Me rastin e 01 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit dhe institucionet partnere, mori pjesë në projektin “Së bashku për siguri dhe buzëqeshje”, të organizuar në platon e Teatrit të Qytetit në Gjilan.
Gjatë aktivitetit, zyrtarët policorë prezantuan pajisje dhe mjete policore, zhvilluan aktivitete edukative dhe shpërndanë materiale vetëdijësuese për sigurinë, duke promovuar bashkëpunimin ndërmjet policisë, fëmijëve dhe komunitetit. Në aktivitet kontribuan edhe shërbimet emergjente, përfshirë ekipet e mjekësisë familjare dhe zjarrfikësit.
Policia e Kosovës u kujdes për sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit, ndërsa falënderon të gjithë pjesëmarrësit dhe partnerët për kontributin e dhënë në promovimin e sigurisë, edukimit dhe mirëqenies së fëmijëve.
Përmes këtyre aktiviteteve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ndërton marrëdhënie të qëndrueshme besimi me fëmijët dhe komunitetin në përgjithësi, duke kontribuar në edukimin për të drejtat themelore të fëmijëve në çdo formë të cenimit të integritetit të tyre.




