Deklaratë e Degës së LDK-së në Gjilan
REAGIM I LDK-GJILAN PËR REKRUTIMIN E MËSIMDHËNËSVE
Rekrutimi i mësimdhënësve në Komunën e Gjilanit nuk mund të bëhet me improvizime, paqartësi procedurale dhe mungesë transparence.
Dokumentet e publikuara për konkursin e mësimdhënësve ngrenë një sërë pyetjesh serioze, të cilave Drejtoria Komunale e Arsimit dhe drejtori i saj duhet t’u japin përgjigje publike.
Konkursi është shpallur më 15 korrik dhe është mbyllur më 16 gusht 2026. Rregullorja QRK Nr. 19/2024 përcakton se Komisioni Përzgjedhës duhet të themelohet brenda afatit të përcaktuar pas përfundimit të konkursit. Sipas informatave që kemi, më 25 gusht ky Komision ende nuk ishte formuar, ndërkohë që DKA ka njoftuar se testi me shkrim do të mbahet më 27 gusht.
Si mund të zhvillohet testimi dhe të vazhdojë procedura e rekrutimit nëse Komisioni Përzgjedhës, që ka rol thelbësor në procesin e vlerësimit dhe përzgjedhjes, nuk është themeluar me kohë?
Një tjetër shqetësim serioz është lista e kandidatëve të publikuar për testim.
Në këtë listë, sipas dokumenteve dhe të dhënave të publikuara, rezultojnë edhe kandidatë për të cilët ka indikacione se nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara në konkurs.
Kush i ka verifikuar aplikacionet dhe dokumentacionin e kandidatëve?
A është bërë verifikimi në mënyrë të barabartë, transparente dhe të dokumentuar për të gjithë kandidatët?
Nëse në listë janë përfshirë persona që nuk i plotësojnë kushtet e konkursit, atëherë DKA duhet të sqarojë nëse kemi të bëjmë me gabim administrativ, mungesë të verifikimit apo me ndërhyrje tjetër në proces.
Barazia e kandidatëve dhe besueshmëria e konkursit nuk mund të vihen në pikëpyetje.
Po ashtu, në njoftimin për testim figuron nënshkrimi i një zyrtareje të Njësisë për Personel të Komunës së Gjilanit.
Ne nuk po paragjykojmë kompetencën e saj për të nënshkruar dokumentin. Kjo duhet të vërtetohet përmes përshkrimit të detyrës, autorizimit dhe bazës ligjore.
Por pyetja është legjitime:
Nëse në DKA ekziston struktura përgjegjëse për burimet njerëzore në arsim, mbi çfarë baze një njoftim për testimin e kandidatëve për mësimdhënës nënshkruhet nga një zyrtare e Njësisë për Personel në nivel të Komunës?
Nëse kjo kompetencë ekziston, le të bëhet publike baza ligjore dhe çështja sqarohet.
Nëse nuk ekziston, atëherë kemi edhe një problem tjetër procedural që kërkon përgjigje.
Përgjegjësia institucionale, megjithatë, nuk duhet të zhvendoset te zyrtarët që zbatojnë detyra administrative. Përgjegjësia për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të rekrutimit bie mbi strukturat drejtuese të DKA-së dhe drejtuesin e saj.
Testi është caktuar për 27 gusht, ndërsa viti i ri shkollor fillon më 1 shtator.
Pas testimit pasojnë edhe fazat e tjera të vlerësimit, renditjes, ankesave dhe emërimit.
Prandaj pyetja është e thjeshtë:
Si planifikon DKA që një proces kaq i rëndësishëm të përfundojë në mënyrë të ligjshme, transparente dhe me kohë para fillimit të vitit të ri shkollor?
Si LDK – Dega në Gjilan, kërkojmë nga DKA që publikisht të sqarojë:
1. Kur është nxjerrë vendimi për themelimin e Komisionit Përzgjedhës?
2. Kush janë anëtarët e këtij Komisioni?
3. Nëse Komisioni nuk është formuar me kohë, pse nuk është respektuar afati i përcaktuar me rregullore?
4. Kush i ka verifikuar aplikacionet dhe dokumentet e kandidatëve?
5. Pse në listën e testimit janë përfshirë kandidatë që, sipas të dhënave të publikuara, duket se nuk i plotësojnë kriteret?
6. Mbi çfarë baze ligjore dhe kompetence është nënshkruar njoftimi për testim nga zyrtarja e Njësisë për Personel?
7. Si do të përfundojë i gjithë procesi i rekrutimit para fillimit të vitit shkollor më 1 shtator?
Këto nuk janë pyetje politike.
Janë pyetje për ligjshmërinë, transparencën, meritën dhe përgjegjësinë institucionale.
Fëmijët e Gjilanit meritojnë mësimdhënës të përzgjedhur me meritë, ndërsa kandidatët meritojnë një proces të barabartë dhe transparent.
LDK Gjilan kërkon që DKA të japë përgjigje publike dhe të mos lejojë që një proces kaq i rëndësishëm të zhvillohet mbi paqartësi procedurale.
Ligjshmëri. Meritë. Transparencë. Përgjegjësi.





