Pas një pune mbi katër dekada në arsimin gjilanas, është pensionuar Nexhat Rexha profesori i gjeografisë në Gjimnazin Shoqror “Zenel Hajdini”, shkruan kryelajmi.com.
Gjatë punës në arsim ai është dalluar për përkushtimin, afërsinë me nxënës, punën e palodhshme, i afërt me kolegë dhe këmbëngulës në qëndrimet e tij, kurse këtij profesioni nuk iu nda edhe në kohët më të vështira për arsim shqip, asnjëherë nuk iu nda këtij profesioni kaq të rëndësishëm e human, duke arsimuar e edukuar shumë breza për 40 vite me radhë. Pas luftës, ai ishte shumë i përkushtuar edhe në avancimin e arsimit shqip, duke qenë pjesë e pandashme në hartimin e kurikulave të reja, ku ka dhënë një kontribut të madh.
Profesori Nexhat H. Rexha është i lindur më 3 janar të vitit 1959 në fshatin Bresalc të Gjilanit, qytet në të cilin e ka përfunduar shkollën fillore e më pas e kreu gjimnazin në Gjilan, për të përfunduar më pas studimet në degën e Gjeografisë në Prishtinë. Nisi të punojë në vitin 1982/1983 në Shkollën Fillore “Zenel Hajdini” në Bresalc, për të kaluar më pas në Shkollën Fillore “Thimi Mitko”, “Abaz Ajeti”, ndërsa në vitin 2007 kaloi në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, ku edhe u pensionua. Ai ka kryer trajnime të rëndësishme që kanë të bëjnë me arsimin, për punën e bërë është shpërblyer disa herë, kurse nxori gjenerata të arta të nxënësve.
Jeton Rexhepi, drejtor i Gjimnazit Shoqëror “Zenel Hajdini” ka dalë me një përkushtim në të cilin ka shkruar:
Me përkushtim të plotë në përmbushje të misionit të mësimdhënësit.
Profesorit të nderuar, Nexhat H. Rexha.
I nderuar Profesor!
Me rastin e datëlindjes suaj, ne si kolektiv i shkollës, ju urojmë shëndet të plotë.
Ju i nderuari profesor, për më shumë se 4 dekada, me përkushtim të lartë arritët të plotësonit në mënyrë të shkëlqyeshme misionin tuaj në edukimin dhe arsimimin e shumë brezave, të cilët më së miri i dinë dhe i vlerësojnë meritat tuaja, por edhe ne si kolegë mësuam shumëçka nga ju.
Në këto vite të kontributit tuaj të çmueshëm në shkollë, ju keni qenë më shumë se thjeshtë një mësues; ishit frymëzues dhe përkrahës i vazhdueshëm. Kujtojmë me dashuri momentet kur kreativiteti juaj na bëri të dashurohemi me mësimdhënien, dhe përkushtimi juaj na frymëzoi për të arritur më shumë se sa mendonim se ishte e mundur.
Ju krijuat një mjedis të mrekullueshëm mësimor, ku dija nuk ishte vetëm një detyrë por një udhëtim emocionues. Nga ju kemi marrë më shumë se thjeshtë një përmbajtje kurrikulare; kemi mësuar vlera, aftësi të jetës dhe një pasion të përhershëm në mësimdhënie.
Tani, në pensionimin tuaj, le të shikojmë përpara me mirnjohje për një karrierë të shkëlqyer dhe një ndikim të pashmangshëm në jetët tona. Për ju, pensionimi nuk është një përfundim, por një fillim i ri për të shijuar meritat e punës dhe për të zbuluar bukurinë e një periudhe të re të jetës.
Ne nuk do të harrojmë se mësimdhënia juaj nuk ishte vetëm një detyrë formale, por një trashëgimi që do të vazhdoj të rritet me ndikimin pozitiv që keni pasur ju.
Ju përgëzojmë për të gjitha arritjet tuaja dhe ju dëshirojmë jetë të mbushur me dashuri – shëndet e gëzime! /kryelajmi.com?