Gjilan, 14 mars 2018 – Komuna e Gjilanit ka vazhduar sot workshop-in me takimin me shoqërinë civile, të organizuar nga kryetari Lutfi Haziri, për t’i marrë pikëpamjet dhe rekomandimet e tyre sa i përkët riorganizimit të administratës, ku morën pjesë dhjetëra përfaqësues të organizatave joqeveritare.
Kryetari Haziri tha se gjatë këtyre viteve dëshiron që ta fuqizoj partneritetin me shoqërinë civile, jo vetëm në këtë aspekt, por edhe në aspekte tjera.
“Qëllimi është që ta bëjmë një riorganizim për zhvillime sa më të mira dhe dinamike për Gjilanin. Dëshiroj ta fuqizoj partneritetin me shoqërinë civile, jo vetëm në këtë aspekt, por edhe në aspekte tjera. Mësimet e nxjerra nga vitet e kaluara janë në funksion të dinamizimit dhe rritjes së efikasitetit të administratës. Po ballafaqohemi me mungesë stafi prej 27 vetash, shkaku i një aktakuze të ngritur, por po e mbushim disi bollshëkun përmes shërbimeve tjera”, tha Haziri.
Musa Sabedini, në emër të klubit të gazetarëve “Beqir Musliu”, tha se kontributi i shoqërisë civile është shumë i rëndësishëm se çfarë administrate duam sepse, siç u tha, administrata është edhe e mediave, shoqërisë civile dhe qytetarëve.
Në takimin e sotëm nga të pranishmit u tha se Gjilanit i nevojitet një administratw profesionale, transparente dhe të përgjegjshme para publikut.
Gjatë takimit të sotëm, përveç tjerash, u kërkua që në komitete të përfshihet më shumë edhe shoqëria civile, sikurse edhe u kërkua funksionalizimi i mekanizmit kundër dhunës në familje dhe Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.
Me diskutimet e tyre kontribuan edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, Ramadan Mehmeti (Agro Farm), Arjeta Maka (Gruaja Hyjnore), Hekuran Aliu (KCIS), Shadije Rexhepi (Agro Eko), Shaban Terziu (Lansdoëen), Shpresa Sejdiu (Shoqata e Shurdhërve në Gjilan), Sebahate Arifi (KCD), etj.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka falënderuar për kontributin përfaqësuesit e shoqërisë civile, duke shtuar se vërejtjet dhe rekomandimet e tyre do të meren parasyshë në mënyrë që të ketë një administratë sa më funksionale dhe efikase.
Ai konfirmoi se pas miratimit të Kuvendin Komunal të ndryshimeve statutare më 22 mars, Gjilani do të hyjë në fazën e emërimeve të reja, duke konfirmuar ndërtimin e qeverisjes me duar të pastërta dhe dyer të hapura.
“Do t’i heq dyert e çelësat dhe do ta praktikojmë modelin e punës me zyre të hapura”, përfundoi Haziri.