Gjilan

Kuvendi i Gjilanit diskuton për raportin financiar janar-shtator 2026

Gjilan, 29 tetor 2026 – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Krenare Latifi Kqiku, në seancën e sotme të rregullt, që është e nënta për këtë vit, ka diskutuar për raportin financiar janar-shtator 2026, të cilin e ka prezantuar në pika të shkurtra drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati.
Paraprakisht, në kuadër të muajit “Tetori Rozë”, nën organizimin e Drejtorisë për Shëndetësi, është mbajtur një adresim para kuvendarëve nga profesionistët shëndetësorë me thirrjen për ndërgjegjësimin e grave për pasojat e kancerit të gjirit, ku kryesuesja e Latifi Kqiku, pas ka shprehur falënderim për angazhimin e tyre të jashtëzakonshë, ka thënë se kanceri i gjirit prek shumë gra dhe përballë kësaj sfide nuk mund të heshtim, për të shtuar se diagnoztifikimi i hershëm shpëton jetë.
“Një kontrollë me kohë, mund të bëjë ndryshimin mes frikës dhe shpresës”, tha Latifi-Kqiku.
Ndërkaq, drejtoresha e DSHMS-së, Mimozë Kadriu-Qerimi, ka thënë se në Gjilan është bërë një hap konkret për parandalizimin dhe zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje, pasi që prej vitit 2023, në QKMF është mundësuar shërbimi i mamografisë, i cili bëhet pa pagesë.
Ndërkohë, sa i përket raportit financiar janar-shtator 2026, drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati, tha se të hyrat vetanake për këtë periudhë janë mbi 4.2 milionë euro apo mbi 73 për qind e planit vjetor, për të shtuar se shpenzimet e përgjithshme arrijnë shumën e 33.3 milionë euro, ku sipas kategorive realizimi në paga dhe shtesa është 82.37 për qind, mallra dhe shërbime – 79.53 për qind,  shpenzime komunale – 59.32 për qind, subvencione dhe transfere – 59.43 për qind dhe investime kapitale – 41.8 për qind.
Kuvendi ka miratuar edhe propozim-vendimin për shpalljen e interesit të ligjshëm publik për sigurimin e tokës për nevojat e zgjerimit të varrezave në Lladovë dhe raportin përfundimtar për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera mars-qershor 2026 dhe korrik-gusht 2026.
Po ashtu, në këtë seancë është miratuar edhe plotësim-ndryshimi për Komisionin për emërtimin e rrugëve në përbërje prej 11 anëtarëve, plotësim-ndryshimin për Komsionin për zgjedhjen e këshillave lokalë në përbërje prej shtatë anëtarëve, propozim-vendimi për suvencionimin e ndërmarrjeve publike NPL “Stacioni i Autobusëve” dhe NPL “Tregu”, të cilin e ka arsyetuar drejtori i DZHE-së, Haki Huruglica, sikurse që është dhënë edhe një informatë për fillimin e vitit të ri shkollor 2026-2027, nga drejtori i DKA-së, Jeton Rexhepi.
Ndërkaq, draft-Statuti i Ansamblit të këngëve dhe valleve popullore në komunën e Gjilanit, është shtyrë për mbledhjen e radhës.
Në këtë seancë kanë kontribuar në debat me rekomandime, pyetje e kritika edhe asambleistët, Fitim Guda, Burhan Isufi, Florina Jerliu, Gentrit Murseli, Bujar Nevzati, Muhadin Haziri, Artan Cani, Fadil Ademi, Liresë Kosumi, Malikie Hoxha, Besnik Shala, Fatos Ramadnai, Gresa Avdiu, Kushtrim Kadriu e Bekim Salihu, të cilëve u janë përgjigjur drejtorët komunalë, Avdyl Kastrati, Eljesë Rashiti, Haki Huruglica, Kushtrim Zeqiri e Jeton Rexhepi.
Ndryshe, Kuvendi i Gjilanit ka mbajtur një minutë heshtje pas vrasjes makabre të Arlinda Zekajt, në Vitomiricë të Pejës.

You Might Also Like