Nexhat REXHA
RAPORTI INTERAKTIV MES DASHURISË DHE PAVDEKËSISË
(Zize Pepshiꓽ”Edhe vdekja turpërohet nga dashuria”, Botoi ,”Faik Konica”. Prishtinë 2021.,fq 132).
Konfiguracioni i fjalës artistike ndërlidhë koherencën e ndërveprimit mes ditëve të ikura dhe atyre që vlojnë nga malli. Poezia e këtij vëllimi i ka të ndërlidhura kaptinat e ditëve më të bukura, të cilat nuk e ndalojnë komunikimin poetik, përkundrazi pikat qendrore të vargjeve, vijnë me artikulimën e ndërveprimeve për të mos i lënë të treten në vorbullën e ditëve dhe netëve të pambarim.
Libri hapet me “Lirikat për dashurinë”, ato piketojnë në dashuri, momentet e ndërtimit të një jete në përkushtim të ruajtjes së identitetit kombëtar.. Vetë poezia brenda shtjellimit poetik të ofron ndjeshmërinë e këtyre kaptinave jetësore, ato vijnë me vallëzimin e bukurive natyrore, të cilat ndërtojnë folenë e ngrohtësisë.
Poezia e Zize Pepshit që nga fillimet e këtij libri, të krijon pamjet me të bukura të të gjitha refleksioneve , brenda vargjeve, ato të japin peizazhet e mahnitshme të natyrës ku shkel syri e këmba e të rinjve. Në këto bukuri natyrore, vijnë pikat e lotit, që bashkëjetojnë në horizontin e zemrës së poetes.
Figuracioni poetik krijon e ruan shpirtin e një rrugëtimi plot gjallëri. Po jeta ka bimët e saj, ato i japim jetëgjatësinë dashurisë, mes jetës dhe pavdekësisë. Këto parashtrime kanë depërtime të thella shpirtërore , përkundur dhembjes, ato asocojnë në ndërlidhjet harmonike të këtij cikli poetik.
Lajtomotivi i tërësisë së veprës është ndërtimi, përjetimi dhe shfaqjet e udhëtimit jetësor nëpër hullitë e shtegtimeve të autores, ato vijnë në shpalim të rrethanave kohore, të cilat përcaktojnë botën reale. Shtrirja e tekstit sajohet nëpërmes parimit të dialogimit, si proces i idesë së fjalës, brenda tekstit në inkorporim të funksionalizimit, e në krijimin e sistemit parimor të finalizimit në konstruktivitetin e pranueshëm, përmes motivit sa më kontretizues, si bartje të unifikimit sa më origjinal .Si në poezinë” “Bëhu sirenë”, kur jeta të trazon në thellësitë e akustikës së mallitꓽ
Mos u zhyt në dallgët e trazuara
Në detin e qetë bëhu Sirenë
Dhe unë me notin tim të pushtoj me duar
E ti më mbështill, dhe mos lësho zë…
Në këto shtrije vargjet të japin afërsinë e mobilizimit, profilit ëndërrues për të jetësuar krijimin e analogjive që determinon thellësia e valëve të detit njerëzor. Poezia e këtij cikli krijon ngrohtësinë e pakëputur të jetës, ani pse në shumë pikëtakime ajo të krijon dhembjen në mes ekzistencës, që në shumë raste krijon shtresëzime të nostalgjisë. Mirëpo, semantika e tekstit krijon kompozimin në modifikim të përgjithshëm, duke i mundësuar lexuesit të përjetojë botën reale në parafytyrimet reflektuese si pjesë të parimit etik.
Gërshetimi mes pritjes në sytë e shpirtit
Pritja dhe malli krijojnë gërshetimin e vetërrëfimit si krijim artistik për të reflektuar botën e brendshme, si meditim dhe refleksion filozofik. Në këto qasje, autorja procedon dialogimin si mënyrë konstruktive, duke ofruar qartësimin poetik si formë e zbërthimit të flijuar në lartësimin e ngjyrimin përtej gjykimit të arritshëm, kurse brenda gjerësisë së shtruar të jep përjetim e kërkim për të gdhendur zhveshjen e fshehtë dhembjes.
Përqendrimi në lexim dhe prekja e mallit, në këtë cikël ,shtrojnë konceptin e meditimit të erosit, që nga lashtësitë antike greke, si Safoja, që gjithnjë ka krijuar himnin më të bukur jetës dhe dashurisë. Zize Pepshi, ka prekur këto reagime të botës njerëzore, ato frymojnë me shpirtin e njeriut të zëshëm, sepse vetë hapësira krijon domethënien e veprimit, e cila vjen në harmonizim të arsyeshëm
Kur fjalët vijnë si reflektim artistik për të bukurën, bota lëvizë natyrshëm në të gjitha variantet e mundshme, kur dallgët e trazuara mundin heshtjen e vetmisë stuhitë e zemrës pushtojnë zhurmën e padëshirueshme…
Në këto depërtime shfaqjesh, poezia e Zize Pepshit, vjen me aromën e shprushjes së dashurisë, zjarrmuese që akordon netët e pritjeve, për të strehuar kërkimin e mallëngjyeshëm.
Si në lirikën e ngulitjeve të thella kur tipizimi konstant, vjen si relikt i pandërprerë në të gjitha komponzimet përmbajtësore, që ka poezia brenda tekstit të saj, si në poezinë ” Në ty shpirti piqet”
Ty mall që djeg si eshkë
Më thuaj ç`farë je?
Zjarr apo diell
Që përvëlon dhe djeg
Mall apo zjarr çfarë je Ti?
Gjithkush nga ti digjet
Më thuaj pra nga polle Ti?
Apo zjarr që në ty shpirti piqet..
Në realitet poetja krijon veçori individuale, ajo nuk i imponon lexuesit, përkundrazi intonimi melodik të ofron të përbashkëtën në zgjedhjen përmbajtësore si tematikë dhe si reflektim i natyrshëm poetik. Dedikimi, vjen si realizim i shfaqjes së komunikimit të qëndrueshëm dhe vjen me gjakimin e pashtershëm dhe pa kompleks të sheshimit të tërësishëm me fjalën e leksikore që funksionalizon mendimin e përmbajtësor të mesazhit.
Vëllimi poetik ꓽ”Edhe vdekja turpërohet nga dashuria”, i Zize Pepshit është libër që realizohet në këndvështrimin e optikës së idesë , përjetimit, në konkretizim të racionalitetit meditativ, duke i dhënë lexuesit afërsinë e komunikimit, i cili ka të gërshetuar kontinuitetin referencial.
Në pjesën e katërt të librit, autorja ka aktualizuar botën e trazuar në familjen e saj, ajo në disa vargje, poezisë i jep tonin elegjiak; është e natyrshme ,kur një nënë përkujdeset me shumë dashuri për fëmijët e saj, dhe nuk ndalon në arritjet e ditëve të suksesit për të ardhmen e tyre.
Poezia dhe jeta, hallka të një zinxhiri që nuk shkëputen
E gjithë kjo është pjesë e një kujtimi që nuk ndalon, përkundër ndarjes nga jeta i dashurit të saj, ajo kujton ditët dhe ëndrrat për lumturinë e ditëve pambarim. Si në vargjet e poezisë “Atje ku rri ti”, meditimi dhe mbyllja në veten e saj nuk është hermetike, po është dalja prej mallëngjimit .
Atje tej është shpresë e shuar
E zemra ndërron ritmin e saj
Kërkon ta kthejë lumturinë
Kur fluturonim bashkë.
Në këto variacione poetike motivimi i krijimit artistik të jep interkomunikimin e botës shpirtërore. Kur poezia rrëfen në veten e parë ajo të jep tingëllimën e shpalosjes reale, sepse fuqia e fjalës përgjithëson edhe vuajtjet, që në shumë raste ato të katandisin me netët e dhembjeve të gjata.
Poezia e këtij vëllimi, ka tematikën e unifikuar, që brenda vetes krijon ndërlidhjen e shtegtimeve nëpër fate dhe momente nga më të ndryshmet.
Në këto korrespondime të brendshme, autorja ka arritur të krijojë poezinë e lirë, e cila në të gjitha pjesët e vargnimit të saj ka tematikën e harmonizuar, në stil dhe në përkufizimin e saktë perceptues.
Krijimet poetike në shumë kohë e ngjarje vijnë në kontekstin e imperativitetit subjektiv, kështu, ato krijojnë motivimin në rrethanat e krijuara brenda tërësisë kohore, dhe si të këtilla ruajnë kriterin e intimes. Ato, gjithnjë vijnë duke ruajtur identifikimin, frymën morale sa më të dinjitetshme, për të mundur dhembjet e zemrës. Në realitet poezia e Zize Pepshit, artikulon brenda tërësisë së saj flijimin në rrethana të ekzistencializmit për mundur dhembjen me forcën e dashurisë.
Preokupimi i autores shënon shqiptimin e idesë në konkretizim të realizimit, si fiksim që afirmon dashurinë për të mundur vdekjen, si proces i pandalshëm në globin kozmik.
Koha dhe njeriu janë regjistruesit më konkretizues të rrjedhave jetësore, në këtë konstelacion, poezia e saj të jep rrezatimin poetik në pikëvështrim të imazhit dhe qartësisë së shprehjes së lirë në ruajtje të kontinuitetit artistik.
Gjilan, më 14 nëntor 2026
__________________________________
( E lexuar në veprimtarinë e katërt me radhë të edicionit të 17-të, të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit, mbajtur më 14 nëntor 2026, në bibliotekën e qytetit në Gjilan, me rastin e vlerësimit të dy vëllimeve poetike të Zize Pepshit).





