Libri

Këtë fundjavë u përurua monografia “Prof. Riza Bicaj – Jeta dhe Vepra” i autorit Xhavit Bicaj

Në 96- vjetorin e linndjes së profesorit të ndjerë Riza Bicaj, në ambientet e Gjimnazit Shoqëror ,,Zenel Hajdini,, në Gjilan është bërë përurimi i monografisë “Prof. Riza Bicaj – Jeta dhe Vepra” i autorit Xhavit Bicaj.

Ky aktivitet i veçantë iu kushtua figurës së ndritur të Prof. Riza Bicajt, profesorit të parë shqiptar me fakultet në Gjimnazin e Gjilanit gjatë viteve 1956–1960, paraardhës i Gjimnazit ,,Zenel Hajdini,,.

Promivimi është udhëhequr nga magjistër Tahir Arifi, i cili me pijetet ka prezantuar profesorin e nderuar Riza Bicaj, i cili tërë jetën ia kishte kushtuar arsimit dhe nga i cili kishin dalë shumë gjenerata të shquara.

Prof. Riza Bicaj dha një kontribut të veçantë në arsimimin dhe edukimin e shumë brezave, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e shkollës sonë. Vepra dhe përkushtimi i tij mbeten të paharruara dhe frymëzuese për komunitetin tonë shkollor.

Në këtë ngjarje morën pjesë ish-nxënës, ish-kolegë, bashkëpunëtorë, miq dhe dashamirë të veprës së tij. Ish-nxënësit e tij, Prof. dr. Belul Brestovci dhe akademik Mehmet Halimi, evokuan kujtime të jashtëzakonshme për profesorin e tyre, duke theksuar përkushtimin, urtësinë dhe patriotizmin e tij në kohë sfiduese për arsimin shqip.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Gjimnazit, Jeton Rexhepi, theksoi se Gjimnazi Zenel Hajdini ndihet i nderuar dhe krenar për këtë përurim të veçantë, duke e vlerësuar monografinë si një gur të rëndësishëm në mozaikun e historisë së shkollës. Ai falënderoi autorin Xhavit Bicaj për kontributin dhe dhuratën e çmuar për Gjimnazin, duke theksuar se kjo vepër na kthen rreth 70 vite pas, në një kohë të vështirë, por krenare për arsimin shqip. Drejtori nënvizoi se si trashëgimtarë të veprës së prof. Riza Bicaj, ne kemi përgjegjësi ndaj të shkuarës dhe detyrim për ta vazhduar me dinjitet misionin e dijes dhe arsimimit, duke punuar çdo ditë për të qenë më të mirë dhe për të arritur më shumë.

Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit që me praninë e tyre e nderuan këtë përvjetor të rëndësishëm dhe kontribuan në ruajtjen e kujtesës historike të shkollës dhe të qytetit tonë.

You Might Also Like