Libri

Doli nga shtypi libri “Shkupi në Lidhjen e Prizrenit (1878 – 1881)” i autorit prof. dr. Ramiz Abdyli

 

Ka dalë nga shtypi libri “Shkupi në Lidhjen e Prizrenit (1878 – 1881)” i autorit prof. dr. Ramiz Abdyli. Libri është botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Studiuesi i mirënjohur shqiptar dhe autori i shumë librave, Ramiz Abdyli, në këtë libër ka hedhur më tepër dritë për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, me theks të veçantë për rolin e Shkupit dhe të delegatëve nga Shkupi, qytet që në histori njihet si seli e Vilajetit të Kosovës.

Profesori Abdyli fillimisht shkruan për themelimin e Lidhjes së Prizrenit dhe për Kongresin e Berlinit, duke nisur nga veprimtaria e patriotëve shqiptarë gjatë verës së vitit 1878 dhe Betejën e Gjakovës, duke u ndalë më pas edhe në Rezolutën e Kuvendit të Dibrës, Kuvendin e Prevezës, sikurse edhe për Lëvizjen autonome.

Konferenca e Berlinit kishte copëtuar trojet shqiptare, kështu që populli shqiptar organizoi luftë të armatosur në mbrojtje të kufijve, ku është veçuar mbrojtja e Plavës dhe Gucisë e më pas edhe mbrojtja e Hotit dhe e Grudës.

Gjithsesi se këto lufta shkaktuan edhe largimin e popullatës nga trojet e veta, kështu që në këtë libër studiuesi prof. dr. Ramiz Abdyli, merret edhe me çështjen e refugjatëve shqiptarë, sikurse edhe për lëvizjen autonome të vitit 1880

Shqiptarët të pakënaqur me vendimet e Kongresit të Berlinit kanë mbajtur edhe Kuvendin e Dibrës dhe bënë luftë për mbrojtjen e Ulqinit, kryengritësit çliruan Shkupin, qytet në të cilin formuan një qeveri të përkohshme.

Në këtë libër me interes për lexuesin ka zënë vend edhe përpjekja për zgjidhjen e çështjes së Çamërisë  dhe shtypja e degës së Lidhjes në Shkup e në fund edhe shtypja e Lidhjes së Prizrenit.

Ky libër i një rëndësie të veçantë për historinë e popullit shqiptar është rezultat i hulumtimeve të pareshtura të prof. dr. Ramiz Abdylit nëpër arkiva të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, në dokumente të publikuara dhe në literaturën e pasur historiografike, por edhe në shtypin e kohës.

Kryelajmi.com

 

You Might Also Like