Viti

Komuna e Vitisë është përzgjedhur si komuna e parë në Kosovë ku do të pilotohet programi i UNDP-së që synon të fuqizojë bizneset lokale

Në Viti është mbajtur sot një takim midis përfaqësuesve të UNDP-së dhe bizneseve lokale të përzgjedhura në kuadër të programit “Rritu me Biznesin Tënd”. Gjatë këtij takimi, përfaqësuesi i UNDP-së, Alban Kryeziu, shprehu falënderimet e tij për kryetarin e komunës, Sokol Haliti, për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe përkushtimin ndaj këtij programi. Ai theksoi se në Viti ka gjetur mbështetjen e menjëhershme të udhëheqjes komunale dhe kjo gatishmëri ka bërë që kjo komunë të jetë e para për tu implementuar ky projekt. Komuna e Vitisë është përzgjedhur si komuna e parë në Kosovë ku do të pilotohet ky program inovativ, i cili synon të fuqizojë bizneset lokale dhe të krijojë një ambient të favorshëm për zhvillimin e tyre. Janë përzgjedhur gjithsej tetë biznese që do të përfitojnë nga ky projekt për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të tyre., ka thënë Kryeziu.

Programi “Rritu me Biznesin Tënd” ka disa objektiva të rëndësishme, duke filluar me fazën e para diagnozës që përfshin identifikimin e nevojave të biznesit, dhe më pas vijon me modalitetet për rritjen e kapaciteteve, forcimin dhe promovimin e mëtejshëm të tyre.

Kryetari Haliti theksoi gjatë këtij takimi se komuna e Vitisë ka qenë gjithmonë e përkushtuar për të krijuar një ambient të favorshëm për zhvillimin dhe rritjen e sektorit privat. Ai u shpreh i bindur se ky program do të sjellë rezultate të prekshme për bizneset e përzgjedhura dhe do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të komunës. “Është një nder dhe përgjegjësi në të njëjtën kohë për komunën tonë që është zgjedhur si komuna e parë për të pilotuar këtë program. Vitia do të shërbej si një model për komunat e tjera, duke treguar se si mbështetja e duhur dhe angazhimi mund të krijojnë një mjedis të fuqishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të bizneseve. Andaj, përmes këtij projekti, në partneritet me UNDP, ne po krijojmë mundësi të jashtëzakonshme për të përfituar nga konsulenca profesionale dhe mbështetja praktike që do të ofrohet nga ekspertët profesional” tha kryetari Haliti. Ai më tej premtoi se komuna e Vitisë do të vazhdoj për të ofruar çdo mbështetje të nevojshme për të realizuar ambiciet e përfaqësuesve të bizneseve dhe për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të tyre.

Në përfundim të takimit, u nënshkruan letër-zotimet që parashohin detyrat dhe përgjegjësitë e bizneseve nga njëra anë dhe të UNDP-së si implementuese e programit nga ana tjetër, duke vendosur kështu bazat për një bashkëpunim të suksesshëm në të ardhmen.

You Might Also Like