Shumë punë, djers e mund nevojitet që një ekip të bëhet kampion. Për këtë dëshmia më e mirë është ekipi i juniorëve të Gjilanit, ekip ky që pas përmbylljes së stinorit vjeshtor në Superligën e Juniorëve u radhit në vendin e parë, me shtatë pikë më shumë se sa përcjellësi më i afërt, Flamurtari i Prishtinës. Juniorët e Gjilanit ishin ekipi me më së shumti fitore, gjithsej 12 e me më së paku humbje, vetëm një. Sulmi i këtij ekipi ishte më efikasi në ligë, duke tundur portat kundërshtare 50 herë, apo duke shënuar mesatarisht 3,33 gola për ndeshje e dhënë që do t’ia kishte për lakmi çdo ekip futbolli.
Gjithsesi se janë lojtarët ata që me punën e tyre bënë që ky ekip të arrijë rezultate të lakmueshme, por më meritori për këto rezultate është trajneri i mirënjohur kosovar i futbollit, Refik Rexhepaj, i cili në opinionin futbolldashës njihet si një njeri i palodhshëm, i përkushtuar dhe këmbëngulës në punë, trajner me përvojë të gjatë, ngase që nga rinia kishte kaluar të gjitha kategoritë si futbollist për të kryer më pas shkollimin për trajner dhe me licenca ndërkombëtare e kontributi i pamohueshëm i tij është edhe në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të reja.
Më shumë se një vit më parë, ekipi i juniorëve të Gjilanit me rezultate modeste po përpëlitej në ligën e parë, kurse u desh që në krye të këtij ekipi të vihej Refik Rexhepaj, i cili fillimisht konsolidoi radhët, nisi përgatitjet e duhura, bëri një ekip të qëndrueshëm, i cili ia doli që të kthej statusin e të qenit në Superligë. Stinori i ri në elitë kishte kërkesa të reja edhe më të vështira e të gjitha këto i kishte parasysh kryetrajneri Refik Rexhepaj, i cili përgatiti ekipin si është më së miri dhe krejt kjo punë është kurorëzuar me sukses, ngase ekipi i tij edhe në Superligë u radhit i pari.
“Të gjitha këto suksese janë meritë e lojtarëve, por edhe e kryesisë së klubit, e cila na përkrahu gjithmonë në punën tonë”, thotë Refik Rexhepaj, i cili shton se gjysma e rrugës është kryer me sukses, por se duhet ende punë që këto suksese të mbahen, të ruhen e të avancohen. Rexhepaj beson se me fondin e lojtarëve që ka dhe me përgatitjet që do të bëhen do të arrihet synimi i ekipit, sikurse që një ndër synimet tjera të tija është që lojtarët e tij, në vitet në vijim të jenë boshti i sukseseve të ekipit të parë të KF Gjilanit.
E ardhmja e futbollit gjilanas varet shumë nga gjeneratat që do të vijnë, kurse kategoritë e reja të KF Gjilani dhe sukseset e tyre adhuruesit e ekipit bardh e kuq i bëjnë që të besojnë në një të ardhme të sigurt, ngase janë pikërisht këta lojtarë që do të jenë pjesë në arenat ndërkombëtare të futbollit.
Tabela