Futboll

Liridon Hasani, golashënues i papërsëritshëm

Ishte në kulmin e karrierës, lojtar i përfaqësueses së Kosovës dhe golashënues që nuk linte ndeshje pa tundur portat kundërshtare. Për të nuk kishte top të humbur, nuk kishte pozitë nga e cila nuk gjuante në portë, por luftonte edhe për çdo top. Në një të tillë në ajër, Liridon Hasani, qendërsulmues i Gjilanit, ishte përplasur keq me lojtarin kundërshtar Fidan Gërbeshi nga ekipi i Dritës  dhe në tokë kishte rënë pa vetëdije. Karriera e tij ishte vënë në pikëpyetje e ai ishte i adhuruari i shikuesve, kurse loja pa të nuk ishte ajo e dikurshmja, kurse këtë e vërente edhe publiku që mbante sloganin “No Doni, no party”. Liridon Hasani mungoi në shumë ndeshje dhe që nga ajo kohë futbollin po e përcillte slogani “No Doni, no goals”. Që nga atëherë, por edhe sot në futbollin gjilanas të pasluftës kanë defiluar dhjeta qendërsulmues, por në futbollin tonë shihen shumë pak golashënues të spikatur, të atillë çfarë ishte golashënuesi Liridon Hasani.

Në karrierën e tij, Liridon Hasani, ka shënuar mbi 100 gola për KF Gjilanin dhe llogaritet golashënuesi më i mirë i këtij ekipi. Pos tjerash ai është edhe golashënuesi më i mirë i derbit lokal ndërmjet Gjilanit e Dritës, kurse atë që qendërsulmuesit nuk e bëjnë brenda një kampionati ai e kishte bërë brenda një jave. Gjatë një jave klubi i tij i kishte zhvilluar tri ndeshje, kurse brenda asaj jave Liridon Hasani ia kishte dalë të shënojë tetë gola, e arritur kjo që vështirë mund t’a bëjë ndonjë lojtar tjetër.

Tashti, kur Liridon Hasani ka pushuar së luajturi aktivisht futboll, ai pohon se habitet se nga çfarë pozita sot huqet, se sa me bujë paralajmërohen përforcime, qoftë të lojtarëve brenda Kosovës, por edhe nga jashtë, por që me gjithë këto përforcime sa vështirë tashti arrihet deri te goli.

Liridon Hasani edhe  sot me vëmendje përcjell futbollin në Kosovë, i gëzohet pranimit të futbollit në arenën ndërkombëtare. “Publiku më së shumti i gëzohet golit, ai vije në stadium për të parë lojë sulmuese, kurse sot në futbollin kosovar më shumë po luhet që të shënohet një gol dhe ai që ai rezultat të mbrohet. Dikur ishte më ndryshe”, thotë Liridon Hasani.

 

You Might Also Like