Futboll

Aron Mustafa, gardiani 18-vjeçar nga Lugina që po shkëlqen te FC Zürich

Në mesin e shumë futbollistëve në diasporë, po shkëlqen portieri 18-vjeçar, Aron Mustafa. Gardiani i ri po mbron me shumë sukses ngjyrat e skuadrës së FC Zürich U19, duke dëshmuar një talent të jashtëzakonshëm, teksa shumë shpejt pritet t’i bashkohet edhe skuadrës U21 të klubit zviceran.

Mustafa, i gjatë 1.84 m, ka lindur në Zvicër, ku edhe jeton me familjen e tij. Megjithatë, ai ka prejardhje nga Lugina e Preshevës, saktësisht nga fshati Zhunicë, ndërsa para tetë vitesh familja e tij është transferuar në qytetin e Gjilanit.

Karriera e portierit të talentuar ka nisur plot 11 vite më parë. Ai është rritur në akademinë e FC Zürich, duke u konsideruar si një shpresë e madhe për këtë skuadër me renome.

“Karrierën e kam filluar që nga mosha 7-vjeçare në Akademinë e FC Zürich dhe tani e 11 vite jam pjesë e kësaj skuadre. Synoj vazhdimisht që shumë shpejt të jem me skuadrën e parë të kampionit të shumëfishtë të Zvicrës. Për të gjitha të arriturat e mia, falënderoj familjen time e cila në çdo moment është me mua, po ashtu edhe stafin e skuadrës,” thekson Aron Mustafa.

Aktualisht, portieri shtatlartë po paraqitet me FC Zürich U19 në UEFA Youth League (Ligën e Kampionëve për të rinj), ku pritet të dëshmojë aftësitë e tij me pritjet vendimtare për të arritur rezultate sa më pozitive.

Idhulli i tij në futboll është portieri legjendar i Gjermanisë, Manuel Neuer. “Frymëzimi im është Neuer. Ai është një portier gjigant, i cili ka dëshmuar se është ndër më të mirët në botë, dhe aspiratat e mia janë që shumë shpejt të eci rrugës së tij,” shton 18-vjeçari.

Sa i përket karrierës ndërkombëtare, talenti Aron Mustafa më herët ishte pjesë e Kombëtares së Kosovës U16. Megjithatë, prej një kohe të gjatë ai nuk ka marrë asnjë ftesë nga grupmoshat e shtetit të tij.

“Isha pjesë e Kombëtares së Kosovës, por tani nuk kam pasur ndonjë ftesë. Ëndrra ime është që një ditë, me bashkëlojtarët e mi dhe gjeneratën time, ta dërgojmë Kombëtaren e Kosovës në Kampionate Evropiane dhe Botërore. Është një ëndërr që nga fëmijëria dhe shpresoj se shumë shpejt do të jem përsëri pjesë e ‘Dardanëve’,” shprehet plot shpresë Mustafa.

Për portierin premtues, njerëzit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) duhet të reagojnë sa më parë për ta kontaktuar. Talentet si Aron Mustafa duhet të afrohen dhe të ftohen për të mirën e futbollit kosovar, në mënyrë që nesër të mos jetë tepër vonë për ta afruar këtë talent të madh të portës.

You Might Also Like