Gjilan

Ka ndërruar jetë Osman Ibrahimaj, vullnetari më i vjetër i mëngjesit

Ka ndërruar jetë sot në Gjilan vullnetari i mëngjesit, Osman Ibrahimaj, i cili për gati një shekull nuk iu nda vrapit dhe natyrës.

Njoftimin e kanë dhënë familjarët, të cilët kanë treguar po ashtu se varrimi bëhet sot, me namazin e Ikindise.

Në respekt të tij, Mediafokus.info rikthen sot shkrimin për Osman Ibrahimajn, të botuar në qershor të këtij viti.

Thotë se që nga mosha 16-vjeçe merret me vrapim. As vet nuk kishte menduar se për 66 vite e më tepër do të mbetej një adhurues kaq i madh i vrapimit dhe natyrës.

Vrapimin e ka provuar së pari herë në një dasmë fshati, për të respektuar traditën e garës së maramës. Asokohe, nusja nuk hipej në qerre dhe as dasmat nuk bëheshin, pa e kryer garën e maramës. Për fituesin e shtegut pesë kilometra, jepej si shpërblim një dele, që asokohe ishte çmim mjaft i madh.

Ibrahimaj ka arritur të fitojë shumicën e garave nëpër dasma fshati. Tutje ai ka vrapuar, jo më për gara e shpërblime, por për të mbajtur lidhjen me natyrën, që sipas tij, është e pazëvendësueshme për jetën dhe shëndetin e njeriut.

‘Mjek më të mirë se natyra nuk ka askund në botë’, thotë ai.

Por, është i zhgënjyer për mënyrën si e trajtojnë disa persona ambientin, sikur të ishte diçka e huaj.

Ibrahimaj është ndër të paktët qytetarë që edhe me këtë moshë del për çdo ditë në Stanishor, një masiv bjeshke në afërsi të Gjilanit.

Ai i takon grupit të vullnetarëve të mëngjesit, të cilët, përveç ushtrimeve, kujdesen edhe për këtë ambientin.

Por, ajo që e shqetëson 82-vjeçarin, është ndotja e natyrës. Ka persona që tregohen të papërgjegjshëm ndaj ambientit dhe e ndotin atë sikur të ishte diçka e huaj.

Në Stanishor, një zonë kjo e pasur me drurë të ndryshëm, me lumenj e lule, përveç pushimeve, bëhen edhe ushtrime gjimnastikore e rekreative nga grupe të ndryshme sportive e qytetarë të rëndomtë. Ka shtigje për vrapim, vegla për ushtrime, ulëse për pushim.

‘Kjo hapësirë duhet ruajtur si një mrekulli e natyrës, duke investuar në të dhe jo duke e ndotur’, thotë Osmani.

Është shumë i zemëruar me trajtimin që disa qytetarë i bëjnë kësaj zone, që të huajt e kanë lakmuar pafundësisht, sa herë kanë qenë këtu për ta vizituar.

‘A mbushemi mend ndonjëherë ne’, thotë ai i nevrikosur.

Ka njerëz që vijnë këtu, rrinë e pushojnë e kur ngrihen për të ikur, lanë pas vete gjithë mbeturinat. Ka edhe të tillë që hedhin mbeturina të ngurta skaj lumit, duke degraduar gjithçka të bukur në këtë vend.

Shpeshherë i largon vetë mbeturinat, por dikush sikur kujdeset që ta rikrijojë pamjen e njëjtë: mbeturina, rërë, kocka, ulëse të shkatërruara.

Ibrahimaj flet për rëndësinë që ka natyra për njeriun.

‘Natyra të jep forcë dhe të qetëson. Natyra është jeta e njeriut. Vrapimi në natyrë është ushqimi kryesor i trupit të njeriut. Ata që vrapojnë nuk kanë nevojë për mjek, as për barna. Shëndeti i njeriut janë atletika, aromat e luleve, shtazët dhe shpezët që jetojnë në natyrë’, thotë 82-vjeçari.

Ai zgjohet në ora pesë të mëngjesit dhe fillon me vrapim një ditë tjetër të lumtur. Shpreson se edhe për një kohë të gjatë do t`i shkel me vrap këto shtigje.

‘Vrapimi dhe natyra janë pafundësia ime’ thotë Ibrahimaj.

I ndjen personalisht dobitë nga ky raport me natyrën, ku pos vrapimit shijon edhe ajrin dhe ujin e mirë, që i japin jetëgjatësi njeriut.

Shpatet e Stanishorit janë kthyer në një oazë shëndeti dhe miqësie në mes të njerëzve. Ky vend i ka ndihmuar edhe ata njerëz të cilët deri dje kanë lëvizur me vështirësi, u ka kthyer shpresat për të vazhduar jetën edhe të sëmurëve.

‘Ajri dhe uji i këtyre shpateve largon edhe pleqërinë, kur kombinohen me shëtitjet e mëngjesit’, thotë Ibrahimaj.

Sot ai iku në rrugën e pakthim. /Mediafokus.info

You Might Also Like