ARSIMI

PENSIONOHET MËSUESJA NEXHARIJE IBRAHIMI

Sot, më 19 tetor 2023, pas një pune të palodhshme 32 vjeçare në edukimin dhe arsimimin e shumë gjeneratave është pensionuar mësuesja Nexharije Ibrahimi, e cila ka punuar në paralelen e ndarë fizike të shkollës sonë në Bukovik.
Mësuesja Nexharije e kishte filluar punën më 1991, në periudhën më të rëndësishme të arsimit dhe shkollës shqipe, ku si shumë mësimdhënës të tjerë edhe ajo kishte sfiduar masat e dhunshme të ish-pushtetit okupues të viteve ’90-ta, duke punuar në sistemin paralel, me të vetmin qëllim, për ta mbajtur gjallë shkollën dhe arsimin shqip. Prandaj, mësimdhënësit e atyre viteve meritojnë mirënjohjen dhe respektin tonë maksimal.

Në shenjë respekti dhe mirënjohje, kolektivi i shkollës kishin përgatitur një ceremoni përcjellëse për mësuesen, ndërsa momenti më emocional ishte dedikimi i mbesave të saj që i kishin bërë me rastin e pensionimit, mësueses Nexharije.

Drejtori i shkollës, z. Fadil Shabani i ndau mirënjohje për kontributin e dhënë, ndërsa një dhuratë simbolike ju dhurua edhe në emër të shoqatës sindikale të shkollës.

Në emër të nxënësve, prindërve dhe kolektivit të shkollës, e falenderojmë mësuesen për kontributin e dhënë, si dhe i urojmë shëndet, jetë të gjatë dhe gjithë të mirat pranë familjes së saj!

Dobërçan, më 19.10.2023

You Might Also Like