Futboll

Vetëm Drita nga ekipet kosovare mbetet në garat evropiane

Në xhiron e dytë në Europa UEFA League dhe Europa Conference League ishin katër ekipe kosovare, që luajtën të martën, të mërkurën e të enjten, por vetëm Drita nga Gjilani arriti që të kalojë tutje, ndërkohë që tri ekipet tjera Ballkani, Malisheva e Dukagjini u eliminuan.

Drita u përball me ekipin nga Malta, FC Floriana dhe pas dy ndeshjeve ia doli që të kalojë tutje. Në Maltë, rezultati ishte i barabartë 1:1, derisa në Prishtinë, ekipi ynë fitoi me rezultat 2:1 pas lojës shtesë. Në xhiron e ardhshme, Drita do të përballet me ekipin Tre Fiore nga San Marino.

Dukagjini nga Klina në ndeshjen e parë kishte pësuar nga ekipi zviceran Lugano, me rezultat 1:0, ndërsa në Prishtinë pësoi edhe më keq, ngase u mposht me rezultat të thellë 5:1.

Në Europa Conference League luajti edhe Ballkani nga Suhareke, që u përball me ekipin irlandez, FC Bohemians. Në ndeshjen e parë në Dablin vendasit kishin fituar me rezultat 2:1, e në Stadiumin “Fadil Vokrri” edhe pas lojës shtesë rezultati mbeti 3:2 për Ballkanin, andaj u desh që të jepeshin penaltitë në të cilat mysafirët ishin të pagabueshëm dhe ngadhënjyen me rezultat 5:4.

E fundit që u eliminua është Malisheva, e cila në ndeshjen e parë kishte mposhtur me rezultat 2:0 ekipin e njohur skocez, FC Hibernian, por në ndeshjen e kthimit në Edinburg, vendasit fituan me rezultat të thellë 4:1 dhe me rezultat të përgjithshëm 5:4 shkuan tutje. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like