Gjilan

Kryetari Hyseni me bashkëpunëtorët bëjnë homazhe të varrezat e dëshmorëve, me rastin e shënimit të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Kryetari Hyseni me bashkëpunëtorët bëjnë homazhe të varrezat e dëshmorëve, me rastin e shënimit të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Gjilan, 17 shkurt 2023 –  Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni me bashkëpunëtorët, kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve, me rastin e 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Kryetari Hyseni ka uruar me këtë rast që edhe e ardhmja të jetë poaq e lavdishme sa e kaluara e vendit tonë.

“Besoj që nuk ka vend tjetër ku gjendet vullneti për angazhim e për punë e në të njëjtën kohë, modeli për të ardhmen, se sa në Kodrën e Dëshmorëve në Gjilan. Prandaj, të gjithë shqiptarëve kudo që janë urime 15-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, uroj që edhe e ardhmja të jetë poaq e lavdishme sa e kaluara e vendit tonë”, ka thënë kryetari Hyseni.

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Karadakut, Ahmet Isufi, ka theksuar se 17 shkurti është datë historike për popullin shqiptar e cila ka ardhur me sakrifica të mëdha të brezave të cilët janë flijuar për pavarësi dhe shtet.

“Në shenjë kujtimi për dëshmorët vendosëm buqeta lulesh, në mënyrë që t’i nderojmë ata që u bënë themeli i lirisë e pavarësisë së Kosovës”, tha ai.

Paraprakisht, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur sot seancë solemne, ndërkaq aktivitetet kanë vazhduar me një koncert për fëmijë nga kolegji Don Bosko, derisa në orën 17:00 do të mbahet koncerti festiv nga SHKA “Qypërlinjtë e Roshnikut” – Berat.

Ndërkohë, për nesër (18 shkurt) janë paraparë të mbahen edhe këto aktivitete: në orën 14:00 – turneu i volejbollit, 16:00 – turneu në streetboll (palestra e sporteve “Bashkim Selishta”); 19:00 – Ekspozitë personale “Identitet” nga Lulzim Ramushi (Galeria e Qytetit) dhe 20:00 – Gala koncert me Rona Nishliu dhe New Bing Bang (teatri i qytetit).

You Might Also Like