Ardian Nuhiu ka bërë thirrje për karakter dhe qëndrueshme në konferencën për shtyp para sfidës ndaj Feronikeli ’74.
Tekniku i “kuqebardhëve” ka vlerësuar ekipin e tij për karakterin e shfaqur në stinorin pranveror, por ka bërë thirrje për qëndrueshmëri, pasi që përballë do të kenë një kundërshtar që po luan mirë në dy xhirot e fundit kampionale.
“Kemi treguar karakter të shkëlqyeshëm në katër ndeshjet e para të stinorit pranveror dhe kërkoj që po të njejtin karakter ta kemi edhe në ndeshjen e nësërme, e cila nuk do të jetë aspak lehtë ndaj një kundërshtari që ka patur paraqitje tejet pozitive në dy xhirot e fundit, ndaj dhe duhet të kemi shumë kujdes”.
“Pikët janë të njejta ndaj çdo kundërshtari. Është e rëndësishme për ne të marrim maksimumin e pikëve në këtë fazë të garave dhe të vazhdojmë me formën e mirë të cilën e kemi treguar”.
Nuhiu ka shprehur edhe njëherë besimin për grupin të cilin ai drejton, mirëpo ka potencuar që duhet kohë për t’u komponuar edhe më shumë, pasi që ka ende hapsira për t’u përmirësuar.
“Luhatjet i kemi parashikuar, pasi që po ndërtohet diçka e re, një filozofi e re dhe me futbollist të cilët po njihen njëri me tjetrin. E kam potencuar që ky grup ka kualitet dhe ka potencial, por e do kohën e vet. Më vjen mirë që gradualisht ky ekip po rritet dhe po përmisohet në çdo aspekt. Unë kërkoj më tepër, pasi që besoj që ata kanë potencial për të shkuar shumë më lartë se këtu ku jemi. Besoj që jemi në rrugën e duhur, por gjithmonë ka vend dhe hapsirë për t’u përmirësuar”.
“Po kërkojmë qëndrueshmëri. Kemi shënuar në pothuajse çdo ndeshje, mirëpo edhe kemi pësuar. Në këtë pjesë të kampionatit jemi përmirësuar në këtë drejtim dhe po vazhdojmë të përmirësohemi. Besoj dhe jam i bindur që do të rritemi të gjithë së bashku për të krijuar një ekip kompakt që vështirë të thehet”.
I pyetur për objektivat e klubit, Nuhiu është shprehur se mendojnë vetëm për ndeshjen e radhës dhe asgjë më shumë.
“Shohim vetëm ndeshjen e radhës, atë ndaj Feronikeli ’74 dhe asgjë më shumë. Përballemi me një skuadër që po lufton dhe për ne është e rëndësishme të marrim maksimumin. Jemi të përqendruar vetëm në këtë ndeshje dhe më të përmisohemi gjithmonë e më shumë”.
Në fund i pari i stolit të ekipit ka kërkuar edhe mbështetjen e tifozëve për këtë takim, pasi që është i domosdoshëm.
“Kemi ndjerë mbështetjen e tifozëve edhe në momentet më të vështira, ndaj presim mbështetje edhe në ndeshjen e nesërme. Futbollistët kanë nevojë për mbështetje, ndaj na duhet përkrahja e tyre. Tifozët janë lojtari numër 12-të për ne”.
Ndeshja ndërmjet Gjilanit dhe Feronikeli ’74 zhvillohet këtë të diel me fillim nga ora 14:00 në stadiumin ndihmës në Gjilan.