Futboll

Gjilani mban hapin në garën për titull

Gjilani me drojë ishte futur në ndeshjen ndaj Ulpianës nga Lipjani, pasi që ishte e vetmja kjo skuadër që e kishte mposhtur atë në këtë kampionat. Punimet që po bëhen në Stadiumin e Qytetit në Gjilan kanë bërë që ndeshja të zhvillohet në Stadiumin me bari sintetik. Pjesa e parë e ndeshjes ka kaluar me raste nga të dy ekipet por pa arritur që të shënojë ndonjëra prej tyre.

Në pjesëlojën e dytë, Gjilani ka hyrë më i motivuar për të shënuar fitore  dhe që në minutën 53 ia ka dalë që të shënojë nga ndërprerja. Pikërisht në këtë minutë në anën e majtë është shkaktuar një ndërprerje afër vijës nga këndi dhe prej aty ka gjuajtur mjeshtri i këtyre situatave, Gerhard Progni, e topi që ka fluturuar mbi kokën e disa lojtarëve, pa u prekur nga askush është futur në rrjetë për 1:0.

Në minutën 73 rast shumë të mirë shënimi për Gjilanin pati Hajdari, por gjuajtja e tij për tokë u bllokua nga mbrojtja mysafire.

Tre minuta më pas, Gjilani siguroi fitoren kur pas një depërtimi vetjak të Muhamed Useinit, Shend Kelmendi që është shërbyer mirë, me një gjuajtje për tokë në këndin e poshtëm të djathtë ia doli të shënojë. Pas një harkimi mjeshtëror të Prognit, Albert Dabiqaj gjuajti me kokë, por topi për pak shkoi jashtë portës.

Në minutën e dytë shtesë u dha penalti për Gjilanin, gjë të cilën e anuloi VAR pasi që kishte pozitë jashtë loje.

Në ndeshjen e radhës, të enjten, Gjilani është mysafir i Dritës.

You Might Also Like