ARSIMI

Së shpejti nis gara e madhe për dituri, kreativitet, mendim kritik dhe sport

Rexhep Hoti, koordinator në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sporte, i shoqëruar edhe nga Nazim Gagica, drejtor në Drejtorinë për Arsim në Gjilan si dhe me bashkëpunëtorë, kanë vizituar Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, ku kanë bashkëbiseduar me stafin udhëheqës, mësimdhënës e nxënës, me theks të veqantë për garën e madhe që do të mbahet në ditët dhe muajt në vijim, ku do të jenë të përfshirë të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës, mbi 340 mijë sish.

Fillimisht, Bekim Mustafa, drejtor i gjimnazit, u ka dëshiruar mysafirëve mirëseardhje dhe ka shtuar se kjo shkollë gjithmonë është dalluar për rezultate të larta e ai ka kërkuar përkrahje nga Ministria e DKA, me qëllim që rezultatet të jenë sa më të mëdha.

Edhe Nazim Gagica, drejtor në DKA, ka thënë se Gjilani i ka marrë obligimet dhe detyrimet që kanë dalë nga ky projekt dhe ka shprehur bindjen e tij se duke pasur nxënës të mirë, nxënësit e gjimnazit do të mund të jenë fituesit në garën “Kreativiteti kulturor dhe mendimi kritik”, por edhe në garat e sportit, ngase Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan është shkollë model. Ngjashëm është shprehur edhe Majlinda Hoxha, zyrtare për Shkollimin e Mesëm në DKA, e cila ka shtuar se beson se rezultatet e gjilanasve do të jenë të mëdha.

Rexhep Hoti, koordinator në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sporte, ka thënë se që në hyrje të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” ka parë se kjo shkollë ofron shumë mundësi, ka gjelbërim e kreativitet, andaj i ka ftuar nxënësit që të jenë pjesëmarrës në garën për dituri, kreativitet, mendim kritik dhe sport dhe se ky program u jep mundësi të gjithëve edhe talenteve të fjetur. Ai foli për rëndësinë e këtij projekti dhe të kësaj gare.

Në debat është kyçur edhe profesori Shkëlqim Zunqe, i cili ka folur për rolin e mësimdhënësit, sfidat nëpër të cilat ka kaluar ai dhe se sa po përkrahet mësimdhënësi sot. Ai ka kërkuar që mësimdhënësi të trajtohet më me dinjitet, ngase ai është pasqyrë para nxënësve.

Nxënësja Dëbora Jerliu, ka kërkuar që gara të jetë fer, që të fitojnë më të mirët dhe që të përkrahen më të mirët, kurse pati edhe kërkesa nga nxënësit që profesorët të kenë mirëkuptim, nëse ndodh që shkaku i garës të humbet ndonjë orë mësimore nga nxënësit garues.

You Might Also Like