Libri

Poeti Prend Buzhala shpallet fitues i çmimit letrar “Beqir Musliu”

Poeti Prend Buzhala shpallet fitues i çmimit letrar “Beqir Musliu”

Gjilan 23 nëntor 2022 – Poeti Prend Buzhala është shpallur sot fitues i çmimit letrar “Beqir Musliu”, të cilin e ndan kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për arritje të veçanta në letërsi, në bashkëpunim me klubin letrar të krijuesve gjilanas “Beqir Musliu”.

Fituesi është përzgjedhur nga juria e konkursit letrar “Beqir Musliu”, në përbërje: Sadetete Tërnava – Osmani, Arsimi Halili, dhe Tahir Arifi.

“Është vazhdimësi e punës së Komunës, institucioneve e përfaqësuesve të botës së artit të të shkruarit që po e vazhdojmë edhe këtë vit. Pra, nga viti 2004 jepet ky çmim dhe po e vazhdojmë tash për herë të gjashtëmbëdhjetë ta shpallim fituesin. Me këtë rast, e uroj fituesin e këtij çmimi të madh letrar, poetin Prend Buzhala”, ka thënë kryetari i Komunës, Alban Hyseni.

Kryetari i Komisionit, Arsim Halili, tha se arsyet për t’u nominuar dhe për t‘ia dorëzuar çmimin poetit Buzhala kanë qenë faktike, duke thënë se është emër i cili ka bërë mbi 80 vepra letrare.

“Mund të themi se si mik i Gjilanit, Prend Buzhala është edhe autor i tri monografive studimore për tre autorë të shquar si Mirko Gashi, Ramadan Mehmeti dhe Ali Huruglica. Para luftës është penalizuar me burg apo me ndalimin e botimeve të tij për shkak të krijimtarisë dhe atdhetarisë së tij, mirëpo asnjëherë hovin si krijues, studiues dhe poet, nuk e ka ndalur, përkundrazi, i ka dhënë më shumë forcë për të vepruar”, ka thënë Halili.

Ideator i çmimit letrar “Beqir Musliu” është Ars Clubi “Beqir Musliu” nga Gjilani dhe ndahet për herë të gjashtëmbëdhjetë nga Komuna e Gjilanit.

Deri më tash, me këtë Çmim letrar janë nderuar: Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Visar Zhiti, Ibrahim Kadriu, Rexhep Qosja, Ramadan Mehmeti, Nehas Sopaj, Anton Nikë Berisha, Ramadan Musliu, Shaip Beqiri, Ramadan Rexhepi, Edi Shukriu, Agim Gjakova dhe Nasi Lera.

Ndryshe, ceremonia e dhënies së këtij çmimi do të mbahet të shtunën në ora 12:00, në Bibliotekën e Qytetit.

You Might Also Like