Gjilan

Qytetari të ketë besim tek gjyqësori

 Promovimi i integritetit gjyqësor dhe mënyrat e përmirësimit të tij janë diskutuar në takimin e mbajtur mes gjyqtarëve të Gjykatës Themelore të Gjilanit, kryeprokurorit, avokatëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, gjyqtarët dhe palët me interes të gjykatës, përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile identifikuan modalitetet praktike për të përmirësuar transparencën, llogaridhënien, performancën dhe besueshmërinë e sistemit gjyqësor. Ata premtuan përkushtim të plotë në zbatimin e praktikave të nevojshme për të promovuar dhe ngritur besimin e opinionit publik në gjyqësor.

Në hapje të diskutimit, Kryetari i Gjykatës Themelore Zyhdi Haziri ka vënë në pah veprimet e ndërmarra në fushën e përmirësimit të transparencës; përmes përdorimit aktiv të ueb-faqes së gjyqësorit dhe njoftimit të OJQ-ve për numrin e lëndëve të zgjidhura dhe çështjet tjera në këtë aspekt. Mirëpo, ai u bëri thirrje akterëve relevantë të gjykatës që të punojnë me përkushtim për ta bërë gjykatën e Gjilanit edhe më të hapur në këtë aspekt.

Si aspekt shqetësues, kryetari Haziri ka përmendur elementin e pavarësisë së gjyqtarëve gjatë dhe pas orarit të punës, duke potencuar se duhet pasur kujdes gjatë vizitave në hapësirat publike (kafiterive, restoranteve) që kanë reputacion të dyshimtë dhe që ndikojnë në zbehjen e profesionalizmit të gjyqtarëve, rrjedhimisht gjykatës.

Sipas tij, integriteti i gjyqësorit ndërtohet në bazë të integritetit personal të gjyqtarëve, të gjitha sjelljet e gjyqtarëve qoftë në jetën publike apo private, madje edhe ato më të vogla  reflektojnë dhe ndërtojnë integritetin e gjyqësorit.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e profesionalizmit gjatë punës në gjykatë dhe jashtë saj, sjelljen e gjyqtarëve si dhe të llogaridhënies. Ata shtuan se integriteti i gjykatës duhet të përmirësohet akoma nga aspekti i brendshëm në mënyrë që të reflektohet në aspektin e jashtëm, dhe se kjo do të rezultojë në rritjen e besueshmërisë tek qytetarët. Në tërësi u konkludua se përmirësimi i llogaridhënies ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e sistemit gjyqësor të Kosovës.

Gjykata Themelore e Gjilanit konsiderohet si një gjykatë transparente por që mëton të përmirësohet edhe më tutje në këtë aspekt. Për më shumë, kryetari Haziri ka premtuar se gjatë muajit nëntor Gjykata Themelore e Gjilanit do të filloj me publikimin e aktgjykimeve të plotfuqishme, një hap shtesë ky drejt zbatimit të obligimeve ligjore dhe rritjes së transparencës.

Qëllimi i Iniciativës për një Gjyqësor me Integritet është mobilizimi i gjyqtarëve për t’u angazhuar për një kulturë të llogaridhënies, integritetit, efikasitetit dhe transparencës.

Qëllimi i këtyre tryezave te organizuara nga Programi i USAID –it për Fuqizimin e Sektorit të Drejtësisë (JSSP), është të i inkurajojë diskutimet dinamike mbi çështjet kryesore se si zbatimi i parimeve të Kodit të ri të Etikës përmirëson cilësinë e shërbimit në ndarjen e drejtësisë.

Iniciativa për një Gjyqësor me Integritet u lansua muajin e kaluar nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Kryetari i Gjykatës Supreme dhe Kryesuesi i KGJK-së.

You Might Also Like