ARSIMI

Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” vatër kampionësh

Në vitrinat e dedikuara për kupat dhe medaljet e fituara në gara të ndryshme nga nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan sikur më nuk ka vend për ndonjë titull të ri. Ato janë të mbushura me kupa, medalje, lëvdate e mirënjohje, ndërkohë që kupa të reja vijnë për të zënë vend aty.

Ditë më parë, vashat u stolisën me titullin kampion në nivel vendi, nuk shkuan pak ditë edhe një titull erdhi, tashti në shah, në ditët në vijim është volejbolli, pingpongu…

Sa shumë tituj në këtë vatër diturie, lum shkolla si kjo me kaq tituj të fituar.

Si gjithnjë drejtori i shkollës Bekim Mustafa, por edhe Drejtoria e Arsimit në Gjilan organizon pritje për nxënësit kampionë e këtë të martë një gjë e tillë ishte e rezervuar për Kampionët e Kosovës në Shah, kryetrajnerin e tyre Blerim Shala dhe kolegët e tij profesorë. Edhe nga një mirënjohje për ta nga drejtoria e Arsimit dhe nga drejtoria e shkollës.

“Kam një ekip shumë të mirë dhe që tani vejmë kandidaturën për t’u shpallur kampionë edhe vitin tjetër”, thekson mësimdhënësi, që njëkohësisht është edhe trajneri, Blerim Shala, teksa shpjegon çastet e fundit, kur lojtarit të tij po i rridhte koha dhe se si ai në minutat e fundit nxori një remi (barazim në shah), që ishte i mjaftueshëm për të ngadhënjyer ndaj ekipit nga Rajoni i Ferizajt, që sivjet ishte konkurrent i fortë.

Reshat Syla, koleg i tij nuk lë pa thënë fjalë miradije për këta nxënës, të urtë, të mençur, të sjellshëm e kulturuar që ia zbardhën fytyrën jo vetëm shkollës, por edhe Gjilanit. Skaj tij, Selami Haziri, kampion i Kosovës me ekipin e tij në basketboll, sa me dëshirë do të donte që tashti ekipi i vajzave në basketboll të përfaqësonte Kosovën edhe në garat ndërkombëtare, ngase kanë cilësi që mëtojnë t’i shfaqin para bashkëmoshatareve të tyre.

Teksa u ndajnë mirënjohje nxënësve fituese,  drejtori Bekim Mustafa e zëvendësi i tij, Agim Asllani, nxënësve u dëshirojnë suksese në garat e mëtejme e kapiteni i ekipit Alp Sahiti, që mori mirënjohje të veçantë si lojtari më i mirë i turneut, në emër të nxënësve pjesëmarrës falënderoi mësimdhënësit dhe drejtorinë për përkrahjen e dhënë.

You Might Also Like