Xhentian Jetishi, solokëngëtar i njohur gjilanas dhe pedagog i solokëndimit do të mbajë një koncert recital me këngë shqipe popullore artistike. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga vetë solokëngëtari, i cili para artdashësve gjilanas do të paraqitet të mërkurën më 2 prill 2025 në sallën e Teatrit të Qytetit në Gjilan.
Të rikujtojmë se Xhentian Jetishi është profesor i solokëndimit në Shkollën e Muzikës në Gjilan, përndryshe ai është edhe djali i legjendës së futbollit gjilanas e kosovar Xhelal Jetishi dhe autor dhe solist i shumë këngëve të mirëfillta shqipe, andaj ky koncert recital i tij që është përkrahur nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sporte në Gjilan është një mundësi e mirë për të gjithë ata që janë adhurues të muzikës shqipe popullore e artistike. /kryelajmi.com/.