fazën që të dy format e artit ushqejnë dhe mbajnë njëra tjetrën, madje Budi shkroi me vetëdije poezitë sipas strukturës së vargut gojor.
Kjo dëshmohet te ngjasimet e shumta të vargut gojor dhe vargut të Budit, të vargut “tetërrokësh”, me të cilin varg janë kënduar këngët gojore nëpër shekuj. Mendojmë se Budi nuk donte vetë që të largohej nga tradita e vargut shqip, jo se nuk kishte njohuri apo mundësi.
Përbërës i marrë nga poezia gojore është edhe “përsëritja” e fjalëve, frazave, vargjeve deri edhe të strofave që ndodhin brenda vargut, brenda strofës, brenda një poezie të veçantë, ose edhe te poezitë e ndryshme, ndërkohë që kjo “përsëritje” është gjë e rëndomtë në traditën letrare gojore.
Te disa këngë (p.sh. në këngën IX të “Doktrinës”) kemi vargje që janë të ngjashme me ato të epikës sonë historike apo në këngët kreshnike, balada etj. kur bëhet fjalë për trimat: Gjithë nd’armë e ndë pecir (pancir) dhe O, ij madhi zot fatmiri, i ngjashëm me vargun gojor: Lum për ty për Zotin të lumin, Të lumt na për t’madhin Zot, Lum për ty, o i lumi Zot[17]. Po kështu te disa vargje ai përdor lirshëm edhe disa tipa “mallkimesh” gojore në funksion të idesë së poezisë së tij si: “Puna mos të voftë mbarë!/Fara mos të biftë nd’arë, /as fruitinë mos ta dhashtë! /Të vrafshinë gurë e n dru/o qofsh gjithë mallëkuom[18]“[…]. Pjesë e përkimeve të poezisë së Budit me artin gojor janë edhe disa fjalë të urta të përdorura kryesisht në parathëniet dhe pasthëniet e tij.
Si përfundim themi se qasja e poezisë së Budit ndaj poezisë gojore është e tillë, sa që na tregon edhe gjendjen dhe nivelin e zhvillimit të dy arteve para 1618, artin gojor dhe atij të shkruar shqip.
IV.
Tradita letrare e shkruar në kohën e Pjetër Budit
[…].”Tri veprat e përkthyera nga Budi “Doktrina e krishterë”, “Pasqyrës e të rrëfyemit” dhe “Rituali roman”, 23 poezitë dhe 5 parathëniet dhe pasthëniet që shoqërojnë këto botime, nuk do të mund të ishin në atë rrafsh dhe të asaj cilësie sikur autori i saj të mos ishte mbështetur në një traditë paraprake. Këtë gjë e përligj para së gjithash pasuria e gjuhës, mënyra e sigurt e të shprehurit, shtjellimi i tekstit, format e ndryshme frazeologjike, fjalë të urta, urime, mallkime etj., thekson me të drejtë autori [19]”.
Këtu zgjerohet hapësira e shikimit, sepse ne kemi mësuar që shkrimi i parë shqip është “Formula e pagëzimit” e vitit 1462 dhe libri i parë i botuar është “Meshari” i Gjon Buzukut (1555).
Duke folur për “Mesharin” Eqrem Çabej ka shkruar: “[…] duke shikuar me një vështrim objektiv këtë tekst, nga gjuha e rrjedhshme…dhe nga mënyra…mjaft konsekuente e shkrimit, arrin të bindet.. se në Shqipëri ka qenë formuar që më parë […] një traditë letrare me shkrime […] me një ortografi gjer diku të caktuar[20]“ dhe se “[…] dhe se vepra e Buzukut u shkrua pikësëpari me një gjuhë letrare: prodhimi edhe një zhvillimi të mëparmë të shkrimit dhe i përpunimit nga ana e këtij shkrimtari”.
Sipas Çabejit shkrimtarët tanë të vjetër, në bazë të kohës kur i shkruan dhe i botuan veprat e
tyre, “[…] përfaqësojnë një lulëzim të shënueshëm të shkrimit të gjuhës shqipe e të literaturës së vendit” dhe se ”Fakti se këta nuk janë një e dy, po përbëjnë një varg burrash të pendës, na dëshmon se aty nuk kemi një dukuri kulturore sporadike, po kemi të bëjmë me një lëvizje mendore[21]”.
Kjo tezë shtron hamëndësimi për ekzistencën e shkrimit shqip para “Formulës së pagëzimit” dhe “Mesharit”, madje Namik Ressuli shkon deri aty sa të shkruajë se Buzuku “[…] do të jetë mbështetur në një traditë paraprake të ortografisë e ndryshme nga ajo e tij[22]”, madje duhet të theksojmë se ekziston edhe teza e Joklit për lashtësinë e shkrimit në Shqipëri, para Buzukut. Tezën e një shkrimi shqip para Buzukut e mbështesin një sërë studiuesish vendas dhe të huaj si: Kolë Ashta, Henrik Lacaj, Martin Camaj, Dhimitër S. Shuteriqi, arbëreshi Françesko Solano, studiuesi rumun Gustavo Adolfo Loria Rivel, Gunnar Svane etj. madje edhe duke e argumentuar dhe krahasuar me shkrime të njohura dhe të publikuara apo me metodën krahasuese të analizave të teksteve të ndryshme, të cilat Berisha i përmend.
Një informacion interesant na sjell edhe vetë Budi kur duke bërë të ditur për mënyrën e përgatitjes dhe të botimit të poezive që kishte përfshirë në librin “Doktrina e krishterë” (1618), ku ai thotë: […] “shkrova mbi gjuhu[t] tanë mā parë do kapituj të Ditësë gjȳqit qi i gjeta shkruom Atit shumë n cë ndērshim e n cë devotshim frat Pālit prej Hasi. Të cijtë ende me do të tjera të nçtuom disa herë tue i shkruom, …hina për gjithë ditë kā pak tue nçtuom. Shkrova ende sā të tjera kafshë, sā mujta n cë tjera gjuhush tue i kthyem mbi gjuhu[t] tanë[23]“.[…].
Nuk është qëllimi ynë të shkruajmë dhe të vërtetojmë tezën e ekzistencës së shkrimit shqip para Buzukut, por nuk mund të lëmë pa sjellë në vëmendjen e lexuesit faktin se: Plini Plak (Gaius Plinius Secundus ) (23-79 e.r.), në vitin 77 (pas Krishtit) botoi korpusin prej 37 vëllimesh për historinë natyrore, titulluar “Naturalis Historiae” (Historia e natyrës), dhe në vëllimin VII, shkruan qartësisht: “Ilirët kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët”. Lexo me vëmendje këtë fragment: romakët shkrimin e morën nga ilirët, pra shkrimi ekzistonte te ilirët që të mund ta merrnin romakët. Logjikisht ekzistenca e shkrimit nënkupton akte të shkruara, qofshin këto shkresa, traktate apo libra.
Për ta “ndezur” debatin e mësipërm, në vëllimin VI të këtij korpusi Plini Plak shkruan: “Nga kjo rezulton një përdorim i shpeshtë i shkronjave të alfabetit. Në Lazio (Lacium) ata që i sollën, ishin Pellazgët”.[…]. Po kështu te informacionet për ekzistencën e Universitetit mesjetar të Durrësit, hapur në vitet ’80 të shek. XIV janë ndihmuese për tezën e ekzistencës së shkrimit shqip në mesjetë, apo e dhëna se: “[…] në vitin 1584 në Stubëll (Kosovë) ka qenë hapur një kolegj katolik”.[…], për të cilin: […]. “studiuesi kroat, Miroslav Vanino[24], përmend botimin e një katekizmi në gjuhën shqipe të këtij viti në 500 kopje”.[…], apo dhe gjetja e “Dorëshkrimit të Kieutit” (1735 – 1750).
Lehtësia e të shkruarit të veprave të klerikëve të përmendur, frazat elokuente dhe të lidhura organikisht në fjalitë e veprave, dëshmojnë për njohje dhe praktikë të shkrimit shqip para Buzukut. Veçse duhen gjetur provat dokumentare për ekzistencën e tij. Natyrisht, këto duhen kërkuar së pari nëpër arkivat e vendeve evropiane dhe në Vatikan.
Me këtë studim Anton Nikë Berisha spikat në punën e tij të ndriçimit të “mistereve” dhe të “fshehtave” të gjuhësisë dhe letërsisë shqipe në labirintet e shekujve, duke na ftuar që ta ndjekim jo atë, por dritën që reflektojnë këto “mistere” dhe këto të “fshehta”.
( Sarandë, shkurt 2022 )
_________________________________________________
Shënime…
[1] Pjetër Budi u lind në Guri i Bardhë, Mat më 1566. Mësimet e para i mori në vendlindje, pranë disa ipeshkvijve të ndryshëm, më pas u shkollua në Kolegjin Ilirik të Lorentos, afër Ankonës. Në vitin 1587, në moshën 21 vjeçare u caktua meshtar, duke shërbyer si famullitar i thjeshtë për 12 vjet në Kosovë dhe Maqedoni dhe më pas për 17 vjet si zëvendës i përgjithshëm i dioqezave të Serbisë. Në vitin 1616 shkoi në Romë deri më 1621. Atje u mor …me shtypjen e disa librave shqip, ku në vitin 1618 botoi veprën e tij të parë “Doktrina e Kërshtenë” dhe më 1621 dy veprat e tjera “Rituali roman” dhe “Pasqyra e të rrëfyemit”, vepra që janë kryesisht përkthime ose përshtatje, por të zgjeruara dhe të shtjelluara në atë mënyrë, sa që dalin si vepra të reja. Si poet dhe prozator Pjetër Budi njihet për rreth 100 faqe prozë dhe 3200 vargje poezi të botuara (kryesisht) tek “Doktrina e Krishtenë”. Gjatë viteve 1616-1622 bëri disa udhëtime në Itali, kryesisht për qëllime atdhetare si dhe për të botuar veprat e tij. Kthehet përsëri në Shqipëri ku emërohet peshkop i Sapës dhe i Sardës, por duke parë gjendjen e popullit dhe padrejtësitë që i bënin klerikët e huaj, më 1622 organizoi një Besëlidhje të klerikëve shqiptarë të zonës së Shkodrës, Zadrimës, e Lezhës për të mos pranuar klerikë të huaj. Në dhjetor 1622 mbytet (aksidentalisht?) duke kaluar lumin Drin. Gjatë 29 vjetëve që shërbeu me petkun e klerikut, ai u shqua për veprimtari atdhetare si një ndër organizatorët e kryengritjeve anti turke, Për këtë dëshmon edhe “një letër e datuar 15 shtator 1621, të cilën imzot Pjetër Budi ia drejtonte kardinalit Gozzadini në Romë, në të cilën ai parashtron planet e strategjinë për një kryengritje në Ballkan kundër otomanëve”. ( R.SH. Vatikan. 2020-01/29-) Kjo veprimtari atdhetare është arsyeja që mbytja e tij është cilësuar si një komplot vrasjeje.
[2] Neofil Rodino murg bazilian që erdhi në Dhërmi në vitin 1623 dhe hapi shkollën shqipe. (Prof. dr. Njazi Kazazi,. “Mësimi i gjuhës shqipe gjatë Rilindjes Kombëtare e deri në fillimin e viteve ’20 të shekullit XX”) Ai (Neofil Rodino) botonte libra shqip dhe katekizma dhe i shpërndante ndër fëmijët dhe fshatarët falas.. (Petro Marko: Shkolla shqipe tre shekuj më parë, “ Intervistë me vetveten”, Retë dhe gurët).
[3] Kryefaqja e titullit përmban këto të dhëna: Vepra “Doktrina e Krishterë”, e hartuar për nder të kujtimit dritëplotë të Papa Klementit VIII nga Shën Robert Belarmini, prift i Shoqërisë së Jezusit, tani Kardinal i Kishës së Shenjtë të Shën Marisë in Via. Përkthyer në gjuhën shqipe nga i nderuari Don Pjetër Budi nga Guri i Bardhë. Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejen e Eprorëve}.Përkthimi shqip i ‘Doktrinës Kristiane’ prej imzot Pjetër Budit përbëhet nga 169 faqe. R.SH. Vatikan. 2020-01/29.
[4] Petro Marko, Shkolla shqipe tre shekuj më parë. “Intervistë me vetveten”, Retë dhe gurët.
[5]“Për këtë duhet të ketë pasur një numër relativisht të madh kopjesh nga botimet e viteve 1636, 1664 dhe 1868. Më 1759 në depot e Kongregatës Propaganda Fide kishte ende gjithsej 960 kopje të këtij libri” (Anton Nikë Berisha, Pjetër Budi poet dhe prozator. Luigi Pellegrini Editore Cosenza 2015.
[6] Luigi Pellegrini Editore Cosenza 2015.
[7] Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” Tiranë 2019.
[8] Shih dy studimet e Anton Nikë Berishës: “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore Press. Cosenza 2014. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014 dhe Gjon Buzuku poeti ynë i parë. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2016. Botimi i dytë Pellegrini Editore, Cosenza 2016.
[9]“Dita e Gjyqit të fundit” ishte një përshtatje mjeshtërore në gjuhën shqipe, sipas ritmit të saj tetërrokësh, Psalmit – himnit të njohur latinisht të mesjetës Dies irae, dies illa të rregulltarit françeskan Tomës nga Çelano (Tomaso da Celano, rreth 1200-1255).
[10] …duke më kujtuar “mëninë” e Akil kordhëtarit te Iliada.
[11] Anton Nikë Berisha “Pjetër Budi poet dhe prozator” Luigi Pellegrini Editore Cosenza 2015. F. : Krijimet e letërsisë sonë gojore u shënuan shumë vonë në krahasim me lashtësitë e tyre. f. 23.
[12] Po aty. f. 19.
[13] Po aty f. 29.
[14] Po aty f. 221.
[15] Po aty f. 221.
[16] Po aty f. 223.
[17] Vargjet e cituara marrë nga libri në fjalë f. 235.
[18]Po aty, f. 239.
[19] Po aty, f. 30.
[20]Po aty f. 31. Marrë nga: “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Botim kritik. Punuar nga Eqrem Çabej. Pjesa e parë. Hyrje dhe transliterim. Universiteti shtetëror i Tiranës. Instituti i historisë dhe i gjuhësisë. Tiranë 1968, f. 18.
[21]Po aty f. 32, marrë nga Eqrem Çabej, Pjetër Budi dhe gjuha e tij. Në “Pjetër Budi. Kumtesa dhe artikuj”, vep. e përm., f. 141.
[22] Po aty f. 33. Marrë nga: Namik Ressuli, Il “Messale” di Giovanni Buzuku. Riproduzione e trascrizione. Studi e testi 199. Città di Vaticano. Biblioteca Apostolica Vaticana, 1958, f. XVII. P.S. Të gjitha citatet e përkthyera nga italishtja, janë të autorit të studimit, Anton Nikë Berishës.
[23] Po aty f. 39, marra nga Pjetër Budi. Poezi, vep. e përm., Prishtinë 2006, f. 298
[24] Po aty f. 40.

You Might Also Like